24.5 C
Tirana
29 / 04 / 2026

Skam dashur kurrë aq shumë një grua, një vëlla, një mik sa Febon/ Ja se si e sjell Curzio Malaparte raportin me qenin e tij, në romanin “Lëkura”.

Skam dashur kurrë aq shumë një grua, një vëlla, një mik sa Febon. Ishte një qenie fisnike, krijesa më fisnike që kam njohur në jetën time. Ishte nga ajo familje langojsh, tashmë të rrallë e të ndjeshëm, të ardhur qëmoti nga brigjet e Azisë që barinjtë e Liparit i quajnë çernegi. Janë ata qen që skulptorët grekë i skalitin në basorelievet e varreve. “Dëbojnë vdekjen”, – thonë barinjtë e Lipovarit.

Nuk largohej asnjë hap prej meje. Prania e tij në shtëpinë time të shkretë të rrahur pa pushim nga era dhe nga deti, ishte një prani e mrekullueshme. Natën, ai ndriçonte dhomën time bosh me ngrohtësinë e syve të tij të kthjellët, të çiltër, të syve të tij porsi dy hëna. I kishte sytë në një të kaltër të zbehtë, në ngjyrën e detit kur hëna perëndon. E ndieja praninë e tij si atë të një hijeje, të hijes sime. Ai ishte refleks i shpirtit tim. Më ndihmonte me atë praninë e tij për të përtëritur atë përbuzjen ndaj njerëzve që është aq kushti i parë i qetësisë shpirtërore e i urtësisë në jetën e njeriut. E kuptoja që më ngjante, që nuk ishte veçse pasqyrim i ndërgjegjes sime, shëmbëlltyra e vetes sime, e gjithçkaje që është më e thellë, më e brendshme, më tipike te unë; ishte nënvetëdija ime, e si të thuash hija ime…

…Takimi i një njeriu dhe i një qeni është gjithnjë takimi i dy shpirtrave të lirë, i dy formave dinjiteti, i dy moraleve që nuk paguhen, që natyra e jep falas dhe është më romantiku i takimeve…

Unë njihja te ai ndjenjat e mia më të mistershme, instiktet e mia të fshehta, ankthet e mia, shpresat e mia. Imi ishte dinjiteti i tij përpara njerëzve, të miat ishin trimëria dhe krenaria e tij përballë jetës, imja ishte përbuzja e tij për ndjenjat e cekëta të njeriut. Por më shumë sesa ai parandiente shenjat e fshehta të natyrës, si paralajmërime të mistershme, ai parandiente praninë e padukshme të vdekjes, që, gjithnjë e heshtur e dyshuese sillej rrotull njerëzve. Ai ndiente të vinin nga larg, nëpër ajrin e natës, hijet e trishta të ëndërrave, të ngjashme me ato insektet e ngordhura që nuk dihet nga i sjell era. Dhe kishte net kur ai, i strukur në këmbët e mia, në dhomën time bosh të Liparit, ndiqte me sy përreth meje një hije të padukshme që afrohej, largohej, rrinte orë të tëra për të më përgjuar prapa xhamit të dritares. Herë pas here, në qoftë se hija e mistershme më afrohej aq sa më çikte ballin, Faboja kërcëllente dhëmbët kërcënueshëm, me qimen e kreshpëruar në kurriz, dhe unë dëgjoja një britmë të përvajshme në terrin e natës, që shuhej pak nga pak.

Faboja ishte më i dashuri i vëllezërve të mi, ishte vëllai im i vërtetë, ai që nuk tradhëton, vëllai që të do, që të ndihmon, që të kupton, që të fal. Vetëm kush ka vuajtur me vite me radhë i mërguar në një ishull të egër, e, me tu kthyer në mes të njerëzve, sheh që t’i shmangen e t’i rrinë larg si një të gërbulti, gjithë ata që një ditë, me të vdekur tirani, bëhen heronj të lirisë, vetëm ai e di se çmund të jetë një qen për një njeri. Feboja shpeshherë m’i ngulte sytë me një shprehje fisnike e të trishtë qortimi në vështrimin e tij plot dhembshuri. Atëherë ndjeja njëfarë turpi të çuditshëm e sikur më vriste ndërgjegja për trishtimin tim; më vinte si të thuash turp përpara tij. Ndjeja se, në ato çaste, Feboja, më përbuzte me dhembje, me dashuri e mallëngjim, por në vështrimin e tij kishte hem një çikë mëshirë, hem një çikë përbuzje. Ai nuk ishte vetëm vëllai im por edhe gjyqtari im. Ishte ruajtësi i dinjitetit tim, e njëkohësisht ishte për mua dhuruesi i mirësisë…

Përktheu: Klio Evangjeli

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x