1.5 C
Tirana
03 / 12 / 2024

Bashkia e Tiranës marreveshje me BEI për banesat sociale, Veliaj: Vijojmë edhe me kreditë e buta, askush nuk do…

Bashkia e Tiranës do të rifuqizojë programin e banesave sociale. Përveç kredive të buta, ku çdo vit përfitojnë 1000 çifte të rinj, fluksit të rritjes së kryeqytetit do t’i vijë në ndihmë edhe programi tjetër i strehimit. Për realizimin e këtij projekti, Banka Europiane e Investimeve dhe Bashkia e Tiranës firmosën një marrëveshje të përbashkët.
Drejtuesi i BEI-t, Matteo Rivellini, i cili u prit nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, tha se Tirana u përzgjodh e para ndër qytetet e tjera të Ballkanit për marrëveshjen e financimit të këtij projekti social.
“Është një nder të jem këtu, së bashku me Kryebashkiakun Veliaj, dhe të firmosim këtë marrëveshje të madhe. EIB Global ka siguruar 2 milionë euro për asistencë teknike për Bashkinë e Tiranës, që do të përdoren për projektin e parë që do suportojë banesat sociale në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Ne jemi jashtëzakonisht krenarë për këtë. Është një sipërmarrje e re për të cilën po presim të angazhohemi sa më shpejt së bashku,” u shpreh Matteo Rivellini.

Edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj u shpreh i lumtur që kryeqyteti ynë e nis i pari këtë projekt. “Jam shumë krenar për skuadrën e Bankës Europiane të Investimeve që na ka ardhur nga Luksemburgu, por jam posaçërisht krenar që Tirana është Bashkia e parë në gjithë rajonin tonë që ka këtë raport special. Sot ne kemi firmosur një grant të parë prej 2 milion eurosh, që do të bëjë të gjithë studimin e nevojave që ne kemi për strehimin social, hapësirave që do t’i dedikojmë dhe mënyrës se si do ta planifikojmë në vitet e ardhshme, për të ndjekur hapat e rritjes së Tiranës. Kanë qenë dy vjet bisedime dhe negociata dhe ju falënderoj shumë që zgjodhët Tiranën. E di që në Ballkan ka plot qytete të tjera që gjithashtu, punojnë, duan të ecin përpara, po faleminderit që na dhatë besimin,” u shpreh Veliaj.

Kreu i Bashkisë tha se Tirana nuk është më vetëm qyteti ku deri dje migronin nga qytete të tjera të Shqipërisë, por aspirohet edhe nga 144 kombësi të tjera, që vijnë në kryeqytetin shqiptar për një jetë më të mirë. “Tirana do të vazhdojë të rritet, ky është një destin i panegociueshëm. Asnjëri prej nesh, as nuk mundet, po as nuk do që ta ndryshojë këtë destin të Tiranës. Fati i Tiranës është se është kryeqyteti jo vetëm i Shqipërisë, po dhe i shqiptarëve. Është një epiqendër në Ballkan, por është edhe një vend ku sot kemi 144 shtetësi të huaja. Njerëzit vijnë për një jetë më të mirë, jo detyrimisht të gjithë ata që vijnë i kanë mundësitë: janë shumë çifte të reja, familje që krijohen sapo mbaron universiteti, pastaj gjejnë një vend pune, pastaj vijnë fëmijët dhe lind nevoja për strehim,” tha Veliaj.
Kryebashkiaku tha se ky program social do shërbejë edhe për të gjithë ata që preken nga projekte zhvillimore të Tiranës, si zgjerimi i Lanës, Unaza e Madhe etj.

“Në disa raste, shumë prej punëve që ne bëjmë në Tiranë, – edhe ajo që kemi folur për projektin e Lanës, apo dhe tani për projektin e Unazës, – krijojnë nevojën për strehim social. Ne kemi një përkushtim, si qeveri dhe si bashki , që të mos lëmë askënd pas. Projekti i Astirit nuk la asnjë njeri në rrugë. Secili mori kompensimin dhe strehimin e vet. Projekti i Lanës nuk do të lërë asnjeri në rrugë. Ne do të kemi strehim po në atë vend, duke përdorur tokat e bashkisë për t’u siguruar që janë pjesë e atij ekosistemi. E njëjta gjë ndodh edhe tek 5 Maji, tek Bregu Lumit dhe me projektet që ne kemi pasur me Rindërtimin. Do të bëjmë projektin e bukur të rindërtimit, po nuk do të lëmë pas dhe nuk do të lëmë pa strehuar asnjë prej banorëve që ka nevojë të jetë pjesë e ndihmës tonë sociale. Ne duam edhe modernizimin e Tiranës, edhe strehimin për të gjithë ata që janë në nevojë,” shpjegoi ai.

Veliaj po ashtu sqaroi se Bashkia do të vijojë edhe me kreditë e buta, një nga programet më të suksesshme dhe një zgjidhje për mijëra familje gjatë gjithë këtyre viteve. “Ne kemi vazhduar prej vitesh me kreditë e buta, me rreth 1 mijë kredi të buta në vit. Ajo që kemi zbuluar, që ka qenë një nga programet më të suksesshme të Bashkisë së Tiranës, – sepse është një mundësi për t’i thënë dikujt, po të jap një dorë, po të jap një shtysë, po të jap disa financa, duke të hequr pjesën e interesit dhe në vend të paguash qira në një qytet që vetëm rrit vlerën e pronës, ke mundësi të blesh pak nga shtëpia jote dhe unë besoj se skema të tilla që ne tashmë i kemi testuar, kanë rezultuar të suksesshme, tani mund t’i çojmë në një nivel shumë herë më të madh edhe mund t’i bëjmë masive iniciativa të tilla,” e mbylli Veliaj fjalën e tij, pas firmosje së marrëveshjes së bashkëpunimit me BEI-n.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x