Një punë voluminoze është duke u kryer në Parlament më qëllim që vendi të jetë gati për të mbyllur negociatat për anëtarësim në BE brenda vitit 2027.
Sipas Report tv, barra e Kuvendit në këtë aspekt është e rëndë, me plot 500 ligje që duhen miratuar, për të përmbushur kushtet e Brukselit.
Gama e gjerë e ndryshimeve ligjore është e shtrirë në afate të ndryshme gjatë këtij dy vjeçari, por për të kuptuar peshën e tyre, vlen të nënvizohet se vetëm gjatë muajit dhjetor, Kuvendit i është lënë për detyrë të miratojë 20 ligje si kërkesa të negociatave integruese.
Mes tyre listohen edhe ligje me 84 vota, që gjithsesi kërkojnë konsensus, që socialistët, në mos e arrijnë me PD-në, mund ta realizojnë me partitë e tjera të vogla parlamentare. Të tilla janë: Kodi Penal, apo ligjet që prekin reformën në drejtësi.
Gjatë dhjetorit duhet kaluar ligji që rregullon punën e komisioneve hetimore parlamentare, ai për avokatin e popullit, si dhe ligje që rregullojnë sferën mediatike dhe sponsorizimet.
Në përputhje me kushtet e BE-së, Kuvendi pritet të miratojë edhe një ligj specifik gjatë dhjetorit, për etikën e punonjësve të administratës publike.
Burime pranë Kuvendit të Shqipërisë, i thanë Report TV, se për të përballuar këtë fluks Edi Rama ka ngritur një grup pune mes Parlamentit dhe Qeverisë për koordinimin e çështjeve prioritare.
Përgjegjësia e hartimit dhe propozimit të ndryshimeve ligjore është shpërndarë mes deputetëve dhe qeverisë. /shqiptarja.com/

- Magjistratët caktuan pagat e tyre, ish-ministri: Revoltë sindikaliste dhe banditizëm legal! - 24/09/2026
- “SPAK ka marrë rolin e portaleve”- Analisti Leka: Publikon mesazhe me histori rozë e denigruese! Pse nuk merret me çështje madhore si 21 Janari? - 24/09/2026
- Këmbanat e alarmit në Ballkan - 23/09/2026