Nga Albatros Rexhaj
Ivica Daçiq ka lindur në Prizren. Edhe unë.
Ai lindi më 1 janar 1966. I ati ishte polic serb, i ardhur nga Serbia me shërbim në qytetin tonë. Ishin vitet e Rankoviqit, dhe shqiptarët e Kosovës e dinë çfarë ishte policia e atyre viteve për ta. Gjashtë muaj pas lindjes së djalit, familja u kthye në Serbi. Unë jam vendas, me rrënjë malësore ndër breza. Nuk e di çfarë kujtimesh mund të ketë njeriu nga gjashtë muajt e parë të jetës. Të miat i di.
Të mërkurën, më 7 tetor, në një tubim zgjedhor në Rashkë, pak larg kufirit të Kosovës, Daçiqi u tha njerëzve të vet: “Herët a vonë flamuri serb do të valojë mbi Prizren, të jeni të sigurt.” Pastaj shtoi vetë: “Do të thonë se po kërcënojmë dikë.”
Ka të drejtë. Kështu themi.
Sot ai është zëvendëskryeministër dhe ministër i Brendshëm i Serbisë. Komandon policinë e saj. Në vitet ‘90 ishte zëdhënësi i partisë së Sllobodan Millosheviqit. Dy ditë pas fjalimit të tij, në tubimin e Vuçiqit në Kragujevc, krah djalit të presidentit doli Milan Radoiçiqi, njeriu që e ka marrë përsipër sulmin e Banjskës.
Unë e kam dëgjuar këtë gjuhë një herë. Më 1988 isha katërmbëdhjetë vjeç. Isha rritur me vëllazërim-bashkimin dhe e besoja. Nuk e kuptoja nga doli gjithë ajo urrejtje.
Tre vjet më vonë, në shtator 1991, policia serbe na ndaloi te dera e shkollës. Bashkëmoshatarët tanë serbë hynë. Ishin ata me të cilët kishim luajtur në lagje, me të cilët kishim kujtime fëmijërie. Nuk thanë asnjë fjalë. Shokët tanë të fëmijërisë mendonin se shkolla u takonte vetëm atyre. Aty e kuptova se për ta ne ishim diçka më pak se njerëz.
Së pari erdhën fjalët. Pastaj na u mbyll dera. Shtatë vjet më vonë erdhën tanket, e me to varret dhe kolonat e njerëzve drejt kufirit. Brezat e rinj nuk e mbajnë mend atë kohë. Dua të mbetet kështu.
Për këtë po u shkruaj dy njerëzve: Edi Ramës dhe Albin Kurtit. Ju jeni kryeministrat e dy shteteve të një kombi. Sherret tuaja i kemi dëgjuar të gjitha, e shpesh kemi mbajtur anë. Sot nuk më intereson kush e nisi sherrin. Më intereson kush e lë mënjanë i pari.
Serbia ka ndarë këtë vit për ushtrinë 3,3 për qind të gjithë prodhimit të saj. Ka blerë raketa kineze që fluturojnë disa herë më shpejt se zëri. Po kthen shërbimin e detyrueshëm ushtarak. Në shtator, në Peshter, ushtria e saj stërviti atë që vetë e quajti “operacion sulmues”, me udhëheqjen e Republikës Sërpska në tribunë. Askush nuk e kërcënon Serbinë. Asnjë fqinj nuk kërkon tokë prej saj. Për kë janë, pra, gjithë këto armë? Daçiqi e tha me emër.
Kroatët, që i njohin serbët më mirë se kushdo, nuk e fshehin më. Më 2 tetor, në Zarë, ministri i tyre i Mbrojtjes, Ivan Anushiq, tha se “askush nuk blen kaq shumë armë vetëm sa për t’i pasur”. Kroacia, tha, nuk është caku i parë, “por fatkeqësisht disa shtete fqinje mund të jenë”. Serbia ka dy fqinjë jashtë NATO-s: Bosnjën dhe Kosovën. Unë u besoj kroatëve. Edhe ata e kanë dëgjuar këtë gjuhë një herë. Serbia po përgatitet për luftë.
Bota ka ndryshuar. Retë e luftës po mblidhen mbi Evropë. Lufta në Ukrainë ka hyrë në vitin e pestë. Rregullat me të cilat u rritëm, se kufijtë nuk ndryshohen me forcë dhe se Amerika vjen gjithmonë, nuk janë më të sigurta.
Do të më thoni se Kosova ka KFOR-in. E ka, dhe për këtë flemë të qetë. Të qetë flinin edhe armenët e Karabakut. Ata i ruanin rreth dy mijë ushtarë rusë. Azerbajxhani u armatos për vite me paratë e naftës, ndërsa armenët merreshin me njëri-tjetrin. Priti derisa Rusia u zhyt në Ukrainë. Më 19 shtator 2023 sulmoi. Lufta mbaroi brenda një dite. Ushtarët rusë nuk lëvizën nga kazermat. Brenda një jave mbi njëqind mijë armenë lanë shtëpitë ku kishin lindur.
