Nga Mero Baze
Në qershor të vitit 2017 isha duke parë ndeshjen Shqipëri–Izrael në stadiumin “Sammy Ofer”. Shqipëria fitoi 3 me 0. Ai që na kishte prerë biletat i kishte siguruar ato në tribunën e tifozëve izraelitë. Kur shënuam golin e parë pati qetësi të madhe dhe, po të mos ishin katër gra që u ngritën në këmbë duke bërtitur “gol”, nuk do ta kisha marrë vesh që shënuam. Shto këtu edhe kusuret e vëmendjes sime ndaj futbollit.
Meqë na zuri turpi, bërtitëm edhe ne dhe gratë kthyen kokën.
– Nga jeni ju, vëlla?
– Nga Shqipëria.
– Nga Vlora jemi ne.

Tribuna e tifozëve të Izrealit. Tel Aviv 11 Qershor 2017.
Ishin katër gra rreth të pesëdhjetave, hebreje të lindura dhe të rritura në Vlorë gjatë komunizmit, të cilat ishin larguar prej andej për në Izrael në vitin 1990. Ishin tifoze të Shqipërisë në mes të Izraelit. Madje në tribunën e fanatikëve të ekipit izraelit. Na dhanë zemër edhe neve që të bërtisnim. Ishin aq të lumtura sa herë shënonte Shqipëria — dhe, për fat, ndeshja përfundoi 3 me 0 — sa dukej sikur ajo me të cilën krenoheshin më shumë në jetë ishte jeta e tyre në Shqipëri.
Tani i përfytyroj këto katër gra, të rritura si vajza në Vlorë, të kthehen në lagjen e tyre në Muradie, të kalojnë nëpër rrugicën e hebrenjve apo të shkojnë të shikojnë muzeun e hebrenjve që do të ndërtohet në Vlorë dhe aty t’u dalë përpara ndonjë nga këta flamingot “patriotë” e t’u thotë: “Ju nuk keni vend këtu, se jeni hebrenj. Vlora është e vlonjatëve.”
Ato me siguri do të qeshin dhe do të gëzohen që ndihen vlonjate, pasi nuk u shkon mendja se antisemitët që po përpiqen të ngjallen në Shqipëri janë kaq banalë. Do të mendojnë se dikush po bën shaka.
Për hebrenjtë ka shumë mite rreth cilësive të tyre personale, mes të cilave nuk mungon asnjëherë miti se janë të zgjuar. Hebrenjtë, të cilët e kanë bërë Vlorën një qytet më të mirë nga sa e kanë gjetur, e kanë bërë po ashtu edhe një qytet më të zgjuar.
Një nga vlonjatët më të shquar të historisë sonë, Eqrem bej Vlora, i cili ka qenë ministër i Jashtëm në një qeveri nën pushtimin gjerman që përndiqte hebrenjtë, kishte një mësuese hebreje nga Zvicra, e cila u mësonte gjermanisht vajzave të tij. Në atë kohë ai jetonte në vilën në fillim të Rrugës së Durrësit, ku sot ndodhet selia e Nuncit Apostolik.
Çdo pasdite, roja e tij, një ushtar gjerman, ishte i detyruar ta përshëndeste me mirësjellje në gjermanisht mësuesen hebreje, sa herë që ajo vinte në orën pesë. Pasi i kishte mbrojtur hebrenjtë përpara autoriteteve gjermane, duke argumentuar se shqiptarët funksiononin me kode zakonore dhe se u kishin dhënë besën, ai detyronte edhe ushtarin gjerman ta përshëndeste me përkulje një hebreje të Zvicrës.
Tani shumica e hebrenjve nuk jetojnë më në Vlorë dhe, natyrisht, Eqrem Beu është i varrosur në Kaninë.
Flamingot, që kanë shpikur se hebrenjtë po pushtojnë Vlorën dhe do të na marrin Zvërnecin dhe Sazanin, tani janë të shqetësuar se do të ndërtohet edhe një muze për ta në Vlorë.
Muzeu do të sjellë dëshmi se si ata jetuan me ne dhe se si ne i mbrojtëm në ditë të vështira. Ata që i mbrojtën ishin vlonjatë. Ata që jetuan dhe u martuan me ta ishin vlonjatë. Ata që bënë tregti me ta ishin vlonjatë. Historia e hebrenjve është histori e Vlorës. Ata, kudo që shkojnë, e marrin atë me vete si pjesë të identitetit të tyre.
Në mes të Izraelit, ato katër gra vazhdonin të thoshin: “Jemi vlonjate”, edhe pse kishin kaluar më shumë vite të jetës në Izrael sesa në Vlorë. Dhe gëzoheshin që Shqipëria fitoi ndaj Izraelit.
Kurse këta flamingot duan ta mohojnë historinë e ndritur të Vlorës. Shkrimtarja jonë e talentuar Ani Wilms botoi vitin e kaluar një nga romanet më të mira të letërsisë shqipe, duke marrë shkas nga historia e një familjeje hebreje në Vlorë dhe nga përfshirja e saj në gjithë jetën politike, ekonomike dhe kulturore të qytetit. Romani dëshmon se historia e tyre është edhe historia e vlonjatëve të mirë dhe fisnikë, e atyre që meritojnë të kenë një muze, sepse kanë çfarë të tregojnë.
Ah, po. Sot ideologët e tyre ishin të shqetësuar edhe sepse ministri i Jashtëm i Izraelit e kishte ngritur në qiell Edi Ramën me lavdërime. Edhe kjo është pjesë e konspiracionit se Izraeli po blen Shqipërinë, e thënë nga të njëjtët njerëz që bëjnë humor me ata që pretendojnë se flamingot sponsorizohen nga Irani apo nga qarqe antisemite.
Në fakt, janë aq banalë në atë që bëjnë, sa askush nuk u jep para. As armiqtë e Izraelit.
Nuk paguan njeri për idiotë.
- Të paktën antisemitët i kemi banalë - 12/10/2026
- “Një nga udhëheqësit më të shquar në botë”- Ministri Gideon Sa’ar takohet Ramën: Zë i guximshëm në skenën ndërkombëtare, na ka qëndruar pranë! Mik i Izraelit - 12/10/2026
- “Kemi ndërprerë marrëdhëniet diplomatike me Iranin”/ Takimi i ministrit Hoxha me homologun izraelit, Sa’ar: Rama, një nga liderët më të jashtëzakonshëm në botë - 12/10/2026