Nga Avni Selmani
Një pjesë e madhe e shqiptarëve krijojnë një lidhje të fortë emocionale me liderët politikë, duke i parë si shpëtimtarë dhe të pazëvendësueshëm. Ata nuk janë më thjesht politikanë, por idhuj, figura të shenjta që nuk duhet të kritikohen. Kjo ndodh sepse për dekada me radhë pushteti ka qenë gjithmonë në dorën e një njeriu të vetëm, dhe politika është udhëhequr më shumë nga emocionet sesa nga arsyeja.
Në këtë mentalitet, liderët trajtohen si të pagabueshëm. Edhe kur marrin vendime të gabuara, gjithmonë gjendet një arsye për t’i arsyetuar: “fajin e kanë ata para nesh”, “ndërkombëtarët nuk na lejuan” ose “kushtet nuk ishin të favorshme”. Askush nuk mban përgjegjësi, dhe televizioni e portalet e lidhura me partitë e forcojnë këtë imazh duke e kthyer politikën në një spektakël tifozësh.
Është e çuditshme që shumica e qytetarëve nuk u kushtojnë rëndësi temave me interes kombëtar, përveç kur lidhen me ndonjë lider politik. Sapo përfshihet një lider, debati merr vëmendje, mediat e bëjnë kryelajm dhe gjithçka përqendrohet te personi, jo te problemi.
Ky fenomen nuk ndodh në vendet e zhvilluara, sepse atje liderët nuk konsiderohen të paprekshëm. Ata zgjidhen për të shërbyer dhe çdo vendim i tyre kalon nëpërmjet institucioneve dhe opinionit publik. Në vende ku funksionojnë drejtësia dhe transparenca, liderët nuk janë mbi qytetarët, por para tyre, me përgjegjësi të qartë. Pikërisht sepse ekziston kontroll demokratik dhe llogaridhënie, qytetarët nuk ndiejnë nevojë të idealizojnë askënd. Atje, votuesit zgjedhin me arsye, jo me emocione.
Te ne, politika është më shumë për njerëzit sesa për idetë. Shumë votues nuk analizojnë programet apo vendimet e liderëve, mjafton që ai të jetë “i tyre”.
Për aq kohë sa ne nuk e kuptojmë që liderët dhe klasa politike janë shërbyesit tanë, e jo e kundërta, nuk do të kemi qeverisje të mirëfilltë, as zhvillim të qëndrueshëm. Derisa qytetari të mos e kërkojë llogarinë dhe ta shohë pushtetin si përgjegjësi e jo si privilegj, do të vazhdojmë të jetojmë në një sistem ku individi është mbi ligjin, dhe populli mbetet spektator në vend të jetë zëri që vendos. Sepse në të kundërtën, ne do ta zgjedhim liderin jo për të na përfaqësuar, por për të na sunduar.
- Pse shqiptarët idealizojnë liderët e tyre? - 28/11/2025
- Fenomeni Albin Kurti - 23/11/2025
- Shorti i “play off”-it, Shqipëria rigjen Poloninë, Kosova përballë Sllovakisë - 20/11/2025