Bazuar në një studim, janë 5 fusha të propozuara specifike në STEM, të cilat aktualisht propozohen për tu vijuar studimet, si: Data Science, Internet of things, Inxhinieria mjedisore, Urbanizimi dhe Cyber Security. Duke qënë se këto fusha janë të kërkuara në tregun e punës, janë edhe të mirëpaguara, do të shërbejnë si stimuluese për të studimet në përgjithësi, por vajzave në vecanti, në fushat e STEM.
Nga Shkodra e saj e dashur në Tiranën e mundësive, Teuta Xhindi ka frymëzuar gjenerata studentësh si në sistemin parauniversitar, ashtu edhe në atë universitar. Me një dashuri dhe pasion të madh për numrat dhe me vizionin për t’i parë ato të përkthyera në fusha të tjera të dijes, Teuta na rrëfen celësin e suksesit për të vazhduar karriera në STEM.
Ju keni filluar rrugëtimin tuaj në STEM në Matematikë si mësuese e matematikës në Shkodër,ku fillimisht keni dhënë mësim në gjimnazin ‘’28 Nëntori” dhe më pas në “Pjetër Mëshkalla”. Unë doja të pyesja cfarë ka kaq të vecantë Shkodra dhe në vecanti shkolla “28 Nëntori”, që ka nxjerrë një rradhë të gjatë shkencëtarësh? Mund të permendim këtu profesoreshë Mimoza Hafizin apo edhe të tjerë.
Në fakt gjimnazi “28 Nëntori” është ikonë dhe emblemë e edukimit dhe arsimit, jo vetëm në Shkodër por në mbarë Shqipërinë. Si dhe shkolla “Atë Pjetër Mëshkalla”, pasuese e kolegjit saverian, të formuar nga Urdhëri Jezuit që në vitin 1877, në të cilën kanë studiuar njerëz të shquar që kanë dhënë një kontribut të rëndësishëm në kombin shqipëtar, si Martin Camaj, Ernest Koliqi, Luigj Gurakuqi, Arshi Pipa etj. Kam qënë me fat të them të drejtën, që kam qënë pjesë e ketyre dy institucioneve, të cilët kanë nxjerrë një brez shumë të mirë profesionistësh, jo vetëm në fushën e shkencës, por edhe në mjekësi, inxhinieri, në ekonomi etj. E kujtoj me shumë dashuri këtë pjesë të rrugëtimit tim në fushën e matematikës, sepse ai brez studentësh ka shërbyer si nxitje dhe frymëzim në gjithë rrugëtimin tim në këtë fushë.
15 vite janë një rrugëtim goxha i gjatë. Cilat janë kujtimet që ju keni vecuar në këtë rrugëtim dhe a keni ndonjë këshillë për mësuesit e sotëm të matematikës, të shkencës, teknologjisë apo inxhinierisë në shkollat e mesme? Cfarë mund të bëjnë ata për studentët e tyre më shumë?
Kujtoj me shumë dashuri studentët, të cilët e donin matematikën, kërkonin gjëra më të vështira sesa kishte teksti dhe ti duhet të punoje të gjeje ushtrime jashtë tekstit, më të vështira. Të mendoje pyetje për këta studentë, që të ishin më të vështira dhe kam pasur një performancë shumë të mirë si në olimpiada matematike, si në olimpiada të ndryshme. Kështu që ka shërbyer shumë në nxitjen time, në formimin tim, në pasurimin e formimit tim këto vite të punës në Shkodër. Ajo që unë do këshilloja për mësuesit është që ta bëjnë punën me shumë dashuri, që të shërbejnë jo thjesht si transmetues të dijes, por të jenë edhe frymëzim për studentët. Një mësues i mirë, që të transmeton informacionin me pasion e dashuri, shërben si burim frymëzimi për të gjithë nxenësit.
Po për institucionet që janë në ngarkim për arsimin parauniversitar? Cfarë mund të bëjnë më mirë këto institucionë që ne të kemi një arsim parauniversitar, i cili u jep njohuri në STEM nxënësve, të cilët i fuqizon, i frymëzon dhe njëkohësisht mbështet mësuesit që të bëjnë punën e tyre, të jenë frymëzues e të jenë kreativ në përditshmëri?
