Nga Ethem Ruka
Ajo që ndodhi në gjysmën e parë të vitit 1997, nuk kish ndodhur asnjëherë tjetër në 50 vitet e fundit. Të gjithë bien në një mendje se shkaku kryesor ishte rënia e firmave piramidale, por disa mendojnë se ato shërbyen edhe si shkëndijë për shpërthimin e zëmëratës të grumbullar për disa vite me radhë. Në janar-shkurt të atij viti pllakosi kriza e rëndë ekonomike, e cila një muaj më von u shndërrua në një krizë edhe më të rëndë politike.
Zgjedhjet e grabitura të vitit 1996 u shndërruan në një bumerang për vet qeversijen demokratike. Shteti thuajse kishte rënë dhe ligjin filloi ta bënte rruga. U ndodhëm në prag të një konflikti të madh social që dukej se nuk mund të kontrollohej më nga politika.
Ngjarjet fundëronin marramendësi. Prodhimi i brendshëm bruto në vitin 1997 ra me 7% në krahasim me vitin 1996. Degët që gjeneronin më shumë të ardhura, si ndërtimi, transporti, shërbimet dhe industria e lehtë pësuan dëmtimin më të madh. Rezervat valutore u rrudhën për shkak të ndërprejes së eksporteve vendase. Monedha kombëtare u shvlerësua aq shumë, sa në fund të vititi 1997 një dollar amerikan u shkëmye deri në 195 lekë në kambizmin e rrugës, kur në fund të vitit 1996 ky shkëmbim ishte një dollar me 103 lekë.
Kish humbur kontrolli i shtetit dhe drejtimin e vendit po e merrnin komitetet e shpëtimit kombëtar. U plaçkitën rezervat ushqimore dhe u shpërthyen dyert e depove të armëve. Rrugët u vunë nën kontrollin e bandave. U vranë jo pak burra, gra, djem e fëmijë të pafajshëm.
Kështu e gjetën vendin socialistët dhe aleatët e tyre kur erdhën në pushtet në korrikun e atij viti. Gjithçka ishte prioritare, siguria, lëvizja e lirë, ushqimi, arsimi, trauma sociale e gjithçka tjetër. Në kushte tmerrësisht të vështira mu desh të përballeshe me përgjëgjësinë e lartë që mu besua për të drejtuar arsimin dhe shkencën në Shqipëri. Kurrë nuk do t’iuroja asnjë ministri ta fillonte detyrën siç e filluam ne në vitin 1997.
Nga ta filloje më parë! Shumë e shumë shkolla ishin rrënuar e plaçkitur. Orenditë mungonin, por mungonin edhe dyert e dritaret e tyre. Dëmet llogariteshin me miliona dollarë, në një kohë që fondet për arsimin nuk mjaftonin as për rrogat e mësuesve dhe pedagogëve. Universiteti Bujqësor ishte rrënuar tërësisht. Konviktetet e studentëve ishin zënë nga banorët e sapoardhur nga veriu e jugu. Biblioteka e tij, një nga më të pasurat në Shqipëri, ishte diegur plotësisht. Injoranca kish mundur arsyen.
Qytetit të Studentit në Tiranë i ishin vërsulur peshkaqenët për të përvetësuar mjediset, mencat, kinoklubin dhe disa prej godinave të tij. Buxheti minimal i minsistrisë u gjet gati i shteruar. Kishim vetëm dy muaj kohë për të filluar vitin e ri shkollor, po si mund të fillohej ai në ato kushte? Jeta më kish dhënë një mësim të vyer për të kuptuar se edhe atje ku duket e pa mundur gjithmonë ekziston një mundësi. Unë si minsitër, punonjësit e ministrisë dhe mësuesit heronj të Shqipërisë duhet ta gjenin me çdo kusht këtë mundësi.
Të gjitha gjërat ishin emergjente, por përgatitja e teksteve shkollore ishte edhe më emergjente. Si mund të ulej për herë të parë në bankë një nxënës i klasës së parë pa librin e bukur të abetares? Edhe sikur mjetet financiare të ekzistonin nuk kishte kohë fizike për shtypjen dhe shpërndarjen e librave të rinj. Por nuk qemë aq pa fat.
Në një pasdite të vonët mbriti në ministrinë tonë gjenerali italian Franko Angioni. Siç e mësova më von ai kishte qenë një nga ushtarakët elitarë të forcave të armatosura italiane për shërbime jashtë vendit. E prita pa e ditur qëllimin e vizitës së tij. Nuk e dija që ai ishte i ngarkuar nga qeveria e kryeministrit italian Romano Prodi si komisar i jashtëzakonshëm për nisiativën italiane në mbështetje të Shqipërisë. E gjithë biseda me të u përqendrua në nevojat më të ngutshme për fillimin e vitit të ri shkollor, por veçanërisht për shtypjen e teksteve mësimore.
