14.5 C
Tirana
19 / 09 / 2024

SHPIRTKEQI QË KËRKOI T’I LININ LITARIN JASHTË VARRIT

Nga Ethem Ruka

Në një katund të thellë kishte qenë një burrë shpirtkeq, që nuk kishte lënë gjë pa bërë kundër bashkëfshatarëve të vet. Urrejtja ndaj tij ishte shndërruar në një ortek që çdo ditë, çdo muaj e çdo vit, vetëm rritej. Kur do të vdesë, thoshin të gjithë banorët dhe thurnin e thurnin variante për varrimin e tij. Një ditë shpirtkeqit duhej t’i harrohej emri dhe t’i humbiste edhe varri.

Dhe ja, një ditë vjeshte plot shi dhe erë, burri shpirtkeq lëngonte në shtratin e vdekjes, por nuk i dilte shpirti. Kërkoi burrat e fshatit për të lënë amanetin e fundit, ndryshe nuk mund të jepte shpirt. Bashkëfshatarët, për të përshpejtuar vdekjen e tij, pranuan t’a dëgjonn për herë të fundit.

E di që u kam bërë shumë të këqija,u tha shpirtkeqi bashkëfshatarëve të tij. E shikoni këtë litarin në krahun tim? Kur të vdes, ma rrotulloni rreth qafës dhe pasi të më mbuloni, litarin lëreni të lirë jashtë varrit.

Amaneti i tij u plotësua dhe bashkëfshatarët menduan se shpëtuan përgjithmonë nga makthi i të këqijave. Por nuk qe e thënë. Një ditë, aty te varri i shpirtkeqit kaloi një patrullë xhandaresh dhe pa litarin jashtë varrit. Tentuan ta tërhiqni litarin por nuk mundën. Pasi hapën varrin, panë se litari ishte i lidhur në qafën e të vdekurit.

Ky është një krim monstruz, tha komandanti. Te nisim menjëherë hetimet. Thirrën menjëherë bashkëfshatarët njeri pas tjetrit dhe i akuzuan për krimin monstruoz. Gjykatat bënë punën e tyre dhe dënuan shumë prej fajtorëve pa faj. Shpirtkeqi e kishte përmbushur misionin e tij edhe pas vdekjes. I keq së gjalli dhe i keq së vdekuri.

Kjo botë nuk shpëton dot nga shpirtkeqët. Kishte të tillë dje, ka edhe më shumë sot. Litarët që lanë jashtë shpirtkeqët e djeshëm, vazhdojnë të përdridhen sot në këmbët tona. Dhe tradita vazhdon. Shpirtkeqët e sotëm nuk do të japin shpirt pa lënë jashtë varrit litarë të rinj. Trashëgimia e të mirës dhe të keqes vazhdon. Ato janë motër e vëlla….

Artikujt më të kërkuar

0
Would love your thoughts, please comment.x
()
x