Në kujtim të famullitarit Don Antonio Sharra, në 10 vjetorin e ndarjes së tij nga jeta.
Nga Pashk Përvathi
Kur fillova të lexoj një status të gjatë të “Mjeshtrit të Madh” Pashk Përvathi, isha skeptik nëse do t’i shkoja gjer në fund. Eshtë nga ato rastet kur njeriu paragjykon apriori, pa shkak, pa arësye. Në rastin tim, kjo vjen edhe nga një njohje e vjetër e imja me Pashkun dhe një shoqëri që mbeti gjithnjë në rritje, pavarësisht kohës së gjatë. Duke njohur relativisht mirë talentin e Mjeshtrit në artin e tij të piktures, më ishte krijuar përshtypja se në të shkruar, do të më zhgënjente. Ky pra ishte ai paragjykimi për të cilin fola.
Por shkrimin e gjatë të piktorit Pashk Përvathi e lexova me një frymë. Sepse tej paragjykimeve që mund te kemi, duhet të jemi realistë. Shkrimi kishte brenda emocion, i domosdoshëm për të depërtuar tek publiku dhe stil mjeshtri.
Nuk thonë kot, “dardha bie nën dardhë”…
m.l.
Gjadri është vendlindja e bashkëshortes sime, Lules. Shtrihet buzë lumit të Drinit, në zemër të Zadrimës së sotme dhe u bë i famshëm në vitet ’70-’80 me ndërtimin e një aerodromi ushtarak. Nëna e Lulës, Maria, pati ndier një lloj “xhelozie” kur mori vesh për pikturën që i kisha dhuruar kishës françeskane të Lezhës. Nuk hezitoi dhe një ditë më kërkoi hapur që të bëja diçka edhe për kishën e tyre në Gjadër. E mirëkuptova kërkesën e saj. Por edhe unë e kisha një shtysë të brendshme se duhet të bëja diçka për kishën e atij fshati. Aty shërbente famullitari italian Don Antonio Sharra, i bërë i njohur vite më vonë falë iniciativës së tij për të ndërtuar një kambanë paqeje me gëzhojat e plumbave dhe predhave të vitit të mbrapshtë 1997. Por jo vetëm për këtë gjest. Ai i kishte ndihmuar dhe transformuar banorët e fshatrave të Zadrimës edhe në mënyrën e jetesës, në respektin për veten dhe besimin te Zoti. Të gjitha këto unë i dija se i kisha dëgjuar nga miqtë e mi në Gjadër. “Po, – i thashë vjehrrës sime, Maries, – do ta kryej porosinë tënde, sepse jam i bindur edhe vetë për këtë që po më kërkon.”
Për në Gjadër riprodhova nga Refael Santi, zonjën Mari me Jezusin në krah. E vendosa në një kornizë të mirë dhe e lajmërova Don Antonion për dhuratën time.
Ai e mirëpriti propozimin tim dhe më ftoi që, nëse e kisha të mundur, pikturën t’ia dërgoja të nesërmen. Bashkë me dy fqinjët dhe miqtë e mi, Franon me Vitoren, dhe bashkëshorten time Lulën, ditën e nesërme mbërritëm në Gjadër. U përshëndetëm me Don Antonion në një prej ambienteve pritëse të kishës. Pikturën e dorëzuam te njerëzit që na rekomandoi vetë ai dhe po prisnim. Asistentja e tij, një italiane që e fliste mirë shqipen, na ftoi të merrnim pjesë në meshën e pasdites që do mbahej vetëm pak minuta më vonë. Ashtu bëmë. U vendosëm diku në të djathtë të kishës në rreshtin e tretë të ndenjëseve dhe po prisnim të fillonte rituali i meshës. Gjithçka dukej e heshtur. Don Antonio nuk më tha asnjë fjalë falënderimi kur e dorëzova pikturën, aq sa mendova se ndoshta atij nuk i kishte pëlqyer. “Këta nuk ditkan të të thonë as faleminderit”, i thashë Lulës me zë të ulët. “S’ka gjë”, më tha ajo. Ti nuk e bëre për lëvdata. “Ti, a e bërë për nënën time?”, mu drejtua me një nënqeshje të lehtë. Fjalët e saj dukeshin sikur donin të më qetësonin sadopak. “Të paktën, një fjalë të më thoshin”, vazhdova unë. Na pëlqeu ose jo. Në fakt, unë isha përpjekur të bëja më të mirën e mundshme për të plotësuar në imazhet e atyre besimtarëve, zonjën Mari me Jezusin. Pikërisht për këtë arsye edhe kisha zgjedhur të riprodhoja tablonë e Refaelit.
