Panelet tona në televizione kanë kohë që nuk janë tryeza diskutimi, por janë thjeshtë llogore. Të ftuarit rreshtohen si ushtarë të dy kampeve të kundërta, me mision të qartë të asgjësojnë tjetrin. Nuk ka vend për mendim gri, sepse ky lloj mendimi nuk paketohet për titull.Nuk ka vend për distancë ndaj mendimit bardhë e zi që ekspozohet në studio sepse distanca duket si dobësi. Nuk ka vend për bashkim të kundërtash për të dhënë një prespektivë më gjithëpërfshirëse sepse ti neutralizon betejën dhe nuk kuptohet fituesi.Po kështu, moderimi shpesh ngjan më shumë me menaxhim tensioni sesa me drejtim debati. Në finale, hapësira publike shndërrohet në fushëbetejë ku qëllimi nuk është të kuptosh, por të fitosh.
Ngjarja e fundit në studio e emisionit “Opinion” ku debati i mbremshëm përfundon në përplasje fizike nuk është thjesht incident, por simptomë e kulturës së përballjes nëpër studio ku edhe emisioni në fjalë ka një kontribut të vyer në mbjedhjen dhe stimulimin e saj. Debati ka kohë që është zhvendosur nga argumenti te adrenalina, nga ideja te instinkti. Kërkohet përplasja me çdo kusht me qëllim që analiza të shndërrohet në banalitet dhe tensioni të siguroj shikueshmëri.
Sigurimi i banales në studiot televizimi është kthyer në qëllim më vete. Kjo për arsyen e thjeshtë se banaliteti është i lehtë për t’u konsumuar. Nuk kërkon përqendrim, nuk kërkon dije, nuk kërkon as durim. Kërkon vetëm reagim. Një studio ku temperatura rritet gradualisht është më efikase se çdo argument i strukturuar. Publiku nuk mbahet me shifra, mbahet me ndjesi. Ndjesia më e thjeshtë për t’u prodhuar është zemërimi. Një fjali e balancuar kalon pa gjurmë, një shpërthim bëhet ekzaltim kolektiv.Kështu, banaliteti nuk është rrëshqitje aksidentale është përmbajtje e projektuar për të prodhuar efekt.
Në fund, kemi hyrë në një stad ku forma e ka zëvendësuar përmbajtjen. Dueli është më i thjeshtë se dialogu, sepse nuk kërkon reflektim kërkon vetëm rreshtim. Kur publiku mësohet me këtë ritëm, çdo përpjekje për nuancë duket e tepërt. Grushti bëhet argument, zëri i lartë bëhet provë force, ndërsa arsyeja mbetet në sfond si një luks që nuk prodhon spektakël.
Nëse kjo logjikë vazhdon me këtë instensitet që une nuk e dyshoj, pasoja është e dyfishtë, publiku mësohet me zhurmën si standard dhe media mësohet me zhurmën si model. Shikuesi gradualisht humbet durimin për argumentin dhe fiton tolerancë për agresionin, media humbet misionin informues dhe fiton refleksin spektakolar. Në fund, të dy palët hyjnë në një marrëveshje të heshtur ku cilësia sakrifikohet për intensitetin. Siç paralajmëronte Neil Postman, “Ne po argëtohemi deri në vdekje.” Dhe kur argëtimi zë vendin e arsyes, demokracia nuk rrëzohet me zhurmë ajo zbrazet ngadalë nga brenda.
- Berisha nuk po ia vesh dot ‘kostumin’ e tij Ramës dhe kjo është drama e PD - 13/02/2026
- Reforma e inspektorateve, Ibrahimaj: Gjoba nuk do të jetë masa e parë, qasje lehtësuese ndaj bizneseve - 13/02/2026
- Pronari i urës loboi tek administrata përpara se Trump të sulmonte urën konkurruese drejt Kanadasë - 13/02/2026