Në gjykimin tim për institucionet të cilat janë përgjegjëse për arsimin, unë propozoj dhe mendoj që duhet të jenë politika mbështetëse, favorizuese. Kur them politika mbështetëse, kam parasysh mbështetjen nga ana financiare, në mënyrë që të nxiten studentët, të gjithë në përgjithësi, por vajzat në vecanti, për të vazhduar studimin e tyre në fushat e STEM. Sepse pa këto politikat nxitëse, unë mendoj se fjalët nuk kanë edhe aq shumë vlerë. Nuk mjafton vetëm ti thuash ‘vazhdo matematikë, sepse është një degë e mire, me perspektivë etj etj por por duhet faktikisht që ato ta ndiejnë këtë mbështetje dhe ku më mirë se incentivat ekonomike ose vendet e punës do të shërbejnë si nxitje për të vijuar më tej në këto fusha.
Pas një shkëputje prej 5 vitesh, ku ju keni punuar pranë Dhomës së Tregëtisë apo në Parlamentin e Shqipërisë, ju u rikthyet në auditoret e Universitetit. Prej vitit 2008 punuat si profesore e Statistikës dhe Ekonometrisë pranë Universitetit Europian të Tiranës dhe prej 2018 keni marr drejtimin e Departamentit të Informatikës dhe Teknologjisë pranë Universitetit Mesdhetar të Tiranës. Pse ky rikthim në Akademi?
E vlerësova pozitivisht në atë kohë ftesën që m’u bë për të qënë pjesë e Kuvendit të Shqipërisë. E pranova për një eksperiencë ndryshe, e pranova si sfidë ndaj vetes për të provuar veten në një terren tjetër. Sigurisht, puna në një institucion të tillë si Kuvendi i Shqipërisë, organi më i lartë legjislativ ishte ndjellës për të parë se si funksionon administrata, pra për ta pasuruar eksperiencën time dhe më pas Dhomën e Tregëtisë dhe Industrisë Tiranë. E quaj me shumë vlerë të them të drejtën, sepse aty e sheh nga afër se si funksionon biznesi, cilat janë problematikat e tij. Kujtojmë që në ato vite nuk ka qënë e lehtë komunikimi i biznesit dhe gjetja e partnerëve në fusha ndërkombëtare dhe Dhoma e Tregëtisë ishte si një pikë ndërlidhëse midis biznesit vendas dhe kompanive të huaja; me organizimin e forumeve të biznesit, me organizimin e takimeve të ndryshme. Kështuqë e quaj me shumë vlerë këtë eksperiencë. Për tu rikthyer edhe një herë në pasionin e parë, në dashurinë e parë, në mësimdhënie edhe një herë por tashmë në universitet. Në Universitetin European fillimisht si pedagoge dhe më pas në pozicion administrative si drejtuese e Departamentit të Informatikës dhe tashmë po si drejtuese e Departamentit të Informatikës dhe formimit Shkencor në Universitetin Mesdhetar.
Ju keni një karrierë të gjatë akademike dhe natyrshëm lind pyetja: Keni parë breza të ndryshëm studentësh të hyjnë në Universitet, të vijojnë studimet, të diplomohen. Si do t’i vlerësonit ju brezat e rinj të studentëve në STEM dhe cfarë do të thoshit për të motivuar më shumë vajzat, që të jenë pjesë e fushave të studimit në STEM, po mbi të gjitha dhe pjesë e karrierave në vijim në STEM?
Në fakt në eksperiencën time kam kaluar disa breza studentësh. Nëse do ti referohem disa të dhënave, sepse unë jam statistikë dhe nuk shpëtoj dot pa të dhënat. Sipas të dhënave të INSTAT, në vitin akademik 2021-2022, nje e katërta e numrit të studentëve, përfshij vajzat këtu, ndjekin Biznes Administrim dhe Ligj. Pra, këtu është përqëndruar numri më i madh i studentëve në përgjithëse, por dhe vajzave. Ndjek këtë trend. Ky trend është edhe në Europë. Nëse i referohemi të dhënave të EUROSTAT, këtu është edhe numri më i madh i studentëve, që vazhdojnë studimet në Biznes Administrim dhe Ligj. Ndërsa referuar numrit të studentëve në fushat e STEM, për dy vitet akademike 2020-2021 dhe 2021-2022, ka në Inxhinieri Prodhim dhe Ndërtim një rritje me 9.8% të numrit të studentëve, por këtu numri më i madh i studentëve është djem. Ndërsa po qe se i referohemi shkencave natyrore Matematikë dhe Statistikë, në vitin e fundit akademik ka rënie të numrit të studentëve. Këtu numri më i madh është vajza, por ka rënie në masën 7.5%. Ndërsa në fushën Teknologji Informacioni dhe Komunikimi, ka një rritje nga ’20-’21 dhe ’21-’22, me 1.4% dhe këtu numri më i lartë i studentëve është djem, krahasuar me vajzat. Në përgjithësi në fushat e STEM nuk jemi keq për sa i përket numrit të vajzave. Rreth 55% e numrit në STEM janë vajza. Idea është që ajo cfarë ne duhet të këmbëngulim është bërja e një karriere në fushat e STEM, sepse rezulton që pas mbarimit të studimeve, sidomos vajzat, e ndërpresin karrierën në STEM. Ajo ku duhet punuar më shumë është pikërisht frymëzimi, nxitja, për të vazhduar një karrierë në fushat e STEM. Unë me një kolegen time kemi bërë një studim përsa i përket realiteti shqiptar, duke u bazuar në të dhënat e INSTAT, për të parë cfarë lidhje ekziston midis vajzave që studiojnë në fushat e STEM dhe indeksit të pabarazisë gjinore, për të provuar atë që njihet sot si Educational Gender Equality Paradox, një studim i vitit 2018. Na ka rezultuar një lidhje korelative e rëndësishme midis numrit të vajzave në STEM dhe indeksit të pabarazisë gjinore. Unë nuk them se kjo është lidhje shkak-pasojë, por rezulton një lidhje e tillë. Ndoshta vajzat vazhdojnë studimet në fushat e STEM, për tu afirmuar, për të pasur një punë të sigurtë, por kjo kërkon studime të mëtejshme për të parë cilat janë arsyet. Ajo në cfarë duhet punuar edhe më shumë është të kontribuojmë, që jo vetëm të studiojmë, po edhe të vazhdojmë për të pasur një karrierë në këto fusha.
Kalojmë pak nga numrat në një realitet tjetër, por që gjithsesi janë të lidhur më njeri-tjetrin. Në një nga episodet e STEMspresso kem ipasur edhe profesoreshë Fioralba Cakoni, që ju e njihni, e cila na tha se shkenca bëhet në Universitete. Profesoreshë Fioralba vjen nga Rutgers University në USA, ku investohet në shkencë dhe kryhet kërkim shkencor. A është e vërtetë kjo për Shqipërinë dhe cfarë përvoje mund të na sillni ju si drejtuese e një departamenti në Universitet, por bazuar edhe në eksperiencën e mëparëshme?
Është e vërtetë që në universitete ka pedagog dhe kërkues të cilët japin kontribut në fushën e shkencës nëpërmjet punimeve shkencore, artikujve shkencor, pjesëmarrjes në konferenca shkencore, punimeve doktorale, të cilat në gjykimin tim janë kërkim i mirëfilltë shkencor. Por nga ana tjetër, në gjykimin tim nuk është vetëm universiteti. Nëse i referohemi kohëve të fundit, situatës pandemike, janë kompanitë Pfizer dhe BioNTech, të cilët nxorrën vaksinën për Covid-19. Pra ,nuk është vetëm universiteti por janë edhe aktorë të tjerë të cilët kontribojnë në fushën e shkencës. Në opinionin tim, mendoj se duhet një ndërthurje, një bashkëpunim i gjithë aktorëve. Ne tani e dimë se ekziston quadrupole model, që do të thotë se kemi bashkëpunim midis aktorëve që është qeveria, vendimarrësit, shoqëria civile, universitetet dhe biznesi. Një bashkëpunim i mirë i gjithë këtyre aktorëve përbën atë që unë do ta quaj fuqi dhe do japë një kontribut të rëndësishëm në fushën e shkencës. Një aktor i vetëm sigurisht që është i rëndësishëm, por një bashëpunim do të jepte kontribut më të rëndësishëm në fushën e shkencës.
Vetëm një pyetje të shkurtër në lidhje me këtë: Mendoni se ka lidership dhe proaktivitet nga universitetet shqiptare në lidhje me këtë, për të bashkëpunuar me aktorë të tjerë?
Ajo cfarë ka rezultuar nga një studim është që marrdhëniet ndërtohen mbi baza personale. Pra, nuk ka një strukturim, nuk ka një politikë të menduar për të pasur një produkt final, por më shumë lidhjet bazohen në marrëdhëniet personale. Pa neglizhuar marrëdhëniet personale, të cilat kanë vendin e tyre, do sugjeroja një politikë të strukturuar dhe të mirëmenduar për të pasur rezultate më të mira në fushën e shkencës. i tillë është psh projekti USIA , i iniciuar nga Universiteti Mesdhetar i Tiranës, ku Scidev është partner dhe që ka në qendër lidhjen e marrëdhënieve midis shoqërisë dhe kërkimit.Për këdo që është i interesuar, mund të gjej informacione për USIA-n në faqen e SCIDEV, ashtu edhe në faqen e Universitetit Mesdhetar të Tiranës.
