Në nëntor të vitit 2025, në Shqipëri u inaugurua fondacioni “Anakin Pet Rescue”, një nismë e re në mbrojtje të të drejtave të kafshëve, që në një kohë shumë të shkurtër ka arritur të tërheqë vëmendjen e publikut dhe institucioneve, jo vetëm në vend, por edhe më gjerë në Europë.
Pas kësaj nisme qëndron çifti zvicerano-shqiptar, Matteo Casanova dhe Paola Sula, të cilët kanë vendosur të ndërtojnë në Shqipëri një model të ri ndërgjegjësimi dhe përkujdesjeje për kafshët. Matteo Casanova, biznesmen zviceran, ka zgjedhur të jetojë në vendin e origjinës së bashkëshortes së tij shqiptare, duke investuar kohë, energji dhe përkushtim në këtë mision human. Nga ana tjetër, Paola Sula, e njohur edhe për prejardhjen nga familja e Dashnor Sulës, po spikat gjithnjë e më shumë si një figurë e përkushtuar ndaj kauzës së mbrojtjes së kafshëve.
Pavarësisht mundësive dhe jetës komode që çifti mund të kishte në Zvicër, ata vendosën të kontribuojnë drejtpërdrejt në Shqipëri për të sjellë ndryshim konkret në mënyrën se si trajtohen kafshët.
“Anakin Pet Rescue” ka nisur prej muajsh një seri fushatash sensibilizuese dhe programe edukimi për fëmijët në kopshte dhe shkolla, me fokus kujdesin, respektin dhe përgjegjësinë ndaj kafshëve. Në këtë mision ata bashkëpunojnë ngushtë me trajnerët e specializuar të Canfel, duke sjellë një qasje moderne dhe edukative për brezat e rinj.
Një tjetër hap i rëndësishëm u zhvillua sot në strehëzën e Bashkisë së Tiranës, ku fondacioni organizoi një event në bashkëpunim me Agjencinë e Mbrojtjes së Konsumatorit dhe studentët e veterinarisë të shkollës profesionale “Mihal Shahini”.
Në aktivitet morën pjesë studentë, veterinerë, trajnerët e Canfel, si dhe klinika “Aristopets”, e cila ka sjellë në Shqipëri ekskluzivitetin e brandit të njohur gjerman “Josera”. Gjatë eventit, “Josera” dhuroi një sasi të konsiderueshme ushqimi për qenushët e strehëzës, një gjest i vlerësuar nga të gjithë pjesëmarrësit dhe një ndihmë konkrete për kafshët në nevojë.
Ky bashkëpunim mes fondacioneve, institucioneve dhe profesionistëve po shihet si një shembull pozitiv për mënyrën se si mund të ndërtohet një kulturë më humane dhe më europiane ndaj kafshëve në Shqipëri. Ndërsa “Anakin Pet Rescue” vazhdon aktivitetin e tij, shumë qytetarë po e konsiderojnë këtë nismë si fillimin e një ndryshimi të rëndësishëm në raportin e shoqërisë shqiptare me katërputroshët.



- Shqipëria afron legjislacionin me BE, pritet rritja e siguracionit të automjeteve - 23/05/2026
- FOTO-LAJM/ Vota më e sinqertë për Berishën: Të q*fsha Mul Nokën - 23/05/2026
- “Je uzurpator!”, Salianji i përgjigjet Berishës: Po manipulon shifrat dhe do ta vërtetoj me fakte, s’kanë votuar as 1 mijë anëtarë - 23/05/2026