Një proces të turpshëm i quan ish-deputeti i PD, Ervin Salianji zgjedhjet pa garë në Partinë Demokratike, që rikonfirmuan Sali Berishën në krye të partisë. Salianji tha se ky proces ishte farsë dhe se Berisha shkeli standardet më bazike të partisë.
Sipas tij janë manipuluar shifrat e pjesëmarrjes dhe në proces kanë marrë pjesë vetëm 5 mijë anëtarë, jo 39 441 sa ka pretenduar PD.
“Zgjedhjet për kreun e PD u kthyen në një proces të turpshëm dhe parodi, që e keni ndjekur në çdo cep të Shqipërisë. Votuan jo më shumë se 5 mijë anëtarë, duke e braktisur Berishën në farsën për të uzurpuar PD-në.
Ishte një proces i deformuar dhe i kontrolluar nga vullneti i Berishës për të pasur nën kontroll PD-në për interesa të tij personale. Shkeli standardet për funksionimin e një partie, e interpretoi Statutin sipas interesave momentale. M’u ndalua garimi mua kur ma lejonte Statuti, ndërsa ai garoi edhe pse ia ndalonte Statuti.
Më parë tha se Bashës ia vodhën zgjedhjet dhe duhet të vij unë në krye të partisë që kjo të mos ndodhë më.
Tashmë me këtë proces, çdo vendim i marrë nga Berisha është nul. Sapo kam nisur të shpreh kritikat për drejtimin e PD nga Berisha, ka nisur një breshëri sulmesh për të trembur konkurrentët e tjerë potencialë, gjë që dha efekt te kolegët që mbetën të strukur’, tha ai.
Problemi në këtë rast nuk është vetëm një individ, jemi 36 vite pas rënies së diktaturës. Ka një brez tjetër, mendësi tjetër dhe përpjekja ime ka qenë që të shembim një model politik që është instaluar dhe po vazhdon të qëndrojë me forcë, ku nuk ka qarkullim elitash. Kemi nevojë për një PD ku zbatohen rregullat, ku gara është reale dhe ku askush nuk është mbi statutin. Çdo forcë politike që refuzon rinovimin, përfundon duke humbur mbështetjen qytetare. Kjo nuk është betejë për karrige personale, por për standarde dhe rikthimin e besimit tek demokratët dhe shqiptarët. Pjesa tjetër ishte që pjesëmarrja ishte minimale. Sipas monitorimit që kemi bërë në çdo degë nga demokratët që duan ndryshim, nuk kanë marrë pjesë më shumë se sa 5 mijë anëtarë”, tha Salianji.
- “Zgjedhjet në PD, proces i turpshëm”, Salianji: Demokratët e braktisën Berishën, shifrat u manipuluan, morën pjesë vetëm 5 mijë anëtarë - 26/05/2026
- Nga “Themeloret” te kapitujt 23 dhe 24! Zbardhet agjenda e Konferencës së sotme Shqipëri-BE - 26/05/2026
- Udhëheqësi suprem i Iranit: SHBA-të nuk do të kenë më strehë të sigurt në Gjirin Persik - 26/05/2026