Një pjesë e familjeve në bashkinë e Pustecit, kanë si të ardhur kryesore peshkimin. Kryebashkiaku Pali Kolefski, thotë se problem për peshkatarët mbetet çmimi i ulët i shitjes dhe mungesa e tregut. Ai shkon më tej kur thotë se një pjesë e tregtarëve të peshkut nuk janë të formalizuar, madje shpesh herë ata janë penalizuar për faktin se tregtojnë në vende jo të përshtatshme.
Pavarësisht faktit se tek “Markata e Shijes” është krijuar një hapësirë për ta, tregtarët refuzojnë të shesin aty, për shkak të pagesës ditore, pasi kjo sipas tyre rrit kostot. Kreu i bashkisë thotë se është në bisedime me të gjithë tregtarët e peshkut që aktiviteti i tyre të formalizohet.
Për vitin 2022 bashkia e Pustecit ka hequr tarifën e peshkimit duke u ardhur kështu në ndihmë atyre familjeve të kësaj zone që kanë peshkimin si të vetmen alternativë për sigurimin e të ardhurave. Në bashkinë e Pustecit janë 50 peshkatarë të regjistruar.
