Papa Françesku ka quajtur çeçenët dhe burjatët (një minoritet mongol në Rusi) si trupat më gjakatare që po luftojnë në Ukrainë. “Më gjakatarët janë ata që luftojnë për Rusinë, por nuk kanë traditat ruse, si çeçenët, burjatët e kështu me radhë”, tha Papa në një intervistë të publikuar të hënën.
“Flas për njerëzit që janë martirizuar. Nëse ke martirë, atëherë dikush i ka vrarë”, shtoi papa në intervistën për revistën jezuite “America”, të dhënë më 22 nëntor.
Çeçenët kanë shtetin e tyre brenda Federatës Ruse dhe ndryshe nga rusët ortodoksë, janë të besimit mysliman. Edhe burjatët kanë republikën e tyre dhe janë shumica të besimit ortodoks ose budistë. Lideri i Çeçenisë, Ramzan Kadyrov, ka qenë një ndër mbështetësit më të mëdhenj të Putinit në luftën e tij në Ukrainë e madje pretendon se ka dërguar edhe djemtë e tij për të luftuar atje.