Marin Hoxha është një prej aktorëve që luan në filmin serial “Prokurori”, i cili do të shfaqet në kinematë e Tiranës që prej mbrëmjes së sotme. Në një intervistë për Vip Magazine, Marini tregon se si u bë pjesë e filmit “Prokurori” pa u paragjykuar nëse kishte apo jo formim të mëparshëm si aktor. Për regjisorin e këtij filmi Fatmir Doga, Marini tregon se mjaftonte forma organike me të cilën interpreton për të shkuar sa më thjeshtë pranë publikut.
“Në fillim të vitit të kaluar u bë një thirrje për audicione. Thirrje e hapur. Jo vetëm aktorët profesionistë. Unë si gjithë të tjerët shkova dhe më pëlqeu goxha energjia që kishte sepse nuk të shikonte me sy nëse je aktor profesionist apo jo. Ai ishte me mendimin që nëse ma bën punën si duhet dhe më përshtatesh me një nga karakteret e mia, ishte ok. Sa më i thjeshtë sa më organik. Nuk kemi pse shtiremi dhe të bëjmë gjëra komplekse, kur mund të aktrojmë thjesht dhe të jemi sa më realë. Fatmiri këtë gjë kërkoi. Për fat të mirë u pranova. Pas disa kohësh mora një përgjigje pozitive dhe jam te episodi i parë I Prokurorit”, thotë ai.
Marini na zbulon pak edhe rreth rolit të tij në filmin “Prokurori”, ku përveç aktorëve të talentuar shqiptarë, ka pasur mundësinë të interpretojë edhe përkrah aktorit me famë botërore, Danny Glover.
“Është një rol që në episodin e parë nuk është se prezantohet shumë. Jam djali i një prej më të pasurve në Shqipëri. Janë dy të pasur, njëri prezanton anën e dhunshme, tjetri ka një model tjetër që pavarësisht si i ka bërë paratë, mund të jetë të dyshimta, ti prapë bën për popullin tënd dhe kontribuon për shoqërinë tënde. Unë jam te pjesa pozitive. Kaq mund të zbuloj për momentin”, thotë Marin Hoxha.
Seriali “Prokurori” me regji nga Fatmir Doga dhe producentë Ylli Ujka dhe Çesk Ivanaj, përqendrohet te lufta e një prokurori të ndershëm kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit politik. Për adhuruesit e kinemasë shqiptare dhe ndërkombëtare, biletat kanë dalë tashmë në shitje, dhe mund të blihen online ose fizikisht në kinemanë Cineplexx në Shqipëri dhe Kosovë. Episodi i parë i serialit do të shfaqet premierë në Tiranë dhe më pas do të vazhdojë të shfaqet në të gjitha kinematë e kryeqytetit dhe më gjerë.
- Gjyqi historik në Francë/ Presidenti Macron falënderon Gisele Pelicot: Dinjiteti dhe kurajoja juaj kanë inspiruar botën! - 20/12/2024
- Përqafime dhe të qeshura! Dalin pamjet nga takimi i Ramës, Kurtit dhe Osmanit/ Momenti epik kur kryeministri i jep dorën edhe Spiropalit - 20/12/2024
- Sopranoja: Parashqevia komuniste? Godole injorante dhe me prejardhje komuniste! - 20/12/2024