26.5 C
Tirana
10 / 10 / 2024

Alda Klosi nuk ka deklaruar para ‘cash’ në ILDKPKI, mister 2 shtëpi

Zyrtarja e shtetit Alda Klosi, deri në 17 gusht të vitit 2022, nuk ka deklaruar në ILDKP, shumat e parave që pastruesja Rozeta Dobin i ka vjedhur në banesë. Në gusht të vitit që kaloi, zonja Klosi ka dorëzuar në ILDKP deklaratën e fundit dhe të plotë të pasurisë, si detyrim ligjor para emërimit në funksionin e drejtores së kabinetit në Ministrinë për Rindërtimin dhe Programin për Reformat, e drejtuar nga Arben Ahmetaj. Nga deklarata e siguruar nga Report Tv rezulton se zonja Klosi nuk ka deklaruar shuma parash në banesë dhe as bizhuteri. Nga ana tjetër, Alda Klosi ka denoncuar pastruesen Rozeta Dobin se i ka vjedhur 120 mijë euro dhe bizhuteri në banesë. Në një intervistë për mediat, Klosi ka pohuar se paratë janë të xhaxhait të saj dhe se i kishte deklaruar sipas ligjit.

“Lekët i kam të gjitha të deklaruara. Lekët i kisha për një rast fatkeqësie”, tha zonja Klosi.

\

Ligji për deklarimin e pasurisë, neni 4, parashikon detyrimin e zyrtarëve që janë subjekte deklaruese, siç është edhe Alda Klosi, që të deklarojnë gjendje parash në cash jashtë sistemit bankar, çdo send me vlerë mbi 300 mijë lekë, dhuratat me vlerë mbi 10 mijë lekë, shpenzime, vlerën e likuiditeteve, llogari rrjedhëse etj. Në deklaratën e fundit dhe të plotë të pasurisë Alda Klosi nuk ka deklaruar asnjë lekë cash. Por, nuk dihet nëse zyrtarja e shtetit i ka pasur paratë në banesë para apo pasi ka bërë deklarimin e fundit të pasurisë.

Ndërkaq, Alda Klosi deklaron dy apartamente që i kanë dhuruar në Shëngjin në vlerën 7.5 milionë lekë ose rreth 70 mijë USD, apartament 47 m2 në Tiranë në bashkëpronësi, apartament 72 m2 në bashkëpronësi, apartament 50 m2 dhe dy sipërfaqe truall në bashkëpronësi, si dhe një makinë të tipit Toyota RAV4, e vitit 2013, deklaruar në vlerën rreth 4 mijë euro.

Alda Klosi ka nisur deklarimin e pasurisë në vitin 2017 për shkak të pozicionit të drejtore në Ministrinë e Financave, duke deklaruar vetëm një pasuri të paluajtshme, apartament 72 m2 në Tiranë, bë bashkëpronësi, blerë për 31 mijë euro, një shumë jashtë logjikës së tregut, ndonëse 5 vite më parë. Si burim, deklaron një kredi 1.9 milionë lekë, një hua 900 mijë lekë si dhe një garanci 10 mijë euro të bashkëshortit nga dhënia me qira e një servisi makinash, pasuri kjo që nuk rezulton e deklaruar më vete. Kur ishte drejtore në Ministrinë e Financave, Alda Klosi rezulton se ka qenë edhe anëtare e Bordit të Çështjeve të Mira dhe e Bordit të Monitorimit të Marrëveshjes së Licencimit të Lotarisë Kombëtare. (shqiptarja.com)

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x