19.5 C
Tirana
24 / 04 / 2026

Albin Kurti: Vepra e Rexhep Qosjes është një nga arritjet më të rëndësishme të mendimit kritik dhe kulturës shqiptare në shekullin XX dhe XXI

Ditën e sotme Presidenca e Kosovës ka mbajtur një mbledhje homazh për shuarjen e Profesor Rexhep Qoses.

Prezent ka qenë dhe kryeministri Albin Kurti. Ai ka postuar në fb fjalën e tij të plotë.

Më poshtë postimi: 

Fjala ime e plotë në në mbledhjen komemorative me rastin e ndarjes nga jeta të Akademik Rexhep Qosjes, organizuar nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës.

E nderuara znj. Justina Shiroka – Pula, Kryetare e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës,

Të nderuar profesorë e akademikë, nga Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës dhe Shqipërisë,

Të nderuar ministra, deputetë, përfaqësues të institucioneve vendore,
Të dashur miq, kolegë e bashkëpunëtorë,

Vepra e Rexhep Qosjes është një nga arritjet më të rëndësishme të mendimit kritik dhe kulturës shqiptare në shekullin XX dhe XXI. Ai u dallua si kritik letrar, eseist dhe intelektual publik, duke kontribuar në mënyrë të thellë me analizën e identitetit kombëtar, historisë dhe zhvillimit të letërsisë shqipe.

Ai mbrojti vazhdimisht rëndësinë e kulturës si bazë të vetëdijes kombëtare dhe si instrument për emancipim shoqëror, duke ndikuar në formimin intelektual të brezave të tërë në hapësirën shqiptare.

Rexhep Qosja ishte modeli i intelektualit publik. Puna e tij shkencore ishte e pandarë nga angazhimi për identitetin kombëtar, shtetësinë e Kosovës dhe bashkimin shqiptar.
Studimet e tij për Rilindësit, sidomos vepra “Porosia e Madhe”, kushtuar poetit tonë kombëtar, Naim Frashërit, apo studimet për Asdrenin e të tjera, ndihmuan jashtëzakonisht shumë në formimin kombëtar të shqiptarëve nën ish-Jugosllavi.

Studimet e Rexhep Qosjes dhe të kolegëve të tij për gjuhën, letërsinë, historinë, folklorin shqiptar, përgatiten dy breza të shqiptarëve për përballjen politike dhe shoqërore që do të vinte në dekadat 1980 e më pas 1990, për mbrojtjen e të drejtave dhe të dinjitetit kombëtar.

Kur nisi shpërbërja e Jugosllavisë dhe u shtua shtypja mbi shqiptarët, Rexhep Qosja u bë zëri më i spikatur akademik e intelektual shqiptar. Ai denoncoi në shtypin jugosllav dhe ndërkombëtar gënjeshtrat dhe propagandën e atyre intelektualëve serbë, që do të shkruanin e përkrahnin memorandumin famëkeq të akademisë serbe nga viti 1986 dhe që përgatitën terrenin për gjenocidet, që Serbia do t’i ndërmerrte në vitet e ’90-ta. Ai u bë zëdhënësi i “Popullit të ndaluar”, siç titullohej një prej veprave të tij të shumta dhe kjo ishte një përmbledhje e polemikave të tij me intelektualët jugosllavë të kohës.

Profesor Rexhep Qosja frymëzoi breza studentësh, i dha guxim e zë drejtësisë së protestave studentore të vitit 1981, që u bënë edhe demonstrata gjithëpopullore, e madje posaçërisht kur vala e tyre dukej se kishte rënë.

Në vitin 1985 ai rikonfirmoi brenda vetë atij sistemi, pra në Kongresin e Lidhjes së Shkrimtarëve të Jugosllavisë në Novi Sad, në prill të vitit 1985, shtypjen që ushtrohej nga regjimi serbo-jugosllav ndaj shqiptarëve. Aty, ai u foli pjesëmarrësve në gjuhën e tyre, siç tha, “jo nga frika se mos e quanin autoqefal, por që ta kuptonin të gjithë”, sepse në gjuhën e tyre ai do të shpaloste megjithatë qenien shqiptare dhe gjendjen e trupit e të shpirtit të saj. Aty, ai demaskoi procesin e diferencimit të ushtruar nga Lidhja e Komunistëve me ndihmën e shërbimeve sekrete e të aparatit të dhunës.

Mes 14 pikave se çka domethënë me qenë intelektual shqiptar në Kosovë, ai thekson se, “kjo do të thotë, me iu frikësu fjalës diferencim, po aq sa intelektualët e mesjetës i frikësoheshin fjalës inkuizicion”.

Qosja nuk i druhej polemikës, ai ishte luftëtar i penës, artikulues i palodhur i ideve dhe këmbëngulës në mendimet e veta. Ai shkruante dhe fliste për zhvillimet politike në trojet shqiptare si për qëndresën paqësore në Kosovë, si për zhvillimet demokratike në Shqipëri e në Maqedoni të Veriut. Ai argumentonte se rilindja demokratike e shqiptarëve pas rënies së regjimeve komuniste dhe shpërbërjes së Jugosllavisë, kishte plot pikëtakime me Rilindjen tonë Kombëtare dhe se tani, si atëherë, duheshin synuar si zgjidhja e drejtë e çështjes shqiptare, po ashtu edhe orientimi ynë për nga qytetërimi perëndimor. Në këtë kuptim, shkrimet e Qosjes hedhin bazat për një rilindje të tretë demokratike shqiptare në shekullin tonë, sepse, siç shkruante ai në vitin 1991: “çështja shqiptare, është çështje proces, e cila kushtëzohet prej rrethanash politike, ideologjike dhe ekonomike, të cilat janë ballkanike, por edhe evropiane”.

Mendoj se majat e publicistikës së tij, Rexhep Qosja i kapi gjatë viteve 1990-2000, që ishin të mbushura me ngjarje domethënëse për shqiptarët. Ai ishte protagonist në disa prej këtyre ngjarjeve dhe dha ndihmesën e tij për dendësimin e historisë sonë dhe siç ka shkruar, po citoj: “ne jemi të detyruar ta dendësojmë historinë, sepse sadopak shkurtohet rruga jonë drejt lirisë”.
Me porosi të mëdha si kjo, Rexhep Qosja do të jetë figurë orientuese për shqiptarët, duke frymëzuar reflektime dhe angazhime në raport me të shkuarën, të tashmen dhe të ardhmen e kombit.

Ngushëllime të gjithëve, e u prehtë në paqe akademik, profesor Rexhep Qosja!
Ju faleminderit!

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x