19.5 C
Tirana
24 / 04 / 2026

Kafshët e Fermës dhe kafazi i gjykatës

Nga Frrok Çupi

Këtu janë tre personazhe kryesore, jo aq shumë sa ishin në novelën e Orwell “Ferma e Kafshëve”. Tre, por me një shënim: Lloji i personazhit ‘kafshë’ mund të vijë duke u shtuar shumë në numër.

Personazhet janë thuajse me ngjashmëri të drejtpërdrejta, nga ‘Ferma…’ e vitit 1945, te Ferma e Tiranës, prill 2026.

Atëherë, po rendisim personazhin kategori ‘Kafshët’, që zënë vendin e parë.

I dyti si personazh renditet Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO). Kjo përbën faktor të ri, entuziazmues, glorifikant për shoqërinë tonë. Paralelja me vitin 1945 mund të merret pushteti i ri Stalinist që erdhi në Moskë.

I treti, si personazh, vjen Komiteti Shqiptar i Helsinkit, i cili po përpiqet për të drejta humane jashtë Fermës ku po protestojnë kafshët.

‘Ferma’ në gjyqin e GJKKO përfaqësohet nga një kafaz ku mbyllën kafshë. Kafshët këtu janë njerëz, madje janë njerëz që në epokën e tyre kanë qenë të rëndësishëm si shefa të shtetit.

Gjatë rrugës mund të hyjnë e dalin në skenë edhe personazhe të tjerë dytësorë, si për shembull avokati, etj.

Kjo është e gjithë skena, jo e komedisë si e Orwell-it, por drama e Drejtësisë sonë.

Komiteti Shqiptar i Helsinkit, pardje ka shpërndarë një deklaratë alarmante për mediat rreth ‘Fermës së Kafshëve’ në gjykatë. Ka marrë shkas nga protesta e avokatit mbrojtës në zotit Ilir Beqja, ish ministër, i akuzuar nga SPAK dhe GJKKO për punët e ligjit. Punë e tyre. Avokati ankohet se klientin e tij, Beqja, e kapin sa hyn në sallën e gjyqit, sjellin një kafaz dhe e plasin brenda. Në fillim ishte kafaz metalik, ndërsa tani është zëvendësuar me kafaz prej qelqi.

Avokati ankohet sa për hallin e tij, aq për vuajtjen e klientit. Halli i tij është se si të komunikojë me klientin. I duhet të futet në kafaz, pastaj të dalë; pastaj të hyjë, pastaj të dalë. Në këtë mënyrë edhe avokati kthehet në ‘kriminel’, dmth i pandehur, i dënuar në kafaz.

U ankua por kush e dëgjoi?!

Ankesa e avokatit është rrëzuar në datë 7 prill 2026. Gjykata ka arsyetuar vendimin se ‘kafazi nuk është imi, s’e kam vënë unë”.

Duket si arsyetim i ‘Derrave në Fermë’, por kjo është e vërtetë. Gjykata KKO e shkallës së parë shpall vendimin e saj se ‘kafazin e sjell Drejtoria e Burgjeve’.

E rëndë, thuajse traumë psihike. Në sallën e Gjyqit, madje gjyq special, ku i kanë sytë miliona shpresa njerëzish, nuk zotëron ligji, as gjykatësi, as prokurori…. Vendos Drejtoria e Burgjeve. Një diversant zbarkon çdo ditë në sallën e gjyqit. Burgu vendos edhe Drejtësinë. Kjo Drejtori sjell e merr kafazin. E fut kafshën në kafaz, pastaj kafshës i merr edhe kafazin. Si të ishte në një spital psihiatrik ku sjellin e marrin uturakët.

Komiteti i Helsinkit nuk e bën të njohur emrin e avokatit; ndoshta ka arsye. Sepse nuk ka rëndësi kjo. Pas avokatit të zotit Beqja do të vijë avokati i zotit Meta, pastaj i zotit Berisha, pastaj i zotit Malltezi… Hiq e sill ‘uturakë’.

Komiteti Shqiptar i Helsinkit përpiqet të ngrejë zërin e të thotë se kjo praktikë e Gjykatës ‘përbën shkelje të rëndë të legjislacionit të brendshëm dhe të standardeve të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut’.

E mirë, mirë! Kush desh t’ia dinte në Fermën e periudhës së Stalinit se si shkeleshin ligjet për kafshët.

Por ‘Helsinki’ nuk lodhet e vazhdon:

“Së pari, sipas nenit 341 të Kodit të Procedurës Penale, drejtimi i seancës gjyqësore dhe ruajtja e rendit në sallë janë kompetencë ekskluzive e gjykatës.

Së dyti, neni 344 parashikon qartë se i pandehuri merr pjesë në gjykim si person i lirë, edhe kur është i paraburgosur. Kufizimet lejohen vetëm nëse ai pengon zhvillimin e seancës. Në këtë kuadër, argumentimi i Gjykatës se vendosja në kafaz është kompetencë e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, bie ndesh me ligjin procedural penal. As ligji nr. 81/2020 dhe as aktet nënligjore përkatëse, nuk parashikojnë përdorimin e kafazit si masë standarde në sallën e gjyqit.

Së treti, kjo praktikë bie në kundërshtim edhe me jurisprudencën e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut ka nënvizuar se nuk ka asnjë justifikim që një person të trajtohet si “kafshë e egër”.

Në përfundim, ‘Helsinki’ vlerëson se vendosja automatike e të pandehurve në kafaz në sallën e gjykatës rrezikon drejtësinë e procesit.

Po Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut ç’hyn në punë këtu?

Jemi në vitin 1945 kur në Fermë ligjin e bënte ‘Derri Napoleon”.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x