17.5 C
Tirana
14 / 03 / 2026

Mes bojkotit dhe mësimit, nis viti i ri akademik në Korçë

Mes bojkotit dhe mësimit, ka nisur viti i ri akademik në universitetin e Korçës. Ndonëse ishin përgatitur për pezullim të mësimit, studentët e vitit të parë, kanë hyrë në auditore mëngjesin e kësaj të hëne, për tu njohur me pedagogët dhe ambientet e fakulteteve. Ata shprehen se bojkoti i mësimit nga ana e pedagogëve për shkak të mos plotësimit të kërkesave të tyre nga ana e qeverisë për rritjen e pagës, do të cënonte mësimdhënien, kryesisht për studentët e viteve të para.

Pas një prezantimi me studentët e viteve të para, një pjesë e pedagogëve, kanë dalë nga auditorët dhe kanë protestuar ndaj kushteve ku punojnë dhe pagave që marrin. Alba Kreka përfaqësuese e Sindikatës së Punonjësve të Universitetit të Korçës, është shprehur se bojkoti do të vijojë deri në plotësimin e kërkesave të tyre. 

Këtë të hënë është zhvilluar ceremonia zyrtare e nisjes së vitit të ri akademik në universitetin “Fan Stiljan Noli” në Korçë, ku mes të tjerave rektori Dhimitri Bello është shprehur se realizimi i misionit të objektivave të këtij institucioni të arsimit të lartë në kuadër të procesit të integrimit në Bashkimin Europian, reflektohet në performancën e mirë që ka universiteti me programet e akredituara. 

Në këtë vit të ri akademik janë 544 studentë që do të ulen për herë të parë në auditoret e universitetit të Korçës, prej të cilëve 426 në sistemin bachelor dhe 117 në programet profesionale dy vjeçare, teksa priten të tjera regjistrime edhe në raundin e tretë. Në total në universitetitn e Korçës janë 2900 studentë për këtë vit akademik.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x