Por isha gabuar në gjykimin tim për mosmirënjohje. Don Antonio, si një regjisor i vërtetë kishte ndërtuar një skenar befasues që do ta ekzekutonte në meshën e asaj pasditeje. Nuk kishin kaluar më shumë se 15 minuta nga rituali i përhershëm që bëhej në meshat e zakonshme, kur tingujt e një organoje të vendosur diku në cepin e djathtë të ballinës së kishës, tërhoqën vëmendjen e të pranishmëve për diçka që do të ndodhte. Por se çfarë do të ndodhte, askush prej tyre nuk e dinte. Tingujt e organos shtoheshin gjithnjë e më shumë derisa në një moment ato u shuan fare. Zëri i Don Antonit në ligjëratën e tij si interpretues prej aktori njoftoi të pranishmit në meshë: “Dhe tani le të presim ardhjen në mesin tonë të Zonjës Mari me birin e saj Jezusin”. Bëri me shenjë nga dera në pjesën fundore të kishës dhe tingujt e organos u shtuan edhe pak më tepër. Çfarë po ndodhte? Tashmë e kisha kuptuar se isha bere pjesë e një skenari të vetë Don Antonios. Vetëm pak çaste kaluan kur në derë u shfaqën vajza të veshura me kostume kombëtare, dy prej të cilave mbanin në duar tablonë time, por që ishte e mbuluar me një veladon të argjendtë të punuar nga mjeshtrat e kësaj zone të Zadrimës. Vajzat ecnin me hap të ngadaltë dhe askush nuk e dinte përmbajtjen e këtij solemniteti. E dinte vetëm një njeri dhe unë që e merrja me mend se çfarë po ndodhte. Vajzat u ngjitën në pjesën e ngritur përpara altarit që ngjasonte me një skenë teatri dhe u vendosën në një rresht ballë përballë me besimtarët në sallën e kishës. Ishin dhjetë prej tyre, dy prej të cilave mbanin në qendër portretin e zonjës Mari. Don Antonio e ndiqte të gjithë ritualin. Mbasi gjithçka e tij ishte përmbushur ashtu siç ai e kishte menduar më parë, mori mikrofonin dhe filloi të fliste: “Një njeri i mirë, një piktor i zoti, që është i lidhur edhe me fshatin tonë dhe që ju e njihni atë, duke dashur të zbatonte një dëshirë të Maries, nënës së bashkëshortes së tij, i ka dhuruar kishës sonë një vepër të çmuar. Edhe në emrin tuaj ne i themi artistit se e pranojmë dhuratën dhe vlerësojmë gjestin e tij fisnik”. Bëri një pauzë të shkurtër sikur donte të krijonte një emocion të ri, hodhi shikimin nga vendi ku unë isha ulur, ngriti dorën e djathtë si për të më mirëpritur dhe shqiptoi fjalët: “Tani, le të presim autorin e veprës, artistin Pashk Përvathi për ta zbuluar vetë veprën e tij”. U ngrita, njëherësh edhe i emocionuar, por dhe i respektuar sa më s’bëhet, dhe shkova drejt vendit ku ndodhej vepra ime. E gjithë kjo të kujtonte ngjarje të para nëpër filma apo dokumentarë, por që nuk na kishte ndodhur kurrë t’i provonim. Mua kjo po më ndodhte në saje të mendjes së hollë të këtij njeriu të ditur që kishte ardhur nga vendi fqinj për të shërbyer në kishat e fshatrave të Zadrimës së Lezhës. Sapo e hoqa mbulesën e argjendtë dhe u shfaq portreti i zonjës Mari me birin e shenjtë, një “aaaahhhh!” e zgjatur që shprehte habi dhe admirim njëherësh u dëgjua nga besimtarët në kishë. Disa prej tyre më thanë: “Të lumshin duart, o Pashk!”. Isha shumë i emocionuar dhe i prekur nga gjesti i Don Antonios dhe i këtyre besimtarëve të devotshëm. Don Antonio përsëri mori fjalën duke thënë: “Pashku, me siguri do të na i thotë dy fjalë”. Isha përpara tyre dhe fillova të flas:
