Nga Avni Selmani
Politika në Kosovë çdo ditë e më shumë po ngjan me një reality show. Nuk shihen ide, plane, vizion apo vendime serioze. Shihen përplasje, deklarata të ashpra, intriga dhe sjellje të menduara për të tërhequr vëmendje. Vendimet nuk merren sipas interesit të shtetit, por sipas reagimit të publikut. Politikanët sillen si lojtarë që garojnë kush e mban vëmendjen më gjatë.
Me trendin e “Big Brother”-it, djemtë e mirë, njerëzit me kulturë dhe me klas, largohen të parët. Ata që kanë integritet nuk hyjnë në skena të ulëta, nuk përfshihen në provokime, nuk e ulin veten dhe nuk futen në lojëra të pakuptimta. Ata nuk rrinë gjatë, sepse nuk pranojnë të bëhen pjesë e mentalitetit të “personazhit”.
Lojën e vazhdojnë vetëm ata që janë gati të bëjnë gjithçka për vëmendje. Sjelljet provokuese, akuzat e kota, thashethemet dhe manipulimet pranohen vetëm për të qëndruar në skenë. Këto janë rregullat e lojës Big Brother. Mbeten brenda ata që krijojnë konflikt, intriga dhe ofendime, jo ata që sjellin vlerë, dhe e gjithë kjo justifikohet me fjalinë “kjo është lojë”.
E njëjta gjë po ndodh edhe në politikë. Akademikët, profesionistët dhe ekspertët e vërtetë nuk janë pjesë e jetës politike. Ata nuk mund të jenë pjesë e kësaj forme të ulët të lojës, sepse politika nuk kërkon dije dhe as përvojë. Politika kërkon të jesh i zhurmshëm. Kërkon njerëz që u binden urdhrave, jo mendim të lirë. Prandaj vendin e tyre e zënë njerëz pa përgatitje, pa vizion dhe pa aftësi, por me ambicie për pushtet dhe nevojë për t’u dukur.
Kjo nuk është politikë. Është spektakël. Dhe spektakli nuk ndërton institucione. Nuk sjell stabilitet. Nuk sjell zhvillim. Vetëm e lodh vendin dhe e mban peng.
Në politikë, prime time-i është çdo mbrëmje në studio televizive. Aty bëhet nami. Politikanë, analistë dhe militantë mblidhen për të bërë spektakël, jo për të diskutuar. Nuk ka rregulla, ka ofendime. Nuk ka respekt. Secili flet për kamerën, jo për temën. Konflikti nxitet qëllimisht, sepse tensioni mban publikun. Si në reality show, edhe këtu fiton ai që është më i zhurmshëm. Politika e ditës nuk bëhet në institucione, por në oraret e shikueshmërisë së lartë.
Deri sa politika vazhdon të sillet si spektakël, vendi nuk do të ecë përpara. Kosovës i duhen njerëz që punojnë dhe marrin vendime, jo figura që kërkojnë skena dhe vëmendje. I duhen institucione të forta, jo personazhe që vijnë e ikin.