Sot është 77 vjeç, dhe prej 55 vitesh, vijon zanatin e tij të orëndreqësit në qytetin e Pogradecit. Nazif Kadilli, ose siç e njohin ndryshe orëndreqësi, nuk i është ndarë zanatit të tij, të cilin ka filluar ta mësojë nga i ati që në moshën 15-vjeçare.
Orëndreqësi pogradecar me shumë vite eksperiencë mbi supe, na tregon për vlerat e zanatit të tij, si dhe ndryshimet që kanë ndodhur me kalimin e viteve.
“Atëherë ka qënë më e vështirë për të punuar, tani është më e lehtë se bëhet me qarqe. Por atëherë ishte më e vlefshme si punë, ishin të punësuar të gjithë në punë shteti dhe duhet të shkoje në orar, atë kohë nuk kishte kafe…”, tregon 77 vjeçari.
Nëse dikur ora ishte e nevojshme, sot për Nazifin orët janë kthyer më shumë në një aksesor.
“Atëherë duheshin nga nevoja, sot e duan për aksesor, një gjendje ekonomike e mirë kërkon një orë të mirë”.
Lavdia e një zanatçiu është edhe kur ia trashëgon mjeshtërinë e tij pasardhësve. Dhe në këtë pikë 77-vjeçari duket se ka një peng, të cilin është i detyruar ta pranojë përkundër dëshirës së tij.
“Kam mësuar djalin, por nuk do ta ushtrojë zanatin, ka shkuar në Gjermani, të gjithë duan të shkojnë jashtë shtetit, por të kesh një zanat është më mirë. Mua më vjen keq edhe nëse një ditë të vetme mos dal në punë”, thotë orëndreqësi.
Mosha duket se nuk është pengesë për Nazifin që të ushtrojë zanatin e tij, pasi siç thotë edhe vetë, ai vijon të bëjë riparime mikroskopike, njësoj siç i bënte kur ishte i ri.