23.5 C
Tirana
27 / 07 / 2024

Editorial/Pena nis të shkruajë!

Sot nis rrugën gazeta online, website apo siç thuhet rëndom, portal me emrin “Pena”, të cilin mund ta kërkoni në adresën pena.al

Ka qenë një vendim i vështirë në fakt, nisur nga një numër jashtëzakonisht i madh i tyre në një vend kaq të vogël si Shqipëria, shto këtu edhe rrjetet e ndryshme sociale, ku “çdo njeri ka gazetën e vet”.

Por mes dilemës së madhe, fitoi kjo që po shihni e lexoni sot: Pena.al.

Nuk e dimë sa do ia arrijmë, por do mundohemi të jemi ndryshe.

 Që do të thotë, me pak fjalë, të jemi TË VËRTETË.

Larg spekullimeve të çdo lloji, larg shpifjeve monstruoze, larg akuzave pa fakte, larg lajmit të rremë, larg faktit të pavërtetuar nga ne, larg fyerjeve të rëndomta për këdo, larg gjuhës së vrazhdtë.

Pena jonë do të jetë afër njerëzve me historitë e tyre, shpesh sa të thjeshta, aq dhe mahnitëse dhe sa më larg tryezave të shndritshme me pamje mondane të “udhëheqësve” tanë; afër kronikës së bardhë e me ngjyra e sa më larg kronikës së zezë; afër problemeve sociale, afër kulturës, artit, librit, sportit e sa më larg promovimit të tollovive e tallavave të çdo lloji.

Nuk kemi synim sasinë, por cilësinë.

Dhe në fund, kemi diçka shumë serioze dhe problematike: do përpiqemi në maksimum të shkruajmë pa gabime gjuhën shqipe!

Arbër Martin Leka

Drejtor i “Pena.al”

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x