Duke investiguar për ju, dhe duke ju njohur nga bashkëpunime që kemi pasur të mëparëshme, ju jeni mbështetëse e gjithë vajzave të reja apo grave që arrijnë rezultate në STEM, diplomohen diku apo kanë suksese profesionale. Në gjykimin tuaj, sa i rëndësishëm është rrjetëzimi dhe mbështetja e njëra-tjetrës në këtë rrugë sa të bukur po aq edhe të vështirë, sic është shkenca, teknologjia, inxhinieria dhe matematika?
Me këtë rast unë doja të falenderoja SCIDEV, sepse shpesh herë është bërë iniciatore për organizimin e aktiviteteve për mbështetjen e grave dhe vajzave në fushat e STEM, dhe ka qënë kënaqësi bashkëpunimi me SCIDEV në këtë fushë. Ajo cfarë unë mendoj është që rrjeti, bashkëpunimi i grave dhe vajzave të shërbejë si nxitje, si promotor për vajzat që vazhdojnë fushat e STEM, sepse diskutimi i temave të përbashkëta, diskutimi i temave kryesore të ditës promovimi i punës së grave dhe vajzave, nxjerrja e modeleve të suksesshme në fushat e STEM mendoj dhe besoj se janë elemente shumë të rëndësishme që shërbejnë si nxitje. Rrisin vizibilitetin, diskutimet, të cilat do të shërbejnë si nxitje në vazhdimin e studimit në fushat e STEM.
Kjo seri podcastesh na ka bërë që të mësojmë shumë mbi të ftuarat tona, mbi rrugëtimin e tyre profesional, akademik, karrierën, por jemi shumë kurioz edhe për pjesën personale. Ndonjëherë krijohet përshtypja që ka një papajtueshmëri mes shkencës dhe aktiviteteve jashtë shkencës, nëse mund ti quajmë kështu. Mund të na jepni ju disa informacione mbi familjen tuaj, cfarë bën Teuta pas pune, cilat janë pasionet tuaja që ju i ndiqni jashtë akademisë dhe auditoreve?
Do të thoja që pas punës ka përsëri punë. Punë që lidhet prapë me karrierën time: punimi ose leximi i temave të rejave të fundit në fushën time të studimit. Edhe leximi i punimeve dhe librave jashtë fushës sime. Sigurisht një kohë ma zë edhe takimi me miqtë, me të cilët mbajmë lidhje në vazhdimësi. Ndjekja e aktiviteteve të ndryshme, jo aq shumë por përpiqëm të ndjek edhe aktivitete të ndryshme. Dhe sigurisht edhe një pjesë të kohës edhe familja. Une kam një djalë, Kevinin, sigurisht tani ai është i rritur, por ai ka pasur angazhimin tim, e cila ka shërbyer si për edukimin e tij, ashtu edhe për të krijuar një marrdhënie shumë të mirë midis nesh. Kevini ka mbaruar studimet, tani është në punë jashtë Shqipërisë. Po përpiqet të gjejë veten dhe të ndërtojë dhe ai karrierën e vet.
Si pyetje të fundit në këtë bashkëbisedim tonin, do doja t’ju pyesja nëse ju do të krijonit një program hap pas hapi ‘’Si të rritet përfaqësimi në STEM në Shqipëri’’, cfarë do të ishin dy-tre gjëra primare që mund të bëheshin dhe cilat mund të shtyjnë përpara arritjen e përfaqësimit të grave në STEM?
Nëse i referohemi stadit aktual të zhvillimit, jo vetëm në Shqipëri por dhe më gjerë, dixhitalizimi është kryefjala. Pra, dixhitalizimi i veprimeve, si në fushën e biznesit, në fushën financiare, në mjekësi, në edukim. Nxitur nga kjo ka një kërkesë të biznesit dhe të tregut të punës për fushën e teknologjisë, por edhe për fusha të tjera “machine learning”, “internet of things” etj. Duke qënë se ka një kërkesë të tillë në tregun e punës, të cilat janë edhe të mirëpaguara, kush më mirë se këto dy elemente shërbejnë si nxitje për të vijuar fushat e STEM? Bazuar në një studim, janë 5 fusha të propozuara specifike në STEM, të cilat aktualisht propozohen për tu vijuar studimet, si: Data Science, Internet of things, Inxhinieria mjedisore, Urbanizimi dhe Cyber Security. Duke qënë se këto fusha janë të kërkuara në tregun e punës, janë edhe të mirëpaguara, do të shërbejnë si stimuluese për të studimet në përgjithësi, por vajzave në vecanti, në fushat e STEM.
Podcastin e plotë me Teuta Xhindin mund ta ndiqni duke klikuar ketu.