Qindra udhëheqës nga mbarë bota, ndër ta edhe Presidenti amerikan Joe Biden, morën pjesë sot në ceremonitë funebre në nderim të Mbretëreshës Elizabeth II.
Krahas pjesëmarrësve në ceremoninë brenda katedrales së Londrës, mijëra të tjerë kishin mbushur çdo hapësirë publike të kryeqytetit britanik, ndërsa këmbanat ranë 96 herë për çdo minutë që simbolizonin vitet e jetës së saj. Në të gjithë territorin e Mbretërisë së Bashkuar u mbajtën 2 minuta heshtje. Arkivoli i saj u përcoll në një shtrat topi drejt Kështjellës Windsor për një ceremoni private varrimi.
Udhëheqësit botërorë iu bashkuan sot udhëheqësve britanikë në ceremonitë e përcjelljes së Mbretëreshës së ndjerë Elizabeth II.
Kryeministrja britanike Liz Truss mbërriti për të marrë pjesë në ceremoninë funebre së bashku me ish-kryeministrat Boris Johnson, Theresa May, David Cameron, Gordon Brown, Tony Blair dhe John Major.
Ndër qindra udhëheqësit botërorë që morën pjesë ishte Presidenti amerikan Joe Biden, Presidenti francez Emmanuel Macron dhe ai i Irlandës Michael Higgins.
Presidenti Biden pati mundësinë të vlerësojë dje kontributin e mbretëreshës, ndërsa nënshkruante në librin e ngushëllimeve.
“Mendoj se çfarë na dha mbi të gjitha ishte nocioni i shërbimit. Të gjithë e kemi një detyrim të tillë. Kemi mundësinë për t’i përmirësuar gjërat, për të përmirësuar jo vetëm botën, por edhe lagjen tonë, shtëpinë tonë, vendin tonë të punës. Kjo ishte çfarë ajo më përcillte mua. Dhe ishte një nder që e njoha”, tha Presidenti Biden.
Krahas personaliteteve ndërkombëtare që morën pjesë në ceremoninë funebre, qytetarë të shumtë ishin mbledhur në rrugët e Londrës për të shprehur respektin e tyre.
Këmbanat e katedrales ranë 96 herë në kujtim të saj, për çdo një minutë, duke simbolizuar kështu vitet e jetës së saj.
Autoritetet lokale patën njoftuar paraprakisht se të gjitha zonat publike ishin mbushur në kapacitet maksimal tre orë përpara se të fillonin ceremonitë.
Një periudhë heshtjeje 2-minutëshe u mbajt në të gjitha trevat e Mbretërisë së Bashkuar në kujtim të Mbretëreshës Elizabeth II. Të pranishmit brenda dhe jashtë katedrales së Londrës, ulën kokën në shenjë nderimi gjatë minutave të heshtjes.
Pas meshës solemne, arkivoli i Mbretëreshës i vendosur në një shtrat topi përshkoi rrugët e Londrës, për t’u përcjellë në Kështjellën Windsor ku ajo do të prehet në paqe, pranë bashkëshortit të saj të ndjerë Princit Philip./VOA/topchannel
- Letra për Linda Ramën, Kombet e Bashkuara i përgjigjen PD-së: Rekrutimi, sipas rregullave dhe konkurrimit të hapur - 06/11/2024
- Zelensky përgëzon Trumpin për fitoren: Vlerësoj angazhimin e Presidentit ndaj qasjes ‘paqe përmes forcës’ - 06/11/2024
- Do ta urojë apo jo Donald Trump? Kremlini zbulon planet e Putin - 06/11/2024