NATO-ja nuk është Rusia, e di. Por Azerbajxhani nuk e mundi Rusinë. E priti të ishte e zënë. Unë besoj se Beogradi e ka lexuar këtë histori me laps në dorë dhe se po e ndjek pikë për pikë: armatoset, stërvit sulmin dhe pret ditën kur NATO-ja ta ketë mendjen gjetkë, për një luftë rrufe që mbaron para se bota të zgjohet.
Dhe ne, ushtarakisht, jemi të dobët. Kjo duhet thënë pa u skuqur.
Nën zhurmën e sherrit, megjithatë, vetëdija kombëtare ka ecur përpara. Më 18 mars 2025, në Tiranë, Shqipëria, Kosova dhe Kroacia nënshkruan një deklaratë bashkëpunimi në mbrojtje. Shtetet e kishin kuptuar rrezikun edhe kur burrat në krye të tyre ishin të zënë me njëri-tjetrin.
Sivjet sinjalet kanë ardhur nga të dy. Në shkurt Edi Rama erdhi në Prishtinë për promovimin e librit të një miku, Ahmet Shalës. Kishte ardhur për një libër. Albin Kurti i shtroi tapetin e kuq dhe e priti me ceremoni zyrtare. Në mars Rama i tha gazetës Türkiye Today: “Nëse Kosova preket, preket edhe Shqipëria. Nëse Kosova është nën kërcënim ekzistencial, Shqipëria është nën kërcënim ekzistencial.”
Pastaj erdhi 14 korriku. Rama ishte në një televizion serb dhe deshën ta shtynin të fliste kundër Kurtit. Mund ta kishte bërë. Nuk e bëri. “Mos më kërkoni”, tha, “të them në gjuhë të huaj gjëra për Albin Kurtin dhe për vëllezërit e motrat e mia në Kosovë.” Ka gjëra që nuk i thuhen kundërshtarit të përbashkët, sado i zemëruar të jesh me tëndin.
Në shtator, kur kundërshtarët ia quanin Kurtit Kuvendin jolegjitim, e me të edhe Qeverinë, Rama e uroi. Katër sinjale, nga shkurti në shtator.
Tani sinjalet duhen kthyer në punë. Kurti premtoi në shkurt, para Kuvendit, një miliard euro për mbrojtjen, dhe mirë bëri. Për më shumë se një vit Kosova nuk kishte institucione të plota, e kjo ishte arsye për të pritur. Sot ka Kuvend, Qeveri dhe Presidente. Arsyeja ka mbaruar. Kemi shumë më tepër sesa kishim më 1998, dhe ende nuk kemi bërë me të aq sa duhet. Nuk kemi kohë për t’u humbur në detaje ideologjike a në hatërmbetje nga e shkuara.
Më 28 Nëntor mblidhni dy qeveritë në Vlorë. Për flamurin kemi folur një jetë të tërë. Atë ditë flisni për njerëzit që jetojnë nën të.
Flisni për mbrojtjen dhe për paratë që ajo kërkon, sepse kemi investuar pak. Na duhet një industri ushtarake e jona, që së paku municionin ta prodhojmë vetë, dhe sistemet moderne që na mungojnë. Na duhen të rinj që e duan këtë vend pa pasur nevojë ta humbasin më parë, dhe diaspora jonë në Evropë e në Amerikë, me dijen, paratë dhe dyert e hapura që ka.
Dhe thirrni opozitën, në Tiranë e në Prishtinë. Jo çdo gjë duhet të jetë sherr e tension. Në disa gjëra duhet të jemi të gjithë bashkë, dhe mbrojtja është e para. Ajo nuk është pronë e pushtetit dhe nuk ndryshon sa herë ndryshon qeveria. Armenët merreshin me njëri-tjetrin deri ditën e fundit.
Mendojeni natën kur diçka nis në veri të Kosovës. Nëse atë natë Tirana dhe Prishtina nuk kanë një plan të përbashkët, askush nuk do t’i mbajë mend sherret tona shqiptare. Do të pyesin vetëm ku ishit ju të dy kur kishte ende kohë.
Burrat që u mblodhën në Vlorë më 1912 nuk mendonin njësoj dhe nuk duheshin të gjithë mes tyre. Askush nuk ju kërkon të bëheni miq. Vetëm nuk keni të drejtë ta lini sigurinë e shqiptarëve peng të marrëdhënies suaj.
Unë nuk jam më katërmbëdhjetë vjeç. Nuk besoj më se urrejtja kalon vetëm pse njerëzit e arsyeshëm duan të kalojë. E di si është të mbetesh jashtë derës, ndërsa ata që mund të flasin heshtin. Nuk dua që një fëmijë shqiptar ta mësojë më këtë.
Daçiqi, që lindi në qytetin tim, e tha ku e do flamurin e Serbisë. Më 28 Nëntor është Dita e Flamurit. Ku do të jeni?
- Autokratët “demokratë”, Noli e dinte - 11/10/2026
- Ku do të jeni më 28 Nëntor? - 11/10/2026
- “A dini të drejtoni helikopterin?”, Erdogan ia beson Marta Kos udhëtimin me trenin e ri drejt Evropës - 11/10/2026