Mes 10 regjisoreve gra ndër më të shquarat nga vendet e lindjes, edhe ajo shqiptare Xhanfise Keko.
Mbrëmja e djeshme ishte e veçantë për regjisoren Xhanfise Keko. Për një koinçidencë krejt të rastësishme, në prag të 15 vjetorit të ndarjes së saj nga jeta ( 22 dhjetor 2007 ), mbrëmë në Madrid u shfaq për herë të dytë brenda një muaji një nga filmat e saj më të suksesshëm “Kur xhirohej një film” si pjesë e një programi të ndërtuar nga Dorota Lech, ( programuese kryesore e Toronto Film Festival dhe disa Cinematekave evropiane ), me filma të përzgjedhur nga dhjetë regjisoret gra ndër më të shquarat nga vendet e lindjes.
Artdashës spanjollë si dhe bashkëatdhetarë me banim në Madrid të cilët kishin shkuar mbrëmë në një nga sallat e Filmoteca Espanjola, mirëpritën filmin i cili në fakt vazhdon të zgjojë interesin e publikut dhe kritikës për trajtimin me finesë të temës delikate, këndvështrimin artistik të regjisores dhe lojën e aktoreve, veçanërisht Gencit të vogël.
Siç dihet, Xhanfise Keko e mirënjohur në Shqipëri nga të gjithë si një nga përfaqësuesit më të spikatur të kinemasë shqiptare dhe padyshim më e shquara e filmit për fëmijë, i realizoi filmat e saj në vitet 70 – 80 apo në kohën më të egër dhe më të vështirë për artin në Shqipërinë komuniste.
Siç dihet, në ato vite Shqipëria ishte vendi më i mbyllur në Europë dhe artistët ishin të detyruar të operonin brenda idelogjisë komuniste të kohës. Megjithatë, ajo me shumë inteligjencë gjeti mënyrën për të anashkaluar kanunet e dogmës. Duke transferuar këndin e vështrimit tek fëmijët Xhanfise Keko mundi jo vetëm të mbijetojë, po edhe të trajtojë tema tabu për kohën dhe të patrajtuara më parë, ndërkohë që përmes universialitetit të botës së fëmijëve mundi t’u dërgojë sinjale dhe mesazhe të rriturve. Ja pse Xhanfise Keko konsiderohet sot një nga zbulimet e dhjetëvjeçarit të fundit të kinemasë botërore nga britaniku Mark Cousins, një emër mjaft i njohur ky si regjisor dhe kritik filmi.
Filmi “Kur xhirohej një film” mbetet një nga realizimet më të mira jo vetëm të regjisores Xhanfise Keko por dhe kinematografisë shqiptare.
