Sali Berisha ka sfiduar Prokurorinë e Posaçme Antikorrupsion, ku e ka ftuar që të shqyrtojë të gjitha vendimet e marra nga ai që nga 1991 deri më sot.
Në një konferencë të përbashkët me gazetarët, Berisha ironizoi SPAK-un, duke e quajtur SKAP-i i partisë sa i takon çështjes për privatizimin e ish-kompleksit Partizani.
“E ftoj SKAP-in e partisë që të shqyrtojë çdo vendim të Sali Berishës nga viti 1991 deri gjer më sot. Ju garantoj se në çdo vendim do gjejnë vetëm ligjin. Ata që pretendojnë se SKAP-it po i bëhet presion nga të dyja anët, SKAP-it nuk po i bëhet asnjë presion nga PD. Përkundrazi, PD ka kontribuar shumë me dokumente, fakte, dhe do i paraqesë publikisht. SKAP-i është shndërruar dhe është krijuar si një organizatë, repart i PS-së.
Mund të jap një shembull: Edi Rama dhe Engjëll Agaçi i dërgojnë SKAP-it një dekret të mëkëmbësit të mbretit Jakoman.
I thonë se ky dekret dëshmon se trojet e rikthyera disa familjeve tiranase janë shpronësuar me këtë dekret.
Çfarë tregon dekreti? Ka emrat e shtatë familjeve, asnjëra nuk i përket kompleksit të klubit Partizani.
Çdo prokurori serioze në botë, merr vetëm një vendim: hap çështje penale ndaj atij që bën padi të rreme. Këtë e parashikon Kodi Penal dhe Procedura Penale e çdo vendi.
SKAP-i i partisë, në vend që të marrë në hetim, Taulant Sharrën, SKAP-i bën sikur nuk disponon këtë falsitet madhor. Ky nuk është presion, ky është një turp. Sa herë të më thërrasin, unë nuk njoh asnjë formë parashkrimi. Unë nuk kam firmosur fap e fap, unë kam firmosur duke pasur ligjet dhe Kushtetutën përpara.”, tha Berisha.
Kujtojmë se Sali Berisha dhe ish-ministrat e tij janë thirrur nga SPAK për privatizimin e ish-kompleksit Partizani, ku përfitues është edhe dhëndri i tij.