Çmimi i druve të zjarrit gati është trefishuar brenda vitit në Korçë. Aktualisht metri kub i lëndës drusore për ngohje kushton 8500 lekë. Çmimi i lartë i energjisë dhe fashat e vendosura, kanë bërë që në Korçë pjesa më e madhe e familjeve të vazhdojnë të ngrohen me dru.
Por çmimi i shitjes është i papërballueshëm, pasi për të mbuluar ngrohjen përgjatë sezonit të dimrit një familjeje i nevojiten 10 deri në 12 metër sterë dru, pra do të duhen nga 85 mijë deri në 100 mijë lekë, shifër kjo shumë e lartë krahasuar me të ardhurat e një familjeje.
Më e rëndë është situata për familjet të cilat kanë vetëm një të punësuar, familjet me ndihmë ekonomike apo për pensionistët të cilët e shohin të pamundur blerjen e druve të zjarrit, pa llogaritur për kostot e tjera të energjisë, të ujit, ushqimet, veshjet e të tjera.
Prej vitesh çmimi i shitjes së lëndës drusore për ngrohje ka pësuar rritje në Korçë. Një vit më parë një metër stërë dru kushtonte 3500 lekë, sot ka arritur rekordin historik prej 8500 lekësh. Problemi nuk qëndron vetëm te çmimi stratosferik, por edhe te mungesa e lëndës drusore.