-0.5 C
Tirana
22 / 12 / 2024

Berisha mbledh Këshillin Kombëtar të hënën, Mediu: Në zgjedhje të dalim me një kandidat

U paralajmërua një shtator i vrullshëm protestash, por Partia Demokratike duket se është ende në fazë organizimi.

Të hënën në orën 17:00 Sali Berisha do të mbledhë këshillin kombëtar të PD-së për ë  diskutuar rreth situatës politike, ndërsa pritet të merren vendime të rëndësishme sa i takon aksionit opozitar, për të cilin PD haptazi ka pranuar se është në një aleancë me Partinë e Lirisë.

Por ata që kanë qenë historikisht aleatët tradicionalë të Partisë Demokratike, si PR, LZHK, PDIU, dhe PAA nuk duken shumë optimistë sa i takon bashkëpunimit PD-PL, aq më pak kur opozita rrezikon ende të dalë me 2 kandidatë në zgjedhjet vendore të 2023-shit, për shkak të përçarjes në kampin blu.

“E gjithë opozita duhet të ketë një kandidat. Gjykimi im është se ideja e primareve nuk funksionon brenda një partie politike apo strukture politike, duhet të ketë primare të hapura”- tha Fatmir Mediu.

“Sa më shpejt të jetë e mundur, duhet të gjejmë pika bashkëpunimi dhe jo pika ndarje. Këtu nuk bëhet fjalë sa i fortë është Berisha apo Meta, këtu për politikën janë të fortë të dy. Janë karizmatik, kanë vota po është e pamundur të sjellin opozitën në pushtet nëse nuk grupohen të gjithë bashkë. Të dalin me një kadidaturë”-tha Agron Duka.

Kritik është edhe kreu i PDIU Shpëtim Idrizi, së bashku me Kryetarin e LZHK, Dashamir Shehi, i cili nuk e fsheh as zhgënjimin se deri më tani nuk kanë pasur asnjë ftesë për bashkëpunim.

“Ajo që ka qenë mangësia gjatë gjithë kohës e opozitës, është fakti që është shumë e zonja për të denoncuar por gjithmonë i ka munguar krahu tjetër i ekuacionit. Pra i duhet jo vetëm të denoncojë, por i duhet të ketë një program shprese dhe një ekip të ri e një program të ri”- tha Shpëtim Idrizi

“Deri më tani s’kemi parë ndonjë aksion por nëse do të na kishin ftuar do të jepnin idetë tona”- u shpreh Dashamir Shehi.

Sali Berisha ka paralajmëruar protesta dhe greva në të gjithë vendin, ndonëse deri më tani nuk ka bërë publike asnjë datë.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x