Nga Skënder Minxhozi
Kjo është pikërisht kjo që po shohim të konsumohet këto orë mes dy prej figurave të reja që hynë në fushatën e 11 majit me synime të deklaruara për të prodhuar një revolucion politik. Në vend të revolucionit në fakt po prodhojnë zhgënjim tek mijërat që i votuan, ose shpoti e nënqeshje ironike tek ata që nuk u besuan votën.
Përplasja Lapaj-Shabani nuk është një konflikt parimesh, por fryt i skemave e taktikave hileqare që ata sollën në fushatën elektorale, me shpresën se do të zbutnin apo devijonin efektet e kodit zgjedhor. Të një kodi të padrejtë për të vegjëlit, duhet pranuar. Dhe sapo hilet që aplikuan krijuan sherre të brendshme lidhur me mandatin parlamentar që morën, partneriteti shpërtheu, miqësia politike u prish dhe gjuha shkoi larg tek kërcënimet.
Si zakonisht ai që nuk përton të përdorë i pari akuzën, denigrimin dhe arrogancën publike është Adriatik Lapaj. Një politikan i cili pretendonte gjatë fushatës se kishte në dorë çelësat e zgjedhjeve dhe se do të vendoste gjithçka vetë pas 11 majit. Si çdo yll i ri që e djeg vrullshëm karburantin e vet, dhe ai e sheh sot veten viktimë të cinzimit të politikës, por edhe të skemave që ndërtoi me Shabanin dhe bashkëpunëtorët e tij.
Është e kotë të dëgjohen dhe të kërkohet të analizohen replikat tashmë armiqësore mes tyre në këto javë pas zgjedhjeve. Tashmë aty s’ka më asgjë politike, por vetëm mllef personal. Koalicioni “Shqipëria bëhet” ka qenë një produkt i dy lëvizjeve politike dhe si i tillë debati se cilit i takon mandati i vetëm që prodhuan 60 mijë votat kombëtare, është thjesht subjektiv. Secili po tërheq nga vetja e tij në këtë proces divorci publik ku janë përfshirë edhe familjarë e të afërm. Është një skenë e shëmtuar dhe diametralisht e kundërt me realitetin që ky koalicion apo edhe partitë e tjera të reja ofronin para zgjedhjeve.
Strategjia elektorale e shpërndarjes së fokusit në të gjithë territorin e Shqipërisë dhe diasporën, e jo tek një apo dy qarqe, duket se ka penalizuar në mënyrë fatale koalicionin “Shqipëria bëhet”. Votat për të prodhuar mandate janë aty, por janë të shpërndara në të gjithë hartën elektorale të vendit.
Kësisoj është e kotë të hysh e të ndash tani sherret për mandatin e mbetur, pasi ishte dhe është lehtësisht e parashikueshme se për atë mandat do të kishte sherr, pavarësisht përbetimeve se “unë heq dorë, unë s’futem në parlament”. Siç pritej doli dikush, ai i panjohuri i zakonshëm i këtyre rasteve, që prishi gjithë skemën. Kur listat mbushen me persona rastësorë, me farefis e dajallarë, atëhere është rasti mbreti i botës. Dhe rasti vendosi pasi logjika dhe strategjia politike që e dobët, e improvizuar dhe fluturake.
Sherri Lapaj-Shabani është epilogu i trishtë i një sage e cila vetëm tre muaj më parë vetëofrohej me ambicjen për të ndryshuar trashëgiminë 35 vjeçare të politikës së tranzicionit shqiptar. Ajo që mbetet është një parlament i ri i dominuar sërish nga dy aktorë të vjetër, teksa “të rinjtë” mbetën praktikisht me një grusht mizash në dorë. Sepse mësuan hilet para rregullave.
Duke hequr mënjanë Shehajn, i cili ka qenë edhe më parë deputet, të gjithë krerët e lëvizjeve të reja politike mbetën jashtë Kuvendit. Sindroma e “dajës së Endrit”, por edhe gabime të tjera para dhe gjatë fushatës, lanë jashtë parlamentit një mozaik siglash që mund të kishin më shumë rol në politikën e sotme shqiptare. Dhe duhet thënë se Qori, Shehaj, Lapaj e Shabani kishin një rast të artë që të krijonin një masë kritike sfiduese në sallën e parlamentit, aty ku është qendra gravitacionale e politikës.
Edhe këto lëvizje politike, që refuzuan edhe të bashkëpunonin mes tyre, rezultojnë sot de facto në librin e trashë të dështimeve për të rrëzuar PS e PD nga piedestali i përjetshëm. Sepse veç të tjerash nuk shkohet në luftë kundër mbifuqisë politike të Ramës e Berishës me dajallarë dhe emra tërësisht të panjohur të cilët nuk i thonë asgjë askujt. E ky është një mësim i hidhur, që Lapaj e Shabani nuk janë të parët që po e mësojnë.