14.5 C
Tirana
09 / 05 / 2026

Një kartolinë Besnik Mustafajt

Per ditëlindjet ka shumë mënyra urimi! Qysh kur nga tregu ikën kartolinat, zarfat e bardhë e pullat e postës, boja, kallamarja e pena me bishtagyp, urimet janë bërë teknologjike e nuk të japin shumë emocion.
Për shkrimtarin e njohur Besnik Mustafaj, ne zgjodhëm për kartolinë e urim poezinë e mëposhtme, marrë nga libri me të njëjtin titull, botim i shtëpis botuese “Toena”.
Njerëzit kanë moshë, po shkrimtarët si Besniku kanë moshën e një dite…
Të lindjes!

Legjenda e lindjes sime

Binin gjethet e para të shtatorit lyer me bojë hëne.

Dëshira për lodra magjike iu zgjua befas nënës sime.

Prej ëndrrave më të largëta të vajzërisë

më thirri mua.

Unë menjëherë dola,

s’mund ta lija aspak të trishtuar, –

si kukull hyra në dhomën e bardhë të nusërisë së saj.

Në fëmijërinë jetime

ajo kurrë s’kish patur kukull në duar,

tani mund të luante me mua,

të më vishte e zhvishte sa herë të donte,

të më përkëdhelte,

përralla, që prej askujt s’i kishte dëgjuar, të më tregonte.

Për të isha lodra më e mrekullueshme për muaj e vite,

derisa një mbrëmje unë e pyeta papritur:

“Ç’është mbreti?”

Ajo, pa qeshur si më parë me pyetjet e mia,

m’u përgjigj:

“Ka mbret e mbret, por i vërteti

është ai që luan me njerëzit e vegjël, burra e gra,

tallet me ta, i poshtëron gjithë ditën e ditës

e në mbrëmje u thotë buzagaz, natën e mirë,

bëfshi gjumë të ëmbël!

Ti linde pa mbret mbi kokë e rro pa mbret,

ruhu sidomos nga ata që i vënë vetes kurorë

ulur në një karrige me dukje si tënden,

kërkojnë të mbretërojnë.”

Shtatori përvjet e më bukur i lyen gjethet me bojë hëne,

përvjet e më prush m’ia ndez nënës mallin për fëmijërinë time tashmë.

E ndiej netëve tek më afrohet në heshtje si një ulkonjë

e më lëpin plagët, që dua t’ia fsheh.

Besnik Mustafaj

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x