17.5 C
Tirana
27 / 07 / 2024

Superfluksi i dosjeve VIP në SPAK: Çfarë do të sjellin realisht?!

Nga Ylli Pata

Sot SPAK ka shpallur se do të thërrasë javën e ardhshme Sali Berishën për çështjen e klubit “Partizani”, ndërkohë që denoncimet për Ilir Metën po rriten në mënyrë eksponenciale.

Njerëzit që shikojnë nga larg, ngrenë pikëpyetjet: çfarë do të ndodhë me gjithë këtë material? Do arrihet gjëkundi apo bëhet fjalë për një lojë si ajo e komisarit te “Dueli i Heshtur”?

Kushdo që e njeh sadopak punën në një zyrë shteti, e di se vetëm të shkruash  në kompjuter nga e para të gjithë këto material, të thërrasësh personat që i kanë kallëzuar, e më pas njerëzit që përfliten, e të ndjekësh faktet mbi të cilat ngrihen pretendimin, e në fund të gjesh prova, është një punë kolosale.

E gjitha kjo situatë, ndoshta, ndoshta mori shkas nga deklarata e kreut të SPAK në Zërin e Amerikës se Prokuroria Speciale Kundër Krimit e Korrupsionit punon në bazë të kallëzimeve.

E këtu nisi ajo që po ndodh një valë e pambarimtë padish. Shto këtu dosjet e vjetra, apo edhe denoncimet e pafundme që nuk kanë dalë në media.

Po si do të veprojë SPAK me këtë fluks, kur realisht kapacitetet e saj administrative janë të kufizuara. E meqë ra fjala për javën tjetër, si do veprojë SPAK, si ai oficeri osman përballë Ismail Qemalit te “Nëntori i Dytë”, kur i tha “se ka një urdhër arresti për ju”, e Ismaili-Sandër Prosi ja ktheu: “Kur arrestuat Abdyl Frashrin nuk ishit kaq të sjellshëm”. E natyrisht nuk është analogjia as rasti, por vërtetë Prokuroria e Adriatik Llallës nuk ishte kaq e sjellshme sa SPAK-u sot ndaj Saimir Tahirit.

Prokuroria Speciale kundër krimit e korrupsionit, nuk e ndjek këtë procedure, pra hetimin me denoncim, kur ka vepruar e vepron ndaj narkotrafikut apo krimit të organizuar, ku përgjithësisht bashkëpunon me partner ndërkombëtarë si Antimafia italiane, DEA amerikane, apo edhe prokuroritë e Europës.

Homologë të SPAK-ut në Ballkan si USOK-u kroat apo prokuroria speciale në Rumani, ka ndjekur çështje të mëdha, edhe nëse nuk ka pasur denoncime, por prova, që i kanë siguruar hetuesit e prokurorët. Ku u shpallën të pandehur ministra, kryeministra president, politikanë e zyrtarë të lartë.

A do të ndodhë e gjitha kjo edhe në Shqipëri? Shumë kanë pak pritshmëri, megjithatë reforma e re në drejtësi ka një gjë që nuk shmanget dot. Nuk mund të mbyllet një dosje aq kollaj, pa kaluar në sitën e prokurorëve të gjithë personat që përmenden, apo akuzohen në denoncimet përkatëse. Pasi ligjërisht është zvogëluar mundësia e mbylljes me procedurë, e aq më pak precedenti “Tahiri” ku publiku pa jo vetëm vendim, por edhe zbatim të tij sipas modelit “drakonian”.

Por në fund të fundit, të gjitha këto hetime që janë në ecuri e sipër do të ecin përpara, do të shikojmë sqarime e deponime, deklarime e kundërshtime, sqarime por edhe vendime prokurorësh dhe dispozita gjykatash. Po pyetja është, a do të kemi një pasqyrim të drejtë dhe të plotë nga panelet e darkës për të gjitha këto dosje? Gjithsesi, më shumë se media, në sprovë sot është drejtësia e re…

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x