Nuk vonoi shumë dhe ndihma italiane u bë realitet. Morëm frymë lirisht. Të paktën kishim zgjidhur një gjë jo të vogël, ndryshe viti mësimor do kish filluar me libra të vjetër të huazuar nga një nxënës te tjetri.
Shtypshkronjat shqiptare ishin në fillimet e tyre dhe nuk kishin kapacitetin e duhur për të përballuar në kohë ngarkesën. Një pjesë e teksteve u shtypën në vend, pjesa tjetër në vendet fqinje.
Shpërndarja e teksteve ishte problem më vete. Fatmirësisht gjeta mirëkuptimin e minsitrit të mbrojtjes Dr. Sabit Brokës, i cili vuri në dispozicion kamionët e ushtrisë për shpërndarjen e librave në rrethe. Edhe ky proces nuk kaloi pa probleme. Në disa raste kamionët u grabitën rrugëve dhe librat u shitën në treg të zi.
Tekstet ishin të rëndësishëm, por po kaq e rëndësishme ishte infrastruktura shkollore. Shkollat tona edhe pa u dëmtuar në vitin 1997 ishin në gjendje të rëndë. Vendosëm të kërkonim ndihmën e mësuesve shqiptarë. Mblodhëm gjithë drejtursit lokalë të arsimit dhe folëm hapur si miq. U kërkuma atyre të njëtën gjë të bënin me mësuesit në rrethe. Përtej të gjitha vështirësive duhet të fillonim me çdo mënyrë vitin e ri shkollor.
U kërkova drejtuesve se edhe atje ku shkollat ishin rrënuar mësimi të zhvillohej edhe pa banka edhe pa dritare e dyer. Nëse nuk kishte dërrasa të zeza e dhe shkumës të përdornin në mënyrë figurative pllaka guri dhe të shkruanin në to me thëngjij zjarri, të gjenin kartonë për të mbyllur dritaret dhe të rregullonin vet çatitë që pikonin.
Po çmund të them sot pas kaq vitesh për mësuesit shqiptarë! Për mua ata ishin të gjithë heronj dhe mbetën të tillë. Edhe pse me rroga të ulëta, edhe pse shumë prej tyre duhet të udhëtonin të pasigurt e në këmbë për të mbritur në shkollat e fshatrave, e përballuan këtë sfidë me me shpirt e zemër. Pa mbështetjen e tyre viti shkollor nuk do të kishte qenë i mundur.
E çfarë është në fund të fundit një ministër arsimi? Ai është thjesht një mësues si gjithë mësuesit e pedagogët e tjerë. Urdhërat e udhëzimet pa dyshim kanë vlerë, por kur mesazhet njerëzore arrijnë në zemrat e mësuesve kanë edhe më shumë vlerë. Është shpirti njerëzor që vë në lëvizje gjithçka dhe i tejkalon edhe dallimet politike.
Shumë prej mësuesve të atyre viteve, sot janë të moshuar dhe nuk punojën më. Kurrë nuk është von të përulemi para punës dhe përkushtimit të tyre fisnik në shërbim të vendit. Brezat e sotëm aktivë janë nxënësit e tyre. Pasaportat e tyre të së ardhmes u firmosën nga ai brez mësuesish idealist.
Me shumë vështirësi, por viti mësimor i shtatorit të vitit 1997 filloi dhe u përballua nga fryma e shenjtë e mësuesve e mesueseve shqipatare. Edhe Tirana që priste çdo vit rreth 3000 nxënës të ardhur ja doli, ndonse me turne dhe me shumë nxënës nëpër klasa.
Ja dolëm edhe me Universitetin Bujqësor. Kurrë nuk i pranova propozimet për ndryshimin e kampusit të këtij univeristeti në vende të tjera. Ai kishte kampusin më të mirë ndër të gjitha universitetet e vendit dhe atje duhej të vazhdonte. Vendimi pë rihapjen e tij në kushte ekstreme ishte vendimi më i vështirë që mora në fillimet e mia si ministër.
Fillimi i vitit të ri mësimor ishte edhe një rimarrje shpirtërore për gjithë shoqërinë shqiptare të traumatisuar prej muajsh të tërë. E prita me ankth ditën e fillimit të vitit të ri shkollor. Ishte një nga ditët më të mrekullueshme të jetës sime, por edhe të gjithë punonjësve të Ministrisë së Arsimit dhe msuesve të thjeshtë shqiptarë. Ne bashkarisht e gjetëm mundësinë edhe pse në fillim na dukej e pamundur.
E di që rrëfenja të tilla shpesh nuk besohen. Ka nga ata që i bien shkurt dhe i qaujnë tepërime e për më keq edhe trillimi. Nuk është kështu. Dëshmitar është një brez i tërë e mbi të gjitha dhjetra mijë mësues të atyre viteve.