Bashkimi Evropian ka sanksionuar ministrin e Informacionit të Iranit, policinë e moralit dhe zyrtarë të tjerë, lidhur me vdekjen e Mahsa Aminit, gjatë kohës që ishte në paraburgim, por edhe për shtypjen e protestave mbarëkombëtare.
Blloku evropian publikoi listën e sanksioneve – ku përfshihen 11 persona dhe katër entitete – në gazetën zyrtare më 17 tetor. Në mesin e të sanksionuarve janë zyrtarë të lartë nga policia e moralit të Iranit. Teherani më 17 tetor u zotua se do të përgjigjej “menjëherë” ndaj sanksioneve të BE-së.
Irani do të “vendosë dhe do të veprojë menjëherë në përputhje me vendimet dhe veprimet” e ndërmarra nga shtetet e BE-së, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Naser Kanani.
“Nëse ata vendosin sanksione të reja, ky veprim definitivisht do të ishte jokonstruktiv dhe joracional”, shtoi ai, para se blloku të njoftonte për vendosjen e sanksioneve.
Mahsa Amini, 22 vjeçare, vdiq më 16 shtator në Teheran, tri ditë pasi ishte arrestuar nga policia e moralit, nën pretendimet se kishte shkelur rregullat e veshjes së hixhabit, apo shamisë së kokës. Dëshmitarët thanë se ajo është rrahur nga policia.
Por, autoritetet thanë se vdekja e Aminit nuk ishte për shkak të goditjeve në kokë apo gjymtyrë, por nga një sëmundje. Këto pretendime janë hedhur poshtë nga familjarët e Aminit. Vdekja e Aminit ka nxitur protesta mbarëkombëtare në Iran.