James Dean dhe Anna Maria Pierangeli u takuan për herë të parë në vitin 1954 në Warner Bros Studios. Dean – një djalë i pashëm, i zymtë dhe paksa i çuditshëm, 23 vjeç në atë kohë – konsiderohej tashmë një yll për t’u ndjekur.
Pierangeli, e lindur në Cagliari të Italisë, ishte një vit më e re se Dean, por edhe ajo ishte një yll në ngritje. Në Hollywood, ku njihej thjesht si Pier Angeli, ajo u shfaq në shumë filma. Megjithatë, ishte gjatë prodhimit të filmit epik të Warner “The Silver Chalice”, me Paul Newman – në maj të vitit 1954 që Pierangeli u takua për herë të parë me James Dean. Pasi Newman i prezantoi ata, shkëndijat u ndezën menjëherë. Paparacët shpejt filluan të ndiqnin Deanin dhe Pierangelin në restorantet në Santa Monika ku ata darkonin pas pune. Ai e quante “Annarella” – një kryqëzim midis Annës dhe Sinderella. Kjo shënoi marrëdhënien e parë serioze të James Dean pas shumë aferave të shkurtra dhe shumë thashethemeve rreth seksualitetit të tij.
(Thashethemet në Hollywood kishin qenë se ai ishte homoseksual ose biseksual – ai e kishte deklaruar veten si të tillë për të shmangur shërbimin ushtarak). Por kishin një kundërshtar të madh të lidhjesë tyre. Nënën e saj, Enrica që nuk u impresionua kurrë nga sharmi i James Dean.
Pierangeli dhe Dean vazhduan të takoheshin fshehurazi deri në nëntor 1954, kur – vetëm gjashtë muaj pas fillimit të lidhjes së tyre, ai i kërkoi asaj të martohej. Ajo instinktivisht tha po.
Por dy ditë më vonë, pasi ia dha lajmin nënës së saj, Pierangeli u kthye te Dean jo vetëm për të mos pranuar propozimin e tij, por edhe për të njoftuar se nuk duhej të shiheshin më kurrë. Deri në fund të atij muaji, ajo do t’i surprizonte të gjithë duke u martuar me këngëtarin Vic Damone – një italo-amerikan dhe katolik.
Pa dyshim, Dean u shkatërrua. Ai do të kishte edhe afera të tjera të shkurtra, përfshirë një me Ursula Andress. Por më 30 shtator 1955, shtatë muaj pas ndarjes së tij me Pierangeli-n, Dean vdiq në Cholame, Kaliforni, nga lëndimet e pësuara gjatë një aksidenti që përfshinte Porsche 550 Spyder-in e tij. Ai ishte 24 vjeç. Sipas legjendës, në makinën e tij të shkatërruar ishte një letër e re në të cilën ai i kërkonte përsëri Pierangeli-t të martohej me të.
Jeta e Pierangeli-t u kthye përmbys. Në gusht 1955 ajo lindi fëmijën e saj të parë, por katër vjet më vonë ajo u nda nga burri i saj dhe nisi një betejë të gjatë ligjore për kujdestarinë (të cilën përfundimisht e humbi). Pasi jetoi në Romë për një kohë, ajo u martua me kompozitorin dhe dirigjentin e orkestrës Armando Trovajoli në Londër më 14 shkurt 1962. Vitin pasardhës, çifti pati një djalë, Howard Andrea, por edhe kjo martesë e dytë përfundoi në divorc. Pas dështimeve të mëtejshme romantike, mosmarrëveshjeve të ashpra me autoritetet tatimore italiane dhe vështirësive financiare në përkeqësim, Pierangeli ra në një depresion të rëndë dhe u shtrua në një klinikë psikiatrike. Më 10 shtator 1971, ajo u gjet e vdekur në shtëpinë e saj në Beverly Hills nga një mbidozë aksidentale me qetësues. Ajo ishte vetëm 39 vjeç. Motra e Pierangelit e varrosi në periferi të Parisit.
“Nuk mendoj se ndonjë burrë mund të më shpëtojë tani,” i kishte shkruar Pierangeli në një letër një miku dy muaj më parë. “Mendoj se mund të jetë tepër vonë. Mendoj se isha e destinuar të jetoja dhe të vdisja vetëm. Dashuria është larg, diku thellë brenda meje. Dashuria ime vdiq në timonin e një Porsche.”
Përgatiti: J. Kris/
- “Dashuria ime vdiq në timonin e një Porsche” - 01/08/2025
- “Po punoj si deputet i Tiranës”/ Rama paralajmëron rregullore të re për ndërtuesit: Banorët mos të ndjejnë asnjë zhurmë, masa drastike! - 01/08/2025
- “Tirana nuk është Teheran”/ Rama për aksionin e lirimit të hapësirave publike: Do hiqen të gjitha, ka nga ata që s’marrin vesh, por… - 01/08/2025