4 ditët e pushimit i kanë favorizuar shqiptarët që të udhëtojnë jashtë vendit, por jo të paktë janë ata që kanë zgjedhur të festojnë në Shqipëri, në Tiranë, Vlorë apo Korçë, si ky grup të rinj nga Gostivari.
-Kemi ardhur për të festuar në Tiranë.
-Sa ditë do qëndroni?
-Vetëm sot, do vizitojmë Tiranën. Tirana është gjithmonë e bukur. Është hera e dytë që vij në Shqipëri.
“Shqiptarët lëvizin jashtë, por edhe brenda. Vlora grumbullon më shumë nga rajoni, Kosova edhe Maqedonia, apo edhe Korça. Tirana mbetet qendra kryesore pritëse e turizmit të huaj dhe atyre nga rajoni”, thotë Besnik Vathi, përfaqësues i turoperatorëve.
Një tjetër pjesë e shqiptarëve ka vendosur të udhëtojë jashtë. Sipas turoperatorëve, Nëntori i këtij viti ka regjistruar 40 % më shumë se viti 2019.
“Lëvizjet këtë periudhë kanë qenë drejt Malit të Zi, Greqisë, Kosovës. Lëvizjet me avion në Jordani, Izrael, Maldive, Francë, Paris, Gjermani, Itali. Lëvizjet mund të kenë qenë 30-40 % më shumë se viti 2019”.
Turet drejt rajonit vijojnë të preferohen nga të rinj dhe mosha e tretë, ku në mjaft raste janë të organizuar në grupe.