17.5 C
Tirana
25 / 04 / 2026

Sterilizimi/ Gjykata i ndryshoi akuzën, avokatët e Beqajt: Do kërkojmë pushimin e çështjes

Avokatët e ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj do të kërkojnë pushimin e çështjes për Sterilizimin, në seancën e radhës gjyqësore. Në një konferencë për mediat, avokati i Beqajt, Ermal Yzeiraj, tha se procesi ndaj Beqajt ka dalë nga shinat procedurale dhe kushtetuese.

Kërkesën për të pushuar çështjen, avokati e argumenton me faktin se Beqajt iu ndryshua akuza nga shpërdorim i detyrës në në “vjedhje duke shpërdoruar detyrën” si grup të strukturuar kriminal.

“Gjatë seancës gjyqësore, Gjyqtarja e seancës paraprake e Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, në referencë të përcaktimit të bërë në nenin 332/d, pika 3, të Kodit të Procedurës Penale, duke gjykuar se në rastin konkret cilësimi juridik i faktit nga ana e prokurorëve ishte i gabuar, ftoi prokurorët që të bënin korrigjimet dhe saktësimet e nevojshme të akuzës.

Sipas Gjyqtares së seancës paraprake, faktet e çështjes nuk duheshin cilësuar si vepra penale “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga nenet 148 dhe 25 të Kodit Penal, por si veprat penale “Vjedhja e kryer duke shpërdoruar detyrën”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 135, neni 28, pika 4, neni 333/a, paragrafi i parë dhe neni 334, pika 1, i Kodit Penal”, tha ai.

Avokati tha se ndonëse SPAK nuk ishte dakord me ndryshimin e akuzës, e pranuan vetëm që çështja mos të kthehej mbrapsht.

Deklarata e plotë:

Të nderuara media,

Në radhë të parë, në emrin tonë dhe të Z. Ilir Beqaj, ju falënderojmë që i jeni përgjigjur ftesës sonë si dhe për mbulimin korrekt mediatik që vazhdimisht i keni bërë zhvillimeve të seancave gjyqësore.

Siç jeni në dijeni, qoftë për shkak të ndjekjes që ju vazhdimisht i keni bërë seancave gjyqësore, qoftë për shkak të deklaratave të vazhdueshme që Z. Ilir Beqaj ka bërë në media, procesi gjyqësor që po zhvillohet para trupës së dytë gjyqësore të shqyrtimit të çështjes në themel, në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ka kohë që ka dalë nga shinat procedurale, kushtetuese dhe konventore.

Në thelb, problemi nuk qëndron thjesht në shkelje të izoluara procedurale, por në mungesën e vetë një akuze të vlefshme penale të formuluar sipas ligjit, çka vë në diskutim ekzistencën e vetë objektit të gjykimit.

I gjithë procesi i deritanishëm gjyqësor, dhe ai i mëvonshëm, në rast se do të vazhdojë të ketë një të tillë, rrezikon të kthehet në çështjen më flagrante, më ekstreme dhe më të çuditshme të shkeljes së të drejtave të njeriut për një proces të rregullt gjyqësor në Shqipëri. Ky rrezik nuk buron nga vlerësime subjektive, por nga fakti objektiv që, në mungesë të një akti akuze të formuluar nga prokuroria, çdo vijim i gjykimit përbën një devijim nga parimi themelor “nuk ka gjykim pa akuzë të vlefshme”.

Për këtë arsye, reagimi ynë si mbrojtje e Z. Ilir Beqaj, në këtë fazë të procesit, merr edhe një dimension publik, me qëllim informimin e opinionit dhe garantimin e transparencës mbi çështje që prekin standardet themelore të procesit të rregullt ligjor. Në të njëjtën kohë, ky reagim synon të evidentojë rëndësinë e respektimit rigoroz të këtyre standardeve, jo vetëm për këtë çështje konkrete, por edhe për besueshmërinë e sistemit të drejtësisë në tërësi.

Siç jeni në dijeni, më datë 29.03.2024, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dërgoi në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar kërkesën për dërgimin për gjykim të procedimit penal nr. 13, të vitit 2020, kundër 9 të pandehurve, ndër të cilët edhe Z. Ilir Beqaj, i akuzuar për kryerjen në bashkëpunim të veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga nenet 148 dhe 25 të Kodit Penal.

