20.5 C
Tirana
19 / 04 / 2025

Lakuriqët e Bashkimit Evropian

Nga Ledio Alite

(S’)E duam Shqipërinë, si gjithë Europa! 

Është shumë e rëndësishme që analizat pompoze e makro-politike në banaqet e këtij vendi të shkatërrohen dhe të dalim drejt e në temë. Dhe kjo është shumë e thjeshtë. Duke pyetur njëri-tjetrin, si jetojmë ne shqiptarët sot?

Informacionet zyrtare nga databaza më e besueshme e matjes së kostove të jetesës (Numbeo) na tregojnë se, në Tiranë, një familjeje prej katër personash në Shqipëri u duhen rreth 237 mijë lekë të reja për të përballuar shpenzimet mujore, pa qira. Ndër të tjera, shpenzimet mujore të një personi, pa qira, janë rreth 66 mijë lekë të reja, ndërkohë që paga mesatare neto me një tolerancë në rritje llogaritet rreth 70 mijë lekë të reja, e ku kostoja e qirave llogaritet minimalisht nga 40 mijë deri në 60 mijë lekë të reja.

Për të mos shkuar më larg se lumi Danub, po ndalojmë në Zagreb të Kroacisë, vendin e afërt dhe të anëtarësuar më vonë në Bashkimin Evropian, me popullsinë e të cilit ndajmë disa të përbashkëta. Në këtë qytet, një familjeje prej katër personash me të vërtetë u duhen rreth 2675 Euro në muaj për të përballuar shpenzimet, por paga mesatare neto llogaritet rreth 1,500 Euro, ndërkohë që shpenzimet e një personi në muaj janë rreth 770 Euro, pa qira. Një qytet ku kostoja e qirave minimalisht varion nga 566 Euro në 715 Euro. 

Diferenca midis Tiranës dhe Zagrebit (BE), që nuk do matematikan ta evidentojë, është java e fundit apo dhjetë ditët e fundit të muajit, ku në Tiranë, bie muzgu dhe shumica e punëtorëve detyrohen ta kalojnë me gjumë për të shmangur shpenzimet, ndërkohë që në Zagreb vijohet normalisht drejt ditës së ardhshme të pagave. 

Diferenca midis Tiranës dhe Zagrebit (BE), është frika e të rinjve për të ndërtuar familje dhe/ose pritur një fëmijë, për shkak të stresit dhe halleve që i presin nga shtimi i shpenzimeve.

Diferenca midis Tiranës dhe Zagrebit (BE), është presioni për të shkelur rregullat vetëm me qëllimin për të mbijetuar, shkatërrimi i normave të mirënjohjes dhe ndershmërisë si shkak i presionit për të përballuar shpenzimet. Ku pensionistët dhe të paaftët janë harruar me kohë në barkat e lumit drejt humnerës së ngadaltë. 

Diferenca midis Tiranës dhe Zagrebit (BE) është se askush në Tiranë nuk arrin ta shpjegojë se si disa njerëz pasurohen kaq shpejt, dhe të gjithë hallexhinjtë e tjerë hapin sytë, presin autobusin, lajnë për të qindën herë po të njëjtat rroba, dhe kujdesen mos kalojnë nga marketi i lagjes me qëllim që të shmangin kujtesat për të shlyer listat e pazareve.

Kjo është situata reale. Çdo gjë tjetër është rrenë dhe makijazh.

Liria ekonomike, është liri politike. Ndaj dhe njerëzit jo të lirë ekonomisht, nuk mundet kurrë të jenë të lirë politikisht. Sepse instiktet primare të mbijetesës prevalojnë në çdo kohë për shumicën, edhe pse jo për pakicën trime. 

Dhe për këtë shkak, nëse Evropa nuk është më ajo e dikurshmja, mund të ndodhë që me 14 mijë lekë të vjetra kilen e djathit, shqiptarët të valëvisin lakuriq por krenar në oborrin e BE flamurin e tyre.

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x