Për të rritur numrin e turistëve apo edhe vizitorëve vendas, që ndalen në Qarkun Korçë si edhe për të shtuar numrin e ditëve të qëndrimit në të, duhet që të krijohet një paketë turistike e përbashkët mes 6 bashkive të këtij Qarku.
Kjo është zgjidhja sipas Ministres në Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro e cila gjatë një vizite në Korçë, në një deklaratë për mediat, u shpreh se i gjithë Qarku është nga destinacionet kryesore të turizmit vendas ndaj duhet t’i jepet prioritet, bashkëpunimit midis bashkive pasi potencialet turistike nuk mungojnë.
“Qarku Korçë është një nga destinacionet kryesore të turizmit vendas tregon se sa shumë gjëra propozon për të zhvilluar turizmin. Ka ardhur një moment që këto pasuri të qarkut të riorganizohen dhe koordinohen. Korça si qark e ka potencialin të tërheqë jo vetëm turistë vendas, por edhe të huaj.” është shprehur ministrja e Turizmit dhe Mjedisit.
Ministrja Kumbaro gjatë kësaj deklarate, foli edhe mbi krijimin e Parkut Ujor Drilon-Tushemisht, duke e cilësuar si një projekt tejet transparent e që do i japë një zhvillim tjetër zonës në aspektin turistik
“Është një projekt i nisur në mënyrë më transparente të mundshme midis bashkisë Pogradec, qeverisë dhe fondacionit shqiptaro-amerikan për zhvillim që bashkëfinancon për krijimin e një parku tjetër në një zonë të mbrojtur. Po ndërhyhet për rikualifikimin e këtij parku, do pajiset me një qendër vizitorësh dhe e gjitha kjo është në bashkëpunim të ngushtë edhe me bizneset në Drilon. Do ju them një element që është krijimi i një itinerari uji për varkat rreth 3 km që do dalin në pah falë këtij financimi. Mbetet një pronë publike që do menaxhohet nga zonat e mbrojtura, bashkia e Pogradec etj.” ka thënë ministrja Kumbaro.
