36.6 C
Tirana
14 / 08 / 2026

Zbulim befasues në Belgjikë, gjenden të murosura në godinën e vjetër shufra ari me vlerë 9 milionë euro!

Një zbulim i jashtëzakonshëm është bërë gjatë punimeve të rinovimit në një ndërtesë në Saint-Gilles-lez-Termonde, në Flandrën Lindore të Belgjikës, ku punëtorët kanë gjetur një sasi të madhe ari të fshehur në një mur.

Ngjarja ndodhi të hënën, më 10 gusht, kur punëtorët po punonin në bodrumin e godinës dhe po instalonin tuba. Gjatë punimeve, ata zbuluan një kuti të fshehur brenda murit. Kur e hapën, mbetën të habitur nga ajo që gjetën brenda saj: copëza ari, monedha dhe shufra ari të shënuara me numra.

Sipas një vlerësimi fillestar të publikuar nga media belge HLN, vlera e përgjithshme e arit mund të arrijë në rreth 9 milionë euro.

“Gjatë punës, punëtorët po instalonin tuba. Atëherë ata bënë këtë zbulim të mahnitshëm”, tha Geert Hillaert nga CAW East Flanders, organizata e mirëqenies sociale që zotëron ndërtesën.

Godina aktualisht po i nënshtrohet një rinovimi të plotë, me qëllim krijimin e studiove dhe zyrave të reja.

Pas zbulimit, kontraktori njoftoi menjëherë pronarin e pronës dhe më pas policinë, në përputhje me procedurat që ndiqen në raste të tilla.

Kreu i policisë lokale, Patrick Face, konfirmoi se në ndërtesë ishte gjetur vërtet një sasi e konsiderueshme ari.

Tani autoritetet belge përballen me një detyrë të vështirë: të zbulojnë se kujt i përket thesari dhe si ka përfunduar i fshehur brenda murit.

Hetimi i parë do të përqendrohet në mundësinë që ari të jetë i lidhur me ndonjë aktivitet kriminal të së kaluarës. Nëse kjo pistë përjashtohet, autoritetet do të përpiqen të identifikojnë pronarin ligjor ose trashëgimtarët e tij.

Sipas Hillaert, procesi mund të zgjasë edhe disa vite, pasi duhet të përcaktohet origjina e arit dhe pronësia mbi të.

Nëse vërtetohet se thesari nuk ka lidhje me aktivitet kriminal dhe nuk gjendet pronari ligjor, atëherë do të lindë edhe një tjetër pyetje: kush ka të drejtë mbi arin me vlerë miliona euro?

Për momentin, as CAW East Flanders, si pronare e godinës, dhe as kompania apo punëtorët që bënë zbulimin nuk e dinë nëse mund të përfitojnë një pjesë të vlerës së arit apo ndonjë shpërblim për gjetjen.

Ndërkohë, thesari është dorëzuar te një organ kompetent në Bruksel, ku po mbahet nën masa të rrepta sigurie, ndërsa autoritetet vijojnë hetimet për të zbardhur historinë e arit dhe pronarin e tij.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x