“Sonte, ju të gjithë më keni dhënë një emocion të veçantë”, dhe shtriva dorën nga Don Antonio dhe pjesëmarrësit në sallë. “Kam rreth 20 vjet që edhe unë e ndiej veten pak gjadrasor. Të gjithë ju, jeni të njohur për mua. Sa herë kam ardhur në fshatin tuaj, jam përballuar me shikimin tuaj. I kemi thënë njëri-tjetrit mirëmëngjesi, mirëdita e mirëmbrëma edhe pa e njohur njëri-tjetrin me emër”. Përmenda edhe arsyen e bërjes së veprës, pasi doja të vija në dukje edhe nxitjen e vjehrrës sime, Maries. Don Antonio e kërkoi me emër Marien që të ngrihej e të thoshte dy fjalë, por një fqinja e saj tha se për arsye shëndetësore ajo nuk ndodhej në meshë atë ditë. Edhe mua më erdhi keq pse ajo nuk ishte e pranishme në atë ceremoni të bukur dhe prekëse. Mendoja se ajo do të ndihej mirë për gjithçka kishte ndodhur atë pasdite. Aty ishte edhe kontributi i saj.
Në fund, Don Antonio ftoi të gjithë këshillin e kishës të firmoste një dokument, që vërtetonte dhuratën time për kishën e fshatit Gjadër.
Pas ceremonisë shkova drejt e në shtëpinë e prindërve të Lulës. Mendova se vërtet Maria ishte e sëmurë, por në fakt e gjeta si kokrrën e mollës.
“Pse nuk erdhe?”, i thashë me një ton gjoja hatërmbetës. “Unë për ty e bëra të gjithë këtë.” Ajo ishte grua e zgjuar. Më shikoi drejt e në sy dhe me nota humori më tha: “Ti a e njeh Don Antonion! Po të vija, ai do të më ngrinte në këmbë që të flisja”. E kishte psikologjisur saktë. Tamam ashtu deshi të bënte edhe Don Antonio, por që Maria na ishte hequr si e “sëmurë” atë ditë për të shpëtuar nga skenari i tij.
Don Antonio, me mënyrën e organizimit të dorëzimit të dhuratës sime kishës së Gajdrit më ka dhënë një respekt dhe emocion të rrallë. Në fakt, i tillë ishte Don Antonio. Ai ishte gjeni në llojin e tij. Të gjitha kishat e fshatrave të zonës së Zadrimës u ndërtuan me koncept arkitekture religjioz dhe jo siç po ndodhte në fshatrat e tjera të Lezhës, diametralisht të kundërta me veprat e ndërtuara nga Don Antonio. Ai qe kthyer në një masovik kulture duke organizuar koncerte dhe duke vënë në skenë pjesë teatrale. Kishte bërë për banorët ujësjellës, meremetime rrugësh, por mbi të gjitha kishte ndikuar në përmirësimin e kulturës vetjake të vetë banorëve të zonës. Ai nuk u mërzit dhe as i ngatërroi keqbërësit me popullin e thjeshtë në trazirat e 97-s, kur dhe vetë atë e trazuan. Në vitin 2011, Don Antonio u prek nga një sëmundje e rëndë dhe u nda nga jeta në fundin e vitit 2012. Amaneti i tij ishte të prehej në tokën e fshatit Blinisht, vend ku shërbeu për rreth 20 vjet si famullitar. Gjest i madh dashurie për këtë tokë të trazuar… Ai kishte kuptuar se vendi i tij ishte këtu, në tokën e këtyre njerëzve të mirë të Zadrimës.
