Teksa Kuvendi i Shqipërisë rikthehet këtë të enjte (22 tetor) në punimet parlamentare, studentët pritet të zhvendosin protestën e tyre përpara godinës së Parlamentit, ku në orën 10:00 do të zhvillohet seanca plenare. Seanca e kësaj jave vjen pas anulimit të mbledhjes së kaluar, me urdhër të kryeparlamentarit Niko Peleshi, për shkak të protestave që përfshinë vendin. Ndërsa kanë mbetur rreth tri orë nga nisja e seancës, para Kuvendit ka nisur puna për vendosjen e gardhit metalik, me qëllim kufizimin e hyrjes së protestuesve në ambientet e Parlamentit.
Gazetarja Rugova Dunisha bëri me dije se Policia ka marrë masa për garantimin e mbarëvajtjes së seancës plenare dhe për të mbajtur protestuesit larg ambienteve ku do të zhvillohen punimet.
“Ka nisur puna për vendosjen e gardhit metalik para Kuvendit, me qëllim bllokimin e protestuesve për të hyrë në ambientet e Kuvendit. Policia do të marrë të gjitha masat për mbarëvajtjen e seancës plenare dhe mbajtjen larg të protestuesve nga seanca”, raportoi ajo.
Sipas gazetares, gjatë javëve të fundit janë regjistruar tentativa nga protestuesit për të depërtuar në ambientet e brendshme të Parlamentit, ndërsa gardhi metalik ka shërbyer për t’i mbajtur ata jashtë godinës. Seanca plenare e kësaj të enjteje përfshin 14 pika në rendin e ditës, mes të cilave katër interpelanca me tre ministra të kabinetit qeveritar, shqyrtimi i disa projektligjeve dhe ngritja e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për fazën e dytë të Reformës Administrativo-Territoriale. Punimet do të nisin me miratimin e procesverbalit të seancës plenare të 8 tetorit, e cila u anulua me urdhër të kryeparlamentarit Niko Peleshi.
Më pas, deputetët do të shqyrtojnë interpelancën urgjente me ministrin e Punëve të Brendshme, Ervin Demo, të kërkuar nga një grup deputetësh të Partisë Demokratike.
Në vijim, ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, do të përballet me dy interpelanca të kërkuara nga deputetët Ermal Pacaj dhe Tedi Blushi. Ndërsa ministri i Financave, Petrit Malaj, do të jetë në interpelancë me deputetin Tedi Blushi. Pas interpelancave, Kuvendi do të vijojë me shqyrtimin e disa projektligjeve që lidhen me drejtësinë, bashkëpunimin ndërkufitar, shërbimet e pagesave, parandalimin e pastrimit të parave dhe financimin e terrorizmit. Në rendin e ditës janë përfshirë gjithashtu projektligji për ratifikimin e Konventës së Këshillit të Evropës për Mbrojtjen e Profesionit të Avokatit, si dhe marrëveshja me Maqedoninë e Veriut për ngritjen e pikave të përbashkëta të kalimit kufitar dhe kryerjen e kontrolleve të përbashkëta.
Deputetët do të shqyrtojnë edhe ndryshimet në ligjin për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to, si dhe projektligjin për treguesit gjeografikë për produktet artizanale dhe industriale. Një nga çështjet kryesore të seancës pritet të jetë projektvendimi për ngritjen e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për fazën e dytë të Reformës Administrativo-Territoriale në Shqipëri.
- Sot seanca plenare, studentët zhvendosin protestën para Parlamentit, vendosen barrierat metalike para godinës - 22/10/2026
- Sot Samiti i Berlinit në Malin e Zi| I pranishëm kryeministri Rama dhe kancelari gjerman Merz - 22/10/2026
- Protesta, Rama përsërit thirrjen për dialog, zëvendëson karriget e thyera me stola guri - 22/10/2026