14.5 C
Tirana
13 / 02 / 2026

Sula: Ju jap fjalën si burrë, përkushtim 24 orë! Rama: Jo më inspektime në pafundësi, hap derën e futu

“Duhet një sistem i ri rekrutimi dhe karriere. Kërkon standard etik të unifikuar, certifikim dhe që sistemi të jetë i besueshëm”, theksoi Rama.

Numrin e inspektimeve në Shqipëri e cilësoi “katastrofik”, pasi sipas tij sistemi duhet të bazohet në qasje tjetër.

“Një shembull duhet të vlejë për shumë të tjerë, se shiko se po shkele këtu, sjell këtë pasojë. Jo inspektime në pafundësi, se krijojnë tension, stres, rrëmujë. Jo hap derën e futu, erdhëm ne…”, shpjegoi ai.

“E fundit që kam folur me Dashin është digjitalizimi, ka potencial për ta çuar sistemin në nivel tjetër dhe më të besueshëm. Ka nevojë për një trupë inspektimi. Duhet një kanal ankesash me integritet, jo vjen ankesa dhe më para i shkon atij për të cilin bëhet ankimi se inspektorit. Ne besojmë se reforma është e duhura, legjislacioni po ashtu, fuqia që i është dhënë inspektorit të përgjithshëm dhe mundësia që i është dhënë sistemit janë të duhurat, tani duhet zbatim”, u shpreh kryeministri, duke nënvizuar “koordinimin”.

“Ta mbash me shëndet përgjegjësinë dhe tani kanë ndërruar rolet”, përfundoi Rama drejtuar Sulës.

Sula: Ja jap fjalën e nderit se inspektimi do jetë model

“E kam pranuar këtë sfidë sepse ju vlerësoj maksimalisht për vizionin që keni. Ndoshta është e pamundur që një demokrat, prej 20 vitesh në politikë, në një llogore tjetër, që ka gjuajtur me gurë shtëpisë tuaj, dhe nuk kam turp ta them dola nga aty ku unë kam fituar garat e mia personale, te qeveria jote mora guximin, konkurrova, dola i pari dhe vlerësohem. Kjo është diferenca, demokratë e qytetarët duhet të besojnë në këto konkurrime dhe të kenë besim te ai vend pune.

Unë ju garantoj sot këtu, në ditën e parë, që unë tre gjëra i kam të panegociueshme dhe do i zbatoj.

Në radhë të parë, përkushtimin tim 24 orë, telefoni im do jetë i hapur dhe nëse do ketë një çast të vetëm që kushdo do t’i bjerë dhe unë s’do përgjigjem në çast. E kam numrin publik, do punojmë bashkë për ato detyra që na jep ligji”, tha Dashnor Sula.

Së dyti, përmendi integritetin e tij moral dhe të trupës së institucionit.

“Do ketë përmirësim të dukshëm”, premtoi ai.

“Zero njerëz që do futen në punë përmes ryshfetit apo korrupsionit”, shtoi Sula, duke thënë se çdo inspektor do të jetë në nivelin e duhur profesional.

“Ajo dorashkë që më keni hedhur, ajo sfidë që më keni vënë përpara, do ta përmbushim bashkë me këto gra dhe burra. Do ju nderojmë dhe inspektimi do jetë model! Ju japim pa e tepruar, po flas si burrë, fjalën e nderit”, përfundoi Kryeinspektori.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x