Procedimi penal nr. 13, i vitit 2020, i Prokurorisë së Posaçme, i cili në media transmetohet vazhdimisht si “çështja e sterilizimit”, është në fakt hetimi që Prokuroria e Posaçme ka zhvilluar në lidhje me procedurën e lidhjes dhe zbatimit të kontratës koncesionare të datës 10.12.2015 me objekt: “Dhënie me koncesion për shërbime të integruara për ofrimin e setit të personalizuar të instrumenteve kirurgjikalë, furnizimin me material mjekësor steril njëpërdorimësh në sallat kirurgjikale, si dhe trajtimin e mbetjeve biologjike dhe dezinfektimin e sallave kirurgjikale”, ku sterilizimi i instrumenteve ka qenë vetëm një nga shumë komponentët e këtij shërbimi koncesionar.

Në lidhje me këtë procedim penal, duhet theksuar paraprakisht fakti që ky procedim është regjistruar dhe zhvilluar nga Prokuroria e Posaçme pa kërkuar dhe marrë paraprakisht një vendim gjykate për rihapjen e çështjes, vendim ky i cili ishte i detyrueshëm në kushtet kur më parë kjo çështje ishte pushuar; por kjo është një çështje tjetër që nuk lidhet me objektin dhe qëllimin e deklaratës së sotme për shtyp.

Më datë 23.12.2024, gjatë seancës gjyqësore, Gjyqtarja e seancës paraprake e Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, në referencë të përcaktimit të bërë në nenin 332/d, pika 3, të Kodit të Procedurës Penale, duke gjykuar se në rastin konkret cilësimi juridik i faktit nga ana e prokurorëve ishte i gabuar, ftoi prokurorët që të bënin korrigjimet dhe saktësimet e nevojshme të akuzës.

Sipas Gjyqtares së seancës paraprake, faktet e çështjes nuk duheshin cilësuar si vepra penale “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga nenet 148 dhe 25 të Kodit Penal, por si veprat penale “Vjedhja e kryer duke shpërdoruar detyrën”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 135, neni 28, pika 4, neni 333/a, paragrafi i parë dhe neni 334, pika 1, i Kodit Penal.

Prokurorët e çështjes, ndonëse nuk ishin dakord me cilësimin juridik të faktit të propozuar nga Gjyqtarja e seancës paraprake, në përgjigje të ftesës së saj për ndryshimin e cilësimit juridik u shprehën se po binin dakord me Gjykatën vetëm për shkak të faktit se, nëse nuk do të pranonin ndryshimin e cilësimit juridik, Gjykata do të vendoste kthimin mbrapsht të akteve dhe çështja do të ngecte më pas në një rreth vicioz, ku Prokuroria do të vazhdonte të sillte në Gjykatë kërkesën për dërgimin e çështjes për gjykim me akuzën për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, ndërsa Gjykata do të vazhdonte ta kthente mbrapsht çështjen, pasi do t’i qëndronte mendimit të saj se faktet duheshin cilësuar si veprat penale “Vjedhja e kryer duke shpërdoruar detyrën”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.

Sipas përcaktimit të bërë në nenin 332/d, pika 3, të Kodit të Procedurës Penale:
“3. Kur gjatë seancës paraprake del se cilësimi juridik i faktit është i gabuar, ose kur akuza nuk është formuluar në mënyrë të qartë dhe të saktë, gjykata fton prokurorin që të bëjë korrigjimet ose saktësimet e nevojshme. Në rast se prokurori nuk vepron, gjykata vendos t’i kthejë aktet. Ky vendim i njoftohet drejtuesit të prokurorisë.”

Ndryshimi i cilësimit juridik nga “Shpërdorim detyre” në “Vjedhja e kryer duke shpërdoruar detyrën”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal” nuk përbën një korrigjim teknik, por një transformim thelbësor të akuzës, i cili kërkon domosdoshmërisht një akt të ri dhe të formalizuar të prokurorisë.

Në rastin konkret, prokurorët e çështjes, ndonëse ranë dakord me cilësimin e ri juridik të fakteve sipas Gjykatës, nuk bënë asnjë veprim në drejtim të korrigjimit ose saktësimit të akuzës së ngritur ndaj Z. Ilir Beqaj.

Gjatë seancës gjyqësore të datës 23.12.2024, pasi Gjykata ftoi prokurorët e çështjes që të bënin një cilësim të ndryshëm juridik të faktit, si dhe më pas në seancat e tjera në vazhdim, Gjyqtarja e seancës paraprake nuk pranoi të sqaronte paraprakisht për palët qëndrimin e saj nëpërmjet një vendimi të ndërmjetëm. Për rrjedhojë, as Prokuroria nuk mundi të vepronte në drejtim të korrigjimit ose saktësimit të akuzës dhe as ne, si mbrojtje e Z. Ilir Beqaj, nuk mund të mbanim një qëndrim në lidhje me cilësimin e ri juridik të fakteve nga ana e Gjykatës.

