Aktori dhe regjisori i njohur shqiptar, Gjergj Mena, është ndarë nga jeta në moshën 41-vjeçare. Lajmi i trishtë është bërë publik përmes një njoftimi në faqen e Instagramit “Eja në Teatër”, ku kolegët dhe bashkëpunëtorët kanë shprehur dhimbjen për humbjen e parakohshme të artistit.
Sipas informacioneve paraprake, Mena prej disa kohësh vuante nga një sëmundje e rëndë.
Gjergj Mena ka lënë gjurmë të rëndësishme në jetën teatrore. Gjatë kësaj periudhe, ai kontribuoi në afrimin e qindra të rinjve me artin skenik, duke i nxitur të zbulonin dhe të zhvillonin pasionin për teatrin.
Në mesazhin e publikuar, “Eja në Teatër” e cilëson largimin e Menës si një humbje të madhe për komunitetin artistik, duke theksuar se ai kishte ende shumë për të dhënë në skenën shqiptare.
“Me dhimbje të thellë morëm lajmin për ndarjen e parakohshme nga jeta të aktorit dhe regjisorit Gjergj Mena.
Për shtatë vite me radhë, ai drejtoi me dashuri e përkushtim festivalin teatror për të rinj “TK RIN ART”. Përmes punës së tij, qindra të rinj e të reja u afruan me skenën dhe mësuan ta duan teatrin.
Shfaqja “Yerma”, vepra e tij e fundit, u prit me shumë sukses dhe dëshmoi edhe një herë ndjeshmërinë e tij artistike. Ajo do të mbetet një prej gjurmëve të rrugëtimit të tij, si edhe një frymëzim për të rinjtë që do të ndërtojnë teatrin e së ardhmes.
Sot, skena mbetet më e varfër. Ikja e tij e këput kaq herët një rrugëtim që kishte ende shumë për të dhënë.
Ngushëllimet më të sinqerta familjes, miqve, kolegëve dhe gjithë komunitetit artistik. Qofsh i dritës, Gjergj”, shkruhet ne mesazh.
