25.5 C
Tirana
23 / 07 / 2024

Zv.dekani zbulon 10 arsyet: Pse maturantët duhet të zgjedhin Drejtësinë te Luarasi/“Akreditim maksimal, staf akademik i kualifikuar, bursa dhe punë e garantuar”

Vetëm dy ditë na ndajnë nga 2 shtatori, datë kur maturantët duhet të bëjnë një nga zgjedhjet më vendimtare të jetës. Në gamën e gjerë të alternativave që ofrohen në tregun universitar, “Luarasi” me katër fakultetet e tij bën diferencë. Veçanërisht ai i Drejtësisë, mbi të cilin është krijuar universiteti që mban dhe rrit vlerat vit pas viti. Numri 2 i këtij fakulteti, dr. Admir Belishta, ka sjellë edhe një herë në vëmendje dhjetë arsyet përse të rinjtë duhet t’i besojnë të ardhmen “Luarasit”.


Në Shqipëri funksionojnë një tërësi universitetesh dhe fakultetesh publike dhe jopublike. Ajo që i bën bashkë të gjitha këto universitete dhe fakultete është ofrimi i dijes apo i mësimdhënies, por kur vjen fjala për cilësinë e këtij lloj shërbimi publik, sigurisht që midis tyre ka një vijë ndarëse, e cila bën dhe dallimin apo diferencën. E nëse referohemi tek analiza e fakulteteve të Drejtësisë konstatojmë se te ne janë një numër i konsiderueshëm fakultetesh të tilla, por pa hezitim dhe me plot argumente, si lider në këtë fushë do të veçonim Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin “Luarasi”.

Është një fakultet i krijuar në vitin 2003, me një eksperiencë të konsoliduar në fushën e mësimdhënies, gati 20-vjeçare, që ka dhënë prova për kredibilitetin e vet. Me këtë fakultet identifikohet dhe simbolizohet themelimi i vetë universitetit “Luarasi”, i cili u jetësua nga një emër i njohur për juristët dhe jo vetëm, nga profesor doktor Aleks Luarasi, profesori i Drejtësisë, i cili shërbeu për disa dekada në sektorë të ndryshëm të drejtësisë, deri dhe në përfaqësimin e shtetit shqiptar në Komisionin e Venecias.

Të listosh apo nominosh faktet diferencuese dhe konkurruese të këtij fakulteti, padyshim që nuk është aq e lehtë, pasi ato janë të shumta, por te ky shkrim do të ndaleshim vetëm te 10 faktet apo arsyet më kryesore që i japin fakultetit cilësinë e liderit në fushën e drejtësisë.

I. Vlera akredituese e programeve dhe e diplomave të universitetit “Luarasi” në përgjithësi dhe Fakultetit të Drejtësisë në veçanti. Në këtë drejtim duhet evidentuar fakti se akreditimi i universitetit “Luarasi” është bërë për një periudhë 6-vjeçare, maksimumi i afatit të akreditimit apo certifikimit që ka bërë Agjencia Britanike që ka akredituar universitetet shqiptare.

II. Programi i studimit 5-vjeçar, me master të integruar e ku këtë vit jemi në vitin e tretë të këtij programi. Përqasja e kurrikulave dhe e moduleve me rëndësi teorike dhe praktike, e në harmoni të plotë me ato të fakulteteve homologe, vendase dhe të huaja, duke qenë jo vetëm bashkëkohore, por edhe sipas standardeve europiane, organizëm ku vendi ynë synon anëtarësimin e plotë.