Procesi gjyqësor u mbyll me deklarimin tonë si mbrojtje se, në rastin konkret, nuk mund të ofronim një mbrojtje efektive.

Më datë 23.01.2025, Gjyqtarja e seancës paraprake e Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, në përfundim të shqyrtimit të kërkesës së Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për dërgimin për gjykim të procedimit penal nr. 13, të vitit 2020, përmes vendimit nr. 13/69, datë 23.01.2025, vendosi dërgimin për gjykim të kësaj kërkese ndaj 9 të pandehurve, ndër të cilët Z. Ilir Beqaj, me akuzën për kryerjen në bashkëpunim të veprave penale: “Vjedhja e kryer duke shpërdoruar detyrën”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 135, neni 28, pika 4, neni 333/a, paragrafi i parë dhe neni 334, pika 1, i Kodit Penal.

Në këtë vendim, ndër të tjera, Gjyqtarja e seancës paraprake shprehet: “Në rastin në gjykim, padijenia e z. Beqaj për gjithçka ka ndodhur haptazi përjashtohet, pasur parasysh formimin e tij si informaticien, por edhe faktin se ishte i kujdesshëm deri në detaje për të gjitha provat, kërkesën për gjykim, procesin gjyqësor dhe për çdo lloj diskutimi në seancën audio gjatë zhvillimit të seancës paraprake.”. Pra sipas Gjykatës: nëse je i arsimuar nuk mund të thuash që nuk dijeni, dhe nëse përpiqesh të mbrohesh në Gjykatë, kjo do përdoret kundër teje. Pra, sipas Gjykatës e drejta për t’u mbrojtur funksionon vetëm nëse nuk e përdor.

Më datë 27.02.2025, në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar u zhvillua seanca e parë gjyqësore para trupës gjyqësore të shqyrtimit të çështjes në themel.

Më datë 28.05.2025, trupa gjyqësore e shqyrtimit të çështjes në themel vendosi ndarjen e çështjes dhe veçimin e Z. Ilir Beqaj nga 8 të pandehurit e tjerë, ndonëse, në referencë të përcaktimit të bërë në nenin 93, pika 1, gërma “ç”, të Kodit të Procedurës Penale, çështja nuk mund të ndahet nëse akuza është ngritur për kryerjen e veprës penale në bashkëpunim dhe, njëkohësisht, në rastin konkret nuk ishim as në kushtet e një marrëveshjeje ndërmjet palëve për ndarjen e çështjes.

Ndonëse Gjykata dëgjoi pretendimet e Z. Ilir Beqaj në lidhje me mungesën, në rastin konkret, të një akuze me shkrim për veprat penale “Vjedhja e kryer duke shpërdoruar detyrën”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, të cilat duhet të ishin korrigjuar dhe saktësuar me shkrim nga Prokuroria e Posaçme gjatë seancës paraprake, sipas përcaktimeve të bëra në nenin 332/d, pika 3, të Kodit të Procedurës Penale, dhe u tërhoq për t’u shprehur në lidhje me to, në momentin që shpalli vendimin, u shpreh vetëm në lidhje me ndarjen e çështjes dhe nuk i dha përgjigje asnjërit prej pretendimeve të Z. Ilir Beqaj.

Më datë 18.09.2025, në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar u zhvillua seanca e parë gjyqësore para trupës së dytë gjyqësore të shqyrtimit të çështjes në themel.

Në seancën gjyqësore të datës 07.04.2026, Prokuroria e Posaçme, më në fund, pranoi dhe deklaroi hapur dhe përfundimisht se akuza ndaj Z. Ilir Beqaj për kryerjen e veprave penale “Vjedhja e kryer duke shpërdoruar detyrën”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal” materializohet vetëm në vendimin nr. 13/69, datë 23.01.2025, të Gjyqtares së seancës paraprake dhe se, përveç këtij vendimi, Prokuroria e Posaçme nuk ka një akt tjetër ku të jenë materializuar korrigjimet apo saktësimet e këtyre akuzave.

Ky pranim është thelbësor, pasi për herë të parë konfirmohet se nuk ekziston një akt akuze i korrigjuar dhe i formalizuar nga organi i akuzës, por se baza e vetme e akuzës është një vendim gjyqësor.

Pra, përfundimisht, Prokuroria e Posaçme pranoi dhe deklaroi para Gjykatës se akuza ndaj Z. Ilir Beqaj është vetë vendimi nr. 13/69, datë 23.01.2025, i Gjyqtares së seancës paraprake.

Kjo situatë nuk përbën thjesht një parregullsi procedurale, por një devijim thelbësor nga ndarja e funksioneve në procesin penal, ku funksioni i akuzës i takon ekskluzivisht prokurorisë dhe jo gjykatës.

