17.5 C
Tirana
15 / 09 / 2024

LUFTA, PAQJA, DHE PSE LIRIA KA EMËR

Nga Ledio Alite

Natyrshëm, fatkeqësisht pas kaq shumë vitesh lufta në kuptimin e parë të fjalës është sërish një rrethanor që shtrohet rëndësishëm në analizën e aktualitetit social.


Në Shkurt të këtij viti, e gjithë bota e qytetëruar dhe jo vetëm u solidarizua sinqerisht me fillimin e konfliktit midis Ukrainës dhe fqinjit të saj, Rusisë.
Më kujtohen si sot, ndjesitë prej çdo pamjeje që na shfaqej, deri te idhullizimi i heroit Klitschko në momentet e rrethimit të Kievit. Të gjithë ishim në Kiev me shpirt.
Heroikisht, ukrainasit rezistuan. 

Por çfarë ndodh tani? Lufta vazhdon me të njëjtat ritme, e megjithatë interesi jonë është drejtuar te kriza ekonomike që solli prishja e një zinxhiri të tregut. Trumpetohet ky dimër, si më i vështiri pas Luftës së Dytë Botërore. Megjithëse lufta filloi në dimër, ky që po vjen është për ne dimri më i vështirë, sepse ky na vret xhepin.


Por kush na e krijoi këtë xhep të ngrohtë për ta shpenzuar me të gjitha të mirat që ofron kjo botë, në vendet tona respektive?
Pa dyshim, paqja, dialogu, bashkëpunimi ekonomik, dëshira për të punuar me njëri-tjetrin, dëshira për jetën. Këto janë ditët më të lira që ka njohur historia.
E pra, kjo paqe, erdhi me një kosto, pas marrëzisë, pas holokaustit, pas qindra e mijëra dëshmorëve djem dhe vajza që dolën të luftojnë për liri. Erdhi pas luftës!


Sot, psikoza e luftës nxit të parën ndjenjën e dezerzimit ndër të rinj. Sepse globalizmi na bën qytetarë të globit. Pra, ti legjitimohesh, të ikësh! Fatmirësisht, bota e qytetëruar ka kohë që nuk detyron kënd të luftojë, e pa dyshim, luftëra më të dhimbshme seç ka njohur historia deri sot nuk mund të ketë, sepse vetë revolucioni industrialo-dixhital nuk e lejon. Sot vdekja vjen pa dhimbje! 


Pyetja shtrohet për atë që është e ardhmja, për rininë. Sa të rinj do ishin gati të dilnin vullnetarë për të luftuar për vendin e tyre? Ashtu siç luftëtarët e lavdishëm të UÇK dikur dolën, në shembullin më të afërt të historisë së shqiptarëve. Pa pagesë, pa asgjë, vetëm vullnetarë. Duke mos ditur nëse nesër do të jetonin apo do të vdisnin. Por duke ditur vetëm se vepra e tyre do t’i shërbente të tjerëve. Altruizëm i pastër.


Sa të rinj shqiptarë sot janë kjo antitezë e egoizmit?
Ky ushtrim logjik e jo retorik, ka një përgjigje.
Aq të rinj sa besojnë në Zot, sepse Zoti zhduk frikën nga vdekja.
Aq të rinj sa besojnë në familje, sepse familja mbush zemrën dhe kuptimin e jetës.
Aq të rinj sa besojnë në Atdhè, sepse atdhè do të thotë liri! Liri për të vendosur vetë në mënyrën, kulturën dhe idenë, në atë hapësirë të natyrës që na është dhënë.

Aq të rinj, sa besojnë në vete!


Pse duhet të luftojmë?
Uroj që shqiptarët kurrë mos e njohin më nevojën e luftës.
Megjithatë, nëse lufta e mposht paqen, ka vetëm një arsye:

Ne nuk kemi arritur që në paqe, të punojmë për të zhvilluar ato vlera, të cilat në luftë bëhen jetike dhe të panegociueshme për t’u mbartur!

Siç thoshte xha Zenuni: “Pushkën e kam, edhe nuk i trembem ariut nëse e thyen rrethimin”. Por xha Zenuni kishte frikë atë që duhet ta kemi të gjithë ne, rrethimin e vogël, atë krimbin e vogël që nuk shihet me sy, që na gërryen trarët, e ne mësohemi me të se na duket si muzikë, e pastaj na shembet tavani, edhe na ze brenda!
Prandaj të rinjve të viteve që po jetojmë, bashkëmoshatarëve tanë shqiptarë, duke huazur për qëllimet e këtij shkrimi një thirrje të fortë, u them:

LIRIA KA EMËR! Si në luftë, edhe në paqe!

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x