Efektivi i RENEA-s, Altin Morina i cili u arrestua me 113 mijë euro në makinë është liruar nga Gjykata e Tiranës. Morina u la me detyrim paraqitjeje pasi paraqiti në gjykatë faturën që tregonte se biznesmeni kishte marrë para nga banka për t’ia dhënë borxh.
Më 14 Mars, efektivi i RENEA-s Altin Morina u arrestua në zonën e Kodrës së Diellit teksa po lëvizte me automjetin tip ‘Audi’, brenda së cilës kishte shumën e parave dhe 4 celularë që u sekuestruan në cilësinë e provës.
Para trupit gjykues ku iu caktua masa e sigurisë ‘arrest me burg’, deklaroi se paratë ia mori një biznesmeni 20 minuta para arrestit për problemet e tij personale. Në seancën gjyqësore, Morina tregoi edhe emrin e biznesmenit të ndërtimit duke shtuar se ka dokumentacionin por nuk e dorëzon pasi e ka në dorë prokuroria për t’i vërtetuar. Efektivi i RENEA-s theksoi se është i gatshëm për bashkëpunim me drejtësinë.
Celularët e sekuestruar do e zbulonin nëse është i përfshirë në trafikun e drogës me grupet kriminale në Tiranë, Shkodër dhe Elbasan. Policia kishte dyshime të forta se ka lidhje edhe me grupin e të shumëkërkuarit Ervis Martinajt./ shqiptarja.com