Vota e diasporës dhe listat e hapura, kanë qenë në fokus të PDIU-së në takimin me presidentin Bajram Begaj gjatë konsultimeve për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Në një deklaratë për mediat pas takimin, kreu i PDIU-së Shpëtim Idrizi tha se duhen miratuar të gjitha aktet e KQZ-së për votën e Diasporës, por edhe të pritet vendimi i Gjykatës Kushtetuese për listat e hapura. Në këtë kontekst ai propozon datat 4 dhe 11 maj si datat më të përshtatshme për zgjedhjet.
“Data e zgjedhjeve është data kur partitë pushojnë dhe pushtetin e merr qytetari dhe nuk mund të ndodhë që partitë politike nëpërmjet dakordësive dypalëshe të japin avantazh zgjedhor vetes së tyre. Kjo ka krijuar edhe këtë vonesë. Do të shohim vendimin e Gjykatës Kushtetuese për listat e hapura që shqiptarët të kenë mundësi të zgjedhin jo vetëm për partitë, por edhe brenda tyre. Por edhe për t’i dhënë më shumë kohë për shkak të pengesës për dakordësinë te rregullatori për të kuptuar modalitetet sesi do të votojnë diaspora, të cilës ia kemi shumë borxh, se janë ata që sjellin 1 miliardë euro në Shqipëri. Ne kemi insistuar shumë si PDIU edhe për Ministrinë e Diasporës edhe për atë që vazhdon të mbetet kontributori më i mirë në ekonomi dhe ambasadori më i mirë kudo janë. Brenda këtyre datave këto kanë qenë në vëmendjen e PDIU. Mundësia për procedurën dhe kohën për t’ju drejtuar Diasporës dhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese mund të sjellë ndryshime të tjera. Në këtë kuptim janë datat e dyta më të përshtatshme për zgjedhje sipas PDIU”.
Presidenti Bajram Begaj nisi këtë të mërkurë konsultimet për të caktuar dhe dekretuar datën e zgjedhjeve parlamentare 2025. Të parët që kanë shkuar në zyrën e Begajt janë Dashamir Shehi, Fatmir Mediu, Agron Duka dhe Vangjel Dule, të cilët propozuan datën 4 maj për zhvillimin e zgjedhjeve të ardhshme elektorale.