III. Stafi akademik dhe ai administrativ i kualifikuar, me eksperiencë të konsiderueshme dhe tepër i përkushtuar, në funksion të çdolloj trajtimi kërkesash të studentëve. Aktualisht po synohet marrja e profesorëve me tituj shkencorë prof. asc dhe prof.. dr., duke përzgjedhur në këtë mënyrë jo vetëm staf akademik të nivelit të lartë shkencor, por edhe me eksperiencë të konsoliduar në profilet apo fushat e së drejtës. Pikërisht për shkak të këtyre kapaciteteve apo burimeve njerëzore akademike, me grada e tituj shkencore, ne si fakultet jemi duke synuar aplikimin për studime të thelluara doktorale në drejtësi. Gërshetimi i dijeve teorike të studentëve, me eksperiencën praktike, përbën një element shumë pozitiv dhe dallues në raport me fakultetet e tjera. Kjo gjë në sajë të përzgjedhjes së stafit akademik edhe me eksperienca të gjata dhe të konsoliduara në fushën e praktikës. Një gjë e tillë i shërben se tepërmi studentëve në formimin e tyre.

IV. Frekuentimi apo pjesëmarrja masive e studenteve në leksione dhe seminare, duke mbushur auditorët e fakultetit. Kjo përbën një tregues sinjikativ në lidhje me cilësinë e mësimdhënies. Stafi akademik i kualifikuar dhe aplikimi prej tij i formave apo metodikave produktive dhe eficiente në mësimdhënie përbën një aset apo tipar dallues në raport me fakultetet dhe universitetet e tjera. Cilësia e mësimdhënies është çelësi apo guri i suksesit në Fakultetin e Drejtësisë “Luarasi”. Ky tregues i prekshëm ka ndikuar dukshëm jo vetëm te treguesit sasiorë të studentëve, por edhe te performanca, emri apo integriteti i vetë Fakultetit të Drejtësisë së universitetit “Luarasi”.

V. Tregu i garantuar i punës, i studentëve që mbarojnë Fakultetin e Drejtësisë të universitetit “Luarasi”. Në lidhje me ketë aspekt duhet të nënvizojmë faktin se studentët që kanë dalë nga auditorët e këtij fakulteti kanë qenë të parët nga universitetet jo publike që kanë fituar konkursin e Shkollës së Magjistraturës e që sot ky numër nga ky fakultet është rritur ndjeshëm. Sot ky numër shkon ne disa, gati dyshifror, të cilët i gjejmë gjyqtarë dhe prokurorë në sistemin e drejtësisë. Jo vetëm kaq, por studentët që kanë përfunduar këtë fakultet drejtësie i gjejmë sot të punësuar edhe në sektorë shumë të rëndësishëm të administratës shtetërore, si dhe në atë të sipërmarrjes private.

VI. Funksionimi prej disa vitesh në këtë fakultet i Masterit Profesional të Sigurisë. Ndërkohë që jemi duke aplikuar edhe për një master tjetër specifik dhe unik në vendin tonë, siç është ai i Diplomacisë. Po kështu, jemi në fazën e organizimit dhe funksionimit të kurseve disamujore të certifikuara, për trajnimin e konsulentëve apo këshilltarëve ligjore në lidhje me investitorët e huaj. Ky trajnim profesional do të konsistojë në fushën e kuadrit ligjor, si dhe të kontratave, qe garanton jo vetëm praninë e investitorëve të huaj, por edhe sipërmarrjen e tyre në vendin tonë.

VII. Sistemi i bursave për studentet e shkëlqyer, por jo vetëm, ku përfshihen edhe ata që iu përkasin targetgrupeve në nevoje etj. Kjo përbën një sistem vlerësimi, suporti dhe promovimi vlerash, tashmë të konsoliduar në Fakultetin e Drejtësisë në veçanti dhe universitetin “Luarasi” në tërësi.

VIII. Pjesëmarrja dhe asistimi nga studentët në programe të ndryshme arsimimi apo trajnimi. Evidentojmë këtu faktin e ndjekjes me kohë të plotë semestrale të Programeve Erasmus, nëpër fakultete të njohura jashtë vendit, nga studentet e Fakultetit të Drejtësisë të universitetit “Luarasi”. Këto eksperienca dhe përvoja, përveçse konkurruese midis vetë studentëve, iu ka shërbyer së tepërmi studentëve pjesëmarrës, në formimin e tyre profesional.