Së pari, në rastin konkret, akuza nuk është formësuar nga ana e Prokurorisë, por nga ana e Gjykatës (Gjyqtares së seancës paraprake).

Kjo do të thotë se organi që duhet të gjykojë është i njëjti organ që, në thelb, ka kontribuar në formësimin e akuzës, duke cenuar parimin e paanshmërisë dhe ndarjes së roleve procedurale.

Së dyti, në rastin konkret, trupa e dytë gjyqësore e shqyrtimit të çështjes në themel nuk mund të shqyrtojë një akuzë penale të formësuar dhe ngritur nga vetë Gjykata, por mund të gjykojë vetëm ato akuza penale të formësuara dhe ngritura nga Prokuroria.

Në mungesë të një akti të tillë, gjykata vendoset përballë një pamundësie juridike për të ushtruar funksionin e saj, pasi mungon objekti i ligjshëm i gjykimit.

Së treti, vendimi nr. 13/69, datë 23.01.2025, i Gjyqtares së seancës paraprake (që, në rastin konkret, përbën edhe akuzën ndaj Z. Ilir Beqaj), është një vendim i paankimueshëm proceduralisht.

Kjo e bën situatën edhe më problematike, pasi i pandehuri vendoset përballë një akuze që nuk është formuluar nga prokuroria dhe që, njëkohësisht, nuk mund të kundërshtohet në mënyrë efektive, duke cenuar drejtpërdrejt të drejtën për mbrojtje dhe akses në një mjet juridik efektiv.

Për këto arsye, në seancën e radhës gjyqësore të datës 28.04.2026, që do të zhvillohet para trupës së dytë gjyqësore të shqyrtimit të çështjes në themel, ne, si mbrojtje e Z. Ilir Beqaj, do të parashtrojmë kërkesën për pushimin e çështjes, duke argumentuar se, në rastin konkret, jemi përballë një situate ekstraprocedurale, ku akuza ndaj Z. Ilir Beqaj për veprat penale “Vjedhja e kryer duke shpërdoruar detyrën”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal” nuk është formësuar nga Prokuroria, por nga Gjykata, ndërkohë që Gjykata nuk mund të shqyrtojë akuza të formësuara prej saj, pasi një situatë e tillë cenon në mënyrë të drejtpërdrejtë parimin e paanshmërisë dhe strukturën akuzuese të procesit penal, aq më tepër kur vendimi që i materializon këto akuza është proceduralisht i paankimueshëm.

Në mendimin tonë, neni 332/d, pika 3, i Kodit të Procedurës Penale nuk mund të interpretohet deri në atë pikë sa të pranojë që korrigjimi dhe saktësimi i cilësimit juridik të fakteve të bëhet nga Gjyqtari i seancës paraprake dhe jo nga Prokurori i çështjes.

Një interpretim i tillë do të çonte në një transformim të rolit të gjykatës nga organ gjykues në organ akuze, duke përmbysur strukturën themelore të procesit penal.

Për më tepër, një situatë e tillë cenon drejtpërdrejt nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, pasi i pandehuri nuk informohet në mënyrë të qartë dhe të detajuar për natyrën dhe shkakun e akuzës ndaj tij nëpërmjet një akti formal të prokurorisë.

Për këto arsye, në seancën e radhës gjyqësore të datës 28.04.2026, ne do të kërkojmë pushimin e çështjes, pasi, në mungesë të një akuze të vlefshme të ngritur nga prokuroria, procesi penal është i privuar nga baza ligjore mbi të cilën mund të zhvillohet dhe, për rrjedhojë, nuk mund të vijojë. Në këto kushte, pushimi i çështjes nuk paraqet një opsion procedural, por një pasojë të pashmangshme juridike.

Nëse më datë 28.04.2026 trupa e dytë gjyqësore e shqyrtimit të çështjes në themel do ta rrëzojë kërkesën tonë si mbrojtje për pushimin e çështjes, me arsyetimin se në Republikën e Shqipërisë lejohet që akuza të formësohet dhe të ngrihet edhe nga Gjyqtari i seancës paraprake në zbatim të nenit 332/d, pika 3, të Kodit të Procedurës Penale, duke mbajtur në këtë mënyrë qëndrimin se, në rastin konkret, jemi para zbatimit korrekt të këtij neni, atëherë ne do t’i kërkojmë trupës gjyqësore kontroll incidental në Gjykatën Kushtetuese pikërisht për shfuqizimin e nenit 332/d, pika 3, të Kodit të Procedurës Penale.

Ju faleminderit,

Av. Ermal Yzeiraj dhe Av. Florian Bonjaku

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x