Udhëtim përmes ekspozitës së Fate Velaj, kuruar nga mjeshtri Albes Fusha.
Fate Velaj është një udhëtar i palodhur. Një artist ndërkufitar që udhëton me penën në letërsi, udhëton me penelin në pikturë, udhëton me aparatin në fotografi.
“Amerikanët” është një ndër udhëtimet i tij i cili duhet parë jo thjesht si një ndihmesë në artin e fotografisë, por edhe të kulturës amerikane në përgjithësi.
Një përzgjedhje prej 70 imazhesh, një ekstrakt i qindra fotove të realizuara në udhëtimet e tij nëpër Amerikë, një shëmbull se si proza fotografike është gjithashtu një portë e hapur drejt lirisë krijuese. Por, fotografitë e Fate Velaj si dhe kjo ekspozitë, nuk janë aspak një reportazh. Ato janë më shumë historia e udhëtimit dhe e kërkimit që artisti bën, sesa një koleksion fotosh të shkrepura në lëvizje e sipër.
“Qëllimi është rruga” më tha Fate Velaj gjatë një bisede kur po krijoja konceptin kuratorial të ekspozitës dhe duke parë me kujdes fotografitë e këtij cikli, ndjeva ritmin e rrugës që Fate Velaj kishte kryer nëpër Amerikë, në ndjekje të një qëllimi: të rizbulimit të ritmeve fotografike që Robert Frank përjetoi në vitet 1955-1957 dhe të dokumentonte gjithçka që i dukej e ndryshuar në jetën e përditshme të amerikanëve. Vepra e fotografit Robert Frank, që dikur u pa si një fllad që lëvizi një gjethe, në ditët e sotme është kthyer në një erë të fuqishme që shkund pyllin në krijimtarinë e çdo fotografi dokumentues.
“Ne ecim mbi supet e njeri-tjetrit” – na kujton Picasso. Ashtu si Garry Winogrand, Joel Meyerowitz, Lee Friedlander, Martin Parr apo Annie Leibovitz edhe Fate Velaj, u frymëzua nga vepra e Robert Frank por, si dhe të tjerët, edhe ai, shfaq krejt natyrshëm një stil të veçantë dhe krejt personal, duke përcjellë këndvështrimin dhe fizionominë e tij në këto fotografi.
Janë imazhe që eksplorojnë sa vende dhe identitete njerëzore, po aq edhe marrëdhënien e artistit me to. Ai udhëton dhe dokumenton histori njerëzish, jetët e të cilëve, përputhen ose jo tërësisht, me ëndrrën amerikane. Kthen në art çaste normale duke i treguar ato pa zbukurime, pa ndërhyrje për ta ndryshuar situatën, madje, dhe pa trukime. Fotot e tij transmetojnë ndjesinë se çdo të thotë të jesh brenda dhe jashtë atij realiteti.
Fate Velaj nuk kërkon asnjë “ngjarje” të bujshme për subjektin e tij por e kënaq imazhi i gjetur aty për aty. Tek amerikanët e Fates sheh skenat e së përditshmes. Sheh fytyra që diku e përshëndesin, diku e shohin me çudi e diku nuk e vënë re fare që është i pranishëm. Nëpër fotografitë e tij, situatat janë të mbushura me simbole, me jetë dhe lëvizje, qofshin ato në metro, në vende urbane apo larg tyre. Dhe janë pikërisht këto momente që i ofrojnë terrenin e duhur për të përmbushur qëllimin, t’i kthejë ato në vepra impulsive dhe plot energji.
Edhe pse në nxitim e në ndjekje të “decisive moment”-it për të kapur imazhin, Fate Velaj zotëron aftësinë për të krijuar foto, pa sakrifikuar elementet e kompozimit, dhe i gjithë ky proçes krijues i vjen natyrshëm nga përvoja e tij si artist vizual dhe si tregimtar. Përdorimi i një aparati “Leica”, që ofron anonimitet dhe komoditet në lëvizje, fotografimi i shpejtë dhe në mënyrë spontane, e ndihmojnë atë të ruajë një ide të qartë se si t’i japë formë projektit që synon.
Larg metodave tradicionale të fotografimit, shpesh, artisti Velaj e përdor aparatin pa e vënë në nivelin e syve. “Rrezikon” kështu duke luajtur me rastësinë, por na ofron një përvojë vizuale e spontane si një artist me vizion, dhe jo thjesht një fotograf dokumentues, e aq më pak si një turist me aparat të shtrenjtë.
Fotografia dokumentuese është një zhanër që nuk lë shumë hapësirë për interpretime, por Fate Velaj e gjen mundësinë për të na ofruar pamje “të hapura”, mbi të cilat, imagjinata dhe përvoja e shikuesit, punojnë për më shumë interpretim mbi atë që shfaqet.
Në koherencë me proçesin e fotografimit, ekspozita “Amerikanët” është ndërtuar që pamjet të ndërveprojnë me njëra-tjetrën. Nuk ka asgjë të rastësishme në renditjen e tyre. Përzgjedhja është si fjalët e gjetura plot kujdes e gati e njëjtë me rrëfimet e romancierit Fate Velaj. Jam i bindur se, ashtu si tek Robert Frank, vepra e të cilit, përveç vlerave të tjera, ka edhe punën gjigande të realizimit të projektit, edhe te Fate Velaj, vepra dhe ekspozita, kanë të njëjtën energji, mund e kreativitet dhe transmetojnë po të njëjtën kënaqësi.