IX. Pjesëmarrja e studentëve në konkurse të ndryshme kombëtare, rajonale dhe ndërkombëtare. Studentët e Fakultetit të Drejtësisë të universitetit “Luarasi” kanë marrë pjesë, duke bërë një paraqitje të shkëlqyer në dy kompeticione të rëndësishme, të cilat ishin konkurse në formë gjyqesh imituese. Theksojmë faktin se në njërin konkurs, atë të Moot Court, në dy vitet e fundit ky fakultet ka qenë në finale, e ku vitin e fundit u shpall fitues kombëtar. Jo vetëm kaq, por u paraqit denjësisht edhe në rajon, në qytetin e Nishit, Serbi, duke arritur dhe perfomancën më të mirë të Shqipërisë në këtë kompeticion. Ndërkohë që në konkursin e fundit, të vetëm para pak muajve, ky fakultet u shpall përsëri fitues në konkursin e organizuar nga Halimi Foundation Institute, mes 16 fakulteteve të drejtësisë shqipfolëse, e ku skuadra fituese përveç stimulit material pret dhe një vizitë studimore në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut, në Strasburg. Këta tregues flasin qartësisht për cilësinë e studentëve dhe të stafit pedagogjik të këtij fakulteti drejtësie.

X. Trajnimet praktike përbëjnë vlera unike dhe të veçanta, të cilat e dallojnë nga të tjerët këtë fakultet Drejtësie. Këtu mund të ndalemi te dy komponentë apo elementë evidentues. Konkretisht te: Klinika ligjore “Luarasi”, e cila është një histori unike suksesi, krahasuar me të gjitha fakultetet e tjera të drejtësisë.. Treguesit e saj cilësorë dhe sasiorë e dëshmojnë një fakt të tillë. Duhet theksuar fakti se kjo klinikë kryen njëkohësisht disa funksione, ku jo vetëm ofron shërbime apo ndihmë juridike parësore falas për personat në nevojë, por njëherazi iu mundëson studentëve rritjen e nivelit të tyre profesional në dimensionin praktik, nëpërmjet ushtrimit prej tyre në këtë klinikë, të praktikave mësimore apo profesionale. Kjo sigurisht përbën një element tjetër domethënës të këtij fakulteti.

Pjesëmarrja e studentëve për çdo vit akademik nëpër gjyqe imituese apo simuluese, të zhvilluara në salla reale gjykimi në gjykate, duke u kthyer një gjë e tillë në një traditë dhe praktikë të konsoliduar për studentët dhe vetë fakultetin. Kjo sigurisht ndikon në formimin e tyre si juristë të ardhshëm edhe në aspektin apo dimensionin praktik.

Pra, për të gjitha këto fakte dhe tregues të matshëm dhe të prekshëm, të cilat konstatohen lehtësisht në Fakultetin e Drejtësisë të universitetit “Luarasi”, mund të themi pa hezitim që ky fakultet përbën një model në fushën e arsimit në Shqipëri, njëherazi bën dhe diferencën midis fakulteteve të drejtësisë, jo vetëm atyre jo publike, por edhe atyre publike. Duke qenë se tashmë është momenti kohor i duhur, Fakulteti i Drejtësisë i universitetit “Luarasi”, dekanati dhe stafi akademik i këtij fakulteti, u drejtohet dhe fton të gjithë maturantët që kanë zgjedhur këtë fakultet gjatë plotësimit të formularit, që të bëhen pjesë e programit të studimit të këtij fakulteti, si një fakultet serioz dhe dinjitoz, i cili garanton karrierën e tyre profesionale. Koha për të vendosur është pikërisht tani. Investoni për profesionin dhe të ardhmen tuaj.

Zv.dekan i Fakultetit të Drejtësisë, Universiteti “Luarasi”

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x