Data e 17 tetorit e vitit 1979, na kujton ditën, kur Juria ndërkombëtare e Akademisë së Shkencave të Suedisë nderoi me Çmimin Nobel për Paqe Shenjtën shqiptare, Ganxhe Bojaxhiu, Nënë Terezën.
Në motivacionin e ndarjes së Cmimit, komisioni i ngarkuar njoftoi se:”Çmimi Nobel i Paqes ju dha Nënë Terezës së Kalkutës për angazhimin e saj ndaj më të varfërve ndër të varfër dhe për respektin dhe vlerësimin e dinjitetit të çdo njeriu. Përveç kësaj: Për punën e bërë në luftën kundër varfërisë dhe mjerimit, që përbën, gjithashtu, një kërcënim për paqen”.
Nënë Tereza, me rastin e marrjes së Çmimit Nobel për Paqen, pati mundësinë, menjëherë, të tregonte se stili i saj i jetesës, që ishte në përkim me Ungjillin e dashurisë, dëshmohej në çdo moment e në çdo gjest të jetës së saj, posaçërisht në përkuljen e saj mbi mjerimet e dhimbjet e të varfërve e të uriturve të botës, prandaj Nënë Tereza kërkoi dhe arriti të realizojë që banketi i zakonshëm që organizohej pas dhënies së çmimit, të mos bëhej dhe që paratë e kursyera (6,000 dollarë) të banketit të destinoheshin për të varfrit e Kalkutës, të cilët me këtë shumë do të ushqeheshin për një vit të tërë.
“Shpërblimet tokësore janë të rëndësishme vetëm nëse përdoren për të ndihmuar të varfrit e botës” .
Nënë Tereza u ngjit në tribunën ku janë ngjitur njerëzit më të shquar të botës nga të gjitha fushat, veshur me sarin e grave të varfëra indiane dhe e pranoi çmimin për paqe vetëm sepse një pranim i tillë do t’u vlente shumë të varfërve të saj. E, kur iu desh të jepte një nga intervistat më të rëndësishme, në tribunën e Oslos, duke marrë në dorëzim Çmimin Nobel, Shën Nënë Tereza foli në një mënyrë krejtësisht të padëgjuar në atë sallë, që ka parë e ka dëgjuar mendjet më të ndritura të njerëzimit.
“Lapsi i vogël në duar të Zotit”, kjo është Nënë Tereza, bija e një populli dhe toke të vogël, që i bëri të njohur e të nderuar kudo shkeli.
“Shpresoj se do t’ia dal mbanë t’i kthej njerëzit në rrugën e Zotit – thoshte Shën Nënë Tereza. E kur flas për kthim, kam parasysh kthimin e zemrave. Nëse takohemi me Zotin, e mirëpresim në jetën tonë, e kjo domethënë se jemi në rrugën e kthimit. Domethënë se bëhemi hinduistë më të mirë, myslimanë më të mirë, katolikë më të mirë”. Me këtë bindje Nënë Tereza, u bë “gjithçka për të gjithë”, e prandaj sot e nderojmë gjithkund e të gjithë, sepse u dha të varfëve në trup e në shpirt, një flakë dashurie.
E tërë jeta dhe vepra e Nënë Terezës është dëshmi e gëzimit që buron nga dashuria, e madhështisë dhe e dinjitetit të çdo njeriu, e vlerës së gjërave të vogla të bëra me besnikëri e me dashuri, e sidomos, e vlerës së pakrahasueshme të miqësisë me Zotin, që lidhet e ushqehet përmes lutjes së vazhdueshme, duke shndërruar kështu njeriun në flakë dashurie.
Kështu, duke e kujtuar dhe nderuar Shën Nënë Terezën, në 44-vjetorin e vlerësimit me Çmimin Nobel për Paqen, nuk duhet të harrojmë se Ajo është një mesazh dashurie, pa kufij fesh e racash, motra e vogël dhe e madhe shqiptare dinte t’u fliste të gjithëve, sidomos t’u shërbente me dashuri e përkushtim më të varfërve ndër të varfër, njerëzve të mënjanuar nga shoqëria. Shën Nënë Tereza qe mësuese e artit të dashurisë vëllazërore.
Ja si e kujton Ganxhe Bojaxhiu, Shenjta Nënë Terezë 17 tetorin e vitit 1979, kur Juria Ndërkombëtare e Akademisë së Shkencave të Suedisë e nderoi me Çmimin Nobel për paqen:
“Duhet të them se pranoj të shkoj në ceremoni të ndryshme publike, vetëm sepse më krijohet mundësia t’u flas për Jezusin njerëzve, të cilët nuk dihet në se do të kishin ndonjë rast tjetër për të dëgjuar fjalën e Zotit.
Një herë kam thënë edhe se e kam më të lehtë të mjekoj një të gërbulur, sesa të përgjigjem në një intervistë.
Në Oslo ndodhi një mrekulli e vërtetë: u lutën të gjithë, në një vend ku s’ishte dëgjuar kurrë ndonjë lutje.
Ishim mbledhur në një sallë për dorëzimin e Çmimit e, sapo m’u dha mundësia të flas, thashë: “Me që jemi mbledhur të gjithë për të falënderuar Zotin e Çmimit Nobel për Paqen, mendoj se do të ishte vërtetë e bukur të luteshim për paqen”.
E të gjithë së bashku nisëm lutjen e Shën Françeskut të Asizit: “Zot, më bëj lajmëtar të paqes sate”, teksti i së cilës u qe shpërndarë të pranishmëve. Ishte diçka vërtetë tronditëse. Prekëse. E mrekullueshme: luteshin të gjithë, ndonëse siç dihet, numri i katolikëve në Norvegji është shumë i vogël.
Më pas – tha Nënë Tereza – fola për abortin e thashë: “Po kremtojmë vitin ndërkombëtar të Fëmijës. Sot po ju flas për fëmijën, që nuk ka lindur akoma. Po ju flas në emër të fëmijës, që nuk e ka parë ende dritën e diellit. Të abortosh do të thotë ta dënosh fëmijën me vdekje: të mos duash që fëmija të jetojë, do të thotë ta vrasësh. Sot për sot, arma më e rrezikshme kundër paqes, është aborti. Shumëkush interesohet për fëmijët e Indisë e të Afrikës, ku vdesin me mijëra nga mungesa e ushqimit. Por në vende të tjera miliona fëmijë mbyten nga vetë prindërit e tyre. E në se një nënë mbyt fëmijën e vet, pse u dashka të çuditemi, kur njerëzit ia marrin shpirtin njëri-tjetrit?!”.
Duke kaluar nëpër Romë, gjatë udhëtimit të kthimit, kujton Nënë Tereza, Papa më tha: “Mos harro të flasësh si në Oslo, kudo që të shkosh!”.
- Nuk e kanë me Robertin, nuk e kanë as me Ndrenikën - 12/05/2026
- Kaosi te Reali i Madridit/ Perez nuk largohet, presidenti i “Los Blancos” thërret zgjedhje të parakohshme në klub - 12/05/2026
- Trump niset drejt Kinës, kërcënon Iranin dhe sulmon gazetarët gjatë deklaratave në Shtëpinë e Bardhë - 12/05/2026