17.4 C
Tirana
19 / 10 / 2026

UNË KAM QENË I VARFËR, POR JO “ME KAPUÇ”

– Varfëria nuk është “trampolinë” e zjarrit dhe dhunës –

Nga Shefqet Meko, Minneapolis

Kam qenë i varfër. Më i varfër se ju që e filloni mëngjesin me kapuçino dhe pije të huaja. Unë kurrë nuk e kam nisur jetën kështu. As prindërit tuaj. Ju nuk jeni studentë që doni dritën, sado që keni të drejtë të urreni qeverinë dhe kreun e saj. Edhe në Amerikë, gati gjysma e saj e urren administratën aktuale, por nuk është çmendur si shqiptarët me “kapuça të zinj”…

Kam qenë i varfër. E kam nisur ditën pa mëngjes ose me “bukë e hirrë”. Kam pasur pantallona të arnuara dhe “opinga llastiku”. Kam qenë tmerrësisht i varfër, por brenda meje kanë vluar shpresa dhe dëshira për dritë dhe dituri. Kurrë nuk kam menduar se “me zjarr e dhunë” dal nga varfëria. Kam besuar se duke mësuar, duke studiuar, duke ngrënë në mëngjes si student “çaj dhe djathë bebe”, filloja ditën. Kur drita fikej, unë ndizja qiri. Lexoja. Kurrë nuk më shkoi në mendje se duhej “zjarr” që të lexoja për provimin e Biologjisë me të famshmin Robert Papajani.

Unë isha i varfër. Nuk kisha lekë të paguaja bursën dhe hanim “dy veta një latë”. A i keni provuar latat? Ju nuk jeni studentë si brezi im. Ju jeni të përkëdhelur. Ju nuk keni fantazi dhe ëndrra si brezi im. Ju keni “helmin” e politikës helmuese. Ndaj shkatërroni. Ndizni zjarre. Suleni si të tërbuar.

Studentë ishin ata të vitit 1990. Ata nuk thyen asgjë dhe mposhtën një diktaturë. Ata nuk ndezën zjarre dhe fituan, edhe pse fitoren ua vodhi një ish-komunist. Unë i kam rrëfyer të gjitha këto në romanin tim “Rënia”…

Unë kam qenë i varfër, por nuk kam veshur kurrë “kapuç të zi”. Kam rrëfyer fytyrën time përballë secilit njeri, edhe përballë qeverisë komuniste. Unë isha ndryshe nga ju. Edhe prindërit tuaj nuk janë si ju. Kujt i keni ngjarë? Kush ju paguan? Kush ju “ka droguar”?

Edhe prindërit tuaj kanë qenë të varfër, por nuk na shkoi kurrë në mendje ta ndiznim Tiranën. Ju nuk keni ëndrra, ju jeni thjesht të përdorur. Të përdorur siç përdori Sali Berisha “Pishtarët e Demokracisë”.

Unë kam qenë i varfër. Por nuk iu sula kurrë Komitetit Ekzekutiv. As Komitetit Qendror, edhe pse isha plot urrejtje si ju. Studenti mban fjalime që tundin botën. Ju nuk dini të përdorni “bombën” e fjalës dhe përdorni “bombat” që ju dhurohen.

Unë kam qenë i varfër, por nuk jam më. E dini pse? Sepse nuk jam si ju. Kam pasur brenda meje ide, shpresë, fantazi për ta ndryshuar jetën time. Dhe e kam ndryshuar. Ju nuk do të keni kurrë fatin tim, sepse ju urreni. Ju fshihni fytyrën tuaj. Ju jeni thjesht “mish për top” në errësirën e mendimit tuaj.

Unë nuk jam patronazhist. As ramist apo berishist. Unë jam shqiptar që rrëfej fytyrën time dhe punën time. Po ju, çfarë rrëfeni? Zjarrin? Gurët? Flakët? Dhunën? “Trimërinë” me policët që janë më të varfër se ju? Ndalni dhunën. Uluni dhe shkruani një program. Tregoni se si Shqipëria bëhet më e mirë. Flakët dhe dhuna nuk e bëjnë kurrë më të mirë.

Unë kam qenë i varfër në ato që doja, por shpirtin e kisha plot ëndrra. Edhe kur ishte Enver Hoxha, unë ëndërroja. Po ju, a keni ëndrra? A keni ëndërruar si baballarët tuaj?

Unë isha i varfër, por nuk jam më. Jo se jam në Amerikë, por sepse kam punuar gjithmonë të arrij ëndrrën që “flinte” tek unë. Po ju, a shihni ëndrra apo bëni “qejf gjithë natën”?

Ndalni dhunën. Dhuna nuk rrëzon qeveri. Krijon kaos. Zjarret tuaja nuk ndriçojnë. Sjellin terr dhe ferr. Tirana e bukur e të gjithëve është kthyer në “bunker kaosi”. Unë nuk jam zëdhënës qeverie. Qeveria dhe Rama të “shkojnë në të sëmës”, siç themi fshatarçe, por ju që kërkoni të digjni çdo gjë nuk jeni studentë dhe nuk mund të jeni kurrë e ardhmja shqiptare. Ju jeni “Revoltë e blerë”. Ulni nervat. Mendoni një çast. Do të shihni gurët dhe hirin nën këmbët tuaja. Nesër ju duhet t’i pastroni monstruozitetet që keni krijuar në atë Tiranë të bukur.

Ulni nervat. Organizohuni që t’ju njohim se sa “tru keni” me fjalë, jo me “fishekzjarre” dhe maska në fytyrë.

Nuk besoj se jeni studentë. Sa dhimbje. Sa trishtim ka shkaktuar dhuna juaj. Dhe mos harroni. Kjo dhunë juaja ndaj ndërtesave qeveritare, ndaj institucioneve, ndaj Tiranës së bukur, është “vula” e egërsisë suaj, jo shpresa dhe e ardhmja. Ju do të mbeteni “delja e zezë” mes Tiranës për egërsinë që tregoni. Ju përsëri e futët Shqipërinë në tym e flakë për “kolltukun e Ramës”. Sa e dhimbshme.

Unë kam qenë i varfër. Nuk jam më. Por as zjarri, as urrejtja, as klithma nuk kanë qenë frymëzimi im. Frymëzimi im ka qenë fjala, që ju nuk e artikuloni dot. Ju jeni “urrejtje e blerë” dhe nuk e dini se kur të zgjoheni, do të kuptoni se jeni “tradhtuar sërish”.

Ulni nervat. Qetësohuni. Me këtë egërsi të pashoqe ndaj Tiranës, ndërtesave dhe bizneseve të saj, nuk do të harroheni kurrë për “të zezën” që demonstroni. Nuk është kjo rruga. Fjala duhet të ndriçojë, jo zjarret tuaja, por ju nuk dini të flisni. Ju nuk jeni studentë. Ju jeni të përdorur. Kaq thjesht.

Unë kam qenë i varfër. Isha. Nuk kisha. Por “thesi” i ëndrrave mbeti plot. Po ju, a keni ndonjë “torbë” me ëndrra? A mund t’ia tregoni Tiranës dhe Shqipërisë? A keni ëndrra dhe ide? Rrëfejini jo duke “vjellë”, por duke folur shqip. A dini shqip ju që po mbuloni në tym e zjarr Tiranën e dashurive tona?

Unë kam qenë i varfër. U “arratisa” prej saj jo duke djegur. Jo duke hedhur gurë kundër policisë që bën detyrën e saj kushtetuese, por duke ëndërruar. Kam frikë se ju jeni “robotë” pa ëndrra dhe shpirt. Qofsha i gabuar. Por nuk kam frikë të jem kundër dhunës suaj të pashpjegueshme. Nëse vini në pushtet, ju lutem, shënoni emrin tim “non grata” në Shqipëri. Unë nuk do të vij, sikurse edhe ju nuk mund të jeni kurrë e ardhmja e atij vendi nga ku unë ika. Dhe bëra mirë, por prapë më vjen keq.

Ulni nervat. Shqipëria meriton paqe. Paqe dhe vetëm paqe. Të gjithë do të vdesim, por do të kemi “turp” t’ia rrëfejmë varrit këtë që shohim sot në Tiranë.

Ulni nervat. Hiqni kapuçat. Përdorni shqipen si “bombë” që vret diktatorë.

Ulni nervat. Mos sulmoni muret. Muret nuk flasin.

Unë kam qenë i varfër, por jo “me kapuç”.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x