Nga Vangjel Shumeli
Në një pllajë në zemër te malit Golik ndodhet fshati Kodër, një nga fshatrat më të njohura të zonës së Rrëzës së Tepelenës. Ky fshat është i shquar për atdhedashurinë dhe etjen për dritën e diturisë që përpara do të na shpjerë, siç thekson poeti ynë kombëtar Naimi. Ajo përjetësisht gdhihet dhe ngryset nga zhurma përqafuese e Drinos dhe Vjosës duke parë përballë Tepelenën me kalanë e saj legjendare. Këto vargje shprehin historinë e këtij vendi të begatë dhe të bekuar:
Kodra një i bukur fshat
Nxori djem me shkollë të lartë
Kodër pinë në gurrën tënde
Fjala jote u dha mendje.
Kur ngjitesh për në fshat të del para shkolla dhe pllakata qe mban emrin e një kollosi të arsimit dhe bujqësisë shqiptare, krenarisë së saj Profesor Misto Shumeli. Mjafton ti përmëndësh emrin dhe të kujtohen ato rrjeshta që janë shkruar me dashamirësi për të:
Mbi të gjithë Misto Shumeli
Si një mall në zemra ngeli
Misto me buzën e qeshur
Sot një ëngjëll dritëveshur.
Ato e thonë gjithçka, buzëqeshjen dhe fjalën e tij të ëmbël që e bënin të dalluar nga të tjerët dhe i bënte për vete të gjithë, të afërmit dhe miqtë e tij.
Profesor Misto ka lindur në Kodër para 74 vitesh. Ishte më i vogli i fëmijëve të Sokratit dhe Frosinës, në një familje me tradita, ndjenja atdhetare dhe mbi të gjitha arsimdashëse. Ata e rritën atë në një skamje të plotë me vuajtje dhe mundime, por dashuria për shkollën, etja dhe pasioni për dije e bënë më të fortë, të kapërcente çdo vështirësi dhe pengesë. Pavarësisht halleve të shumta, i kreu studimet rregullisht, në të gjitha ciklet dhe me rezultate të shkëlqyera. Pas përfundimit të studimeve të mesme në shkollën “Abaz Shehu” në Tepelenë, iu dha e drejta e studimit në Institutin e Lartë Bujqësor(Sot UBT) në Tiranë, Fakultetin e Agronomisë, të cilin e mbaroi shkëlqyeshëm. Ishin ato rezultate që e mbajtën Miston pedagog në atë universitet ku punoi 15 vjet me përkushtim, aftësi profesionale e punë kërkimore shkencore. Ky pasion dhe vullnet shpërthyen në përmasat e një shkencëtari të guximshëm dhe të suksesshëm. Ka kryer studime pasuniversitare në Itali dhe ka marrë pjesë aktive në veprimtaritë kombëtare për të dhënë mendime të vlefshme për zhvillimin e bujqësisë, agronomisë në veçanti. Për arritjet e suksesshme në fushën pedagogjike dhe në atë shkencore në vitin 1984 iu dha atij titulli “Doktor i shkencave”.
Pedagog dhe shkencëtar,por mbi të gjitha njerëzor, kështu e kujtojnë Profesor Miston ish studentë, kolegë, bashkëkohës, miqtë dhe familja e tij e shtrenjtë. Komunikimi, sjellja dhe marrëdhënia me ta e bënë pedagogun e ri Misto Shumeli një nga figurat më të vlerësuara të Universitetit Bujqësor të Tiranës. Këto virtyte të larta njerëzore që ai dispononte u ka mbetur njerëzve në mbresa të cilët pa përjashtim e kujtojnë dhe pas kaq shumë vitesh me dhimbje e respekt të madh.
Por jeta ka ligje të hekurta. Ajo u tregua e padrejtë me profesorin buzagaz.
Si sot 34 vite më parë, familja, bashkeqytetaret e Tepelenes, studentet e profesoret humben njeriun e ryre të shtrenjtë.
Familja humbi prindin shëmbullor,
shoqëria njeriun gojëmjaltë dhe personin që çdokush do ta mbante për mik. Tepelena humbi një nga bijtë e saj më të mirë. Universiteti humbi dijetarin.
Tek ne pasardhësit, ai do ngelet një shembull i paarritshëm, një krenari dhe inspirim.
Ai u nda nga kjo botë për të mbetur në memorien e njerëzve ashtu siç ishte human, energjik dhe pozitiv.
Auditorët ishin familja e dytë për të dhe diçka e pashmangshme në jetën e tij.
Në atë ditë nëntori në Qafën e Llogarasë, profesor Misto ra si një yll që kurrë nuk u shua.