Nga Anila Hoxha
Mundohem të parkoj nëntokë pa rënë në sy. Aty duhet të takoj një nga kontaktet e mia, një vajzë që jo vetëm për shkak të bukurisë, por për shkak të zgjuarsisë, eksperiencës në një kazino tjetër dhe anglishtes së rrjedhshme është punësuar në kazino. Ajo më ka caktuar një orë fikse, mbas të cilës mbaron turnin. Pres dhe nderkohë shoh një njeri të dëshpëruar që godet me shkelm kolonën e betonit. Më pas e shan me një shqipe të ashpër. Pak metra larg tij dera plot drita të fton të fitosh miliona.
Nuk do isha në asnjë çast e tunduar, përderisa sa herë flitet për lojërat e fatit, bixhozin dhe kazinotë më kujtohet fati i një të njohure. Një grua ekselente, e diplomuar në Itali, që në muajin e nëntë të shtatzanisë gjeti në krevat një letër lamtumire nga i shoqi. Nga një burrë i sukseshem, ai perfundoi në një kumarxhi që la çdo gjë atë kohë, madje zeroi me mashtrim dhe llogarinë bankare, që gruaja e kishte hapur dhe po mblidhte para veçmas për të blerë krevatin e të bijës. E për ti dhënë lajmin se edhe paratë e femijës së palindur i pat lënë në bixhoz, ky burr e njoftonte se ishte aq i keq sa nuk meritonte as vajzën qe do lindte dhe as dashurinë e saj, ndaj po shkonte ti jepte fund jetës. E kam lexuar atë letër dhjetra herë atë ditë, me një grua qe nuk dinte nese ishte apo jo gjallë partneri i saj, me një grua që nuk po e kuptonte se ky ishte mashtrimi i radhës derisa ai i hapi telefonin dhe serish i kërkoi falje duke u përgjëruar. Pas këtij rasti, sa herë dëgjoj diçka të tillë, kam frikë dhe trishtohem për këdo që ngec aty.
Në një nga çastet e saj të zbrazjes së mërzisë më pati thënë njëherë se ai pat shitur çdo gjë që kthehej në para. Madje edhe unazën e martesës. I kishte bërë kala borxhet dhe shpikte armiq e sëmundje të pashërueshme.
Tek kujtoj këtë gjë, vajza që pres kalon si pa më vënë re dhe më bën me shenjë të vazhdoj në distancë pas saj. Ajo ka punuar në të njëjtën kazino me 22 vjeçaren keniane Joyn (Xhoin), qe erdhi pas shoqeve të saj dhe u punësua si krupiere.
Pas luftës në koma, vdekja e saj, vazhdon të prodhojë dhjetra pista, por asnjë autor.
Shoqet e Xhoit, njëra prej të cilave u largua dhe shfaqet intensive në Instagram dhe këmbëngul për emrin e një mashkulli xheloz. Policia vrapon sa në prokurori e sa në gjykatë, prej nga ku siguron kontrolle banesash, prej nga ku nuk gjendet asgjë. Përgjimet shfaqin miq e të njohur të shqetësuar. Por asnjë emër që do ti drejtohej gishti me prova!
Në kazinonë në fjalë lojtarët po pakësohen. Kazinotë e tjera në kryeqytet po përthithin me ritëm të lartë lojtarët, vipat u larguan prej andej, apo dhe ata të vegjlit, domethënë ata që humbasin pak para e lënë pengje gjëra të vogla si telefonin, orën, varësen.
“Puna që bënte Xhoi si krupiere është më e vështira, sepse e ke lojtarin përballë. Ai humbet, ai të shan, ti duhet të ruash qetësinë- nis rrëfimin vajza e kazinosë. Krupieri punon 20 minuta, më pas bën 30 minuta pushim. Mundësitë që Xhoi të ketë krijuar një histori me një lojtar janë të pakta. Sepse lojtari e ka mendjen tek paratë, jo tek vajzat. Dhe pse na kanë thënë që nuk duhet, nuk lejohet të krijojmë histori ne e dime se edhe bukuria jonë nevojitet për ti futur në “kllapa”. Por lojtarët, e përsëris e kanë mendjen tek paratë. Na kanë trajnuar, ne e dimë nga eksperienca se edhe kur lojtari që është prioriteti ynë, acarohet, shan me fjalët më banale mbasi po humbet, ne duhet të ruajmë qetesinë. Duhet të qeshim, të jemi të qeta e tu ofrojme shans që ta provojnë përsëri – shprehet krupierja shqiptare.
Vajzat e kazinove si Xhoi, që vishte pantallona dhe një kemishë, që të dyja pjesë të uniformës; si krupiere mbas 20 minutave bëjnë 30 minuta pushim. Derisa mbarojnë turnin tetë orësh. Në dhomën e pushimit, aty ato flasin me njëra tjetrën, me një anglishte në konfidencë përshkruajnë klientët, biznesmenë apo vipa. Por asnjë emër sduhet të dalë prej andej. Kategorikisht jo. Ato flasin anglisht në ato çaste dhe aty njohin njëra tjetrën, se kjo është një punë si çdo punë edhe kur kanë përpara dikë që falimenton brenda pak kohe. Ndonjëri flet anglisht në të rrallë. Megjithëse edhe disa nga ata lojtarë kërkojnë më tepër vajza që flasin shqip, mbasi nuk kuptojnë asgjë në anglisht.
Disa janë të ankthshëm.
Disa të vrazhdë.
Disa përdorues kokaine.
“Njëherë pastruesja e kazinosë erdhi mes nesh duke qarë. Kishte qene duke pastruar banjën dhe fshiu pluhurin, qe kishte qenë drogë e një lojtari, i cili sa ktheu kurrizin e pastaj pa banakun e tualetit të pastruar. Ajo e shkreta erdhi duke qarë. Na erdhi keq.”- kujton e reja.
Po Xhoi i them, çfarë bënte? Krupieren -thotë. Disa nga ne ishim të trajnuara të dallonim lojtarët me para, nga ata qe me një klik harxhojnë miliona. Se merr dot me mend sa para hidhen në një kazino- thotë.
Xhoi – shton më tej ishte natyrë e tërhequr. Vishej shumë bukur dhe e mbanim si vajzën më me sharm. Nuk tregonte asgjë për jetën e saj, megjithëse ne e dinim se kompania e huaj e kishte sjellë këtu së bashku me shoqet. I paguante hostelin dhe transportin.
Si është të punosh në kazino e pyes? Jeta në kazino është e zymtë për lojtarët- perserit nëpër dhëmbë. Duket me adrenalinë por është e zymtë për ta. ‘Slot Attendand’ janë ca vajza të tjera që janë të trajnuara për të futur në “kllapa” ata me para. Janë në çdo kazino. Në kazino nuk ka orë, na kanë thënë që sduhet të mbajmë orë, sepse lojtari nuk duhet ta kuptojë kohën që ikën. Në kazino ska dritare. Ska ditë. Nuk ka natë. Ka vetëm njerëz që duhet të lënë sa më shumë para. Në karrierën time, një lojtar qëndroi tre ditë i mbërthyer nga loja. Kati i parë është apex. Dhe i dyti po ashtu. Në të tretin janë live. Aty ku punonte dhe Xhoi. Punojmë tre turne, në kazino nuk ka ditë pushim. Pastaj ka dhe kazino prive, janë ata që luajnë dhe duan që të mbeten sekret- thotë e reja.
Çfarë ndodhi kur mësuat për Xhoin e pyes.
-Mes nesh doli zëri që e kishin përdhunuar. Që kishte udhëtuar në jug të vendit pak ditë përpara se të gjendej e flakur nga banesa. Që shoqet e saj e dinin me kë shoqërohej. Pastaj erdhi policia dhe kanë pyetur e shoqëruar çdo kënd. Pak nga pak klientët